E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji 20 shkurti data për të kujtuar viktimat e komunizmit

Autori i Lajmit: Redaksia

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje projektligjin e Qeverisë për simbolet e komunizmit, por dhe për caktimin e një date përkujtimore për viktimat e këtij sistemi. Në bazë të draftit të ekzekutivit, 20 shkurti, dita e rënies së bustit të Enver Hoxhës do të jetë dhe "Ditë e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Ndërkohë gjatë diskutimit për ligjin e simboleve të përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri, u hodhën edhe disa ide që të ngrihet një monument edhe në Linzë, ku disa ditë më parë, u zbulua varreza masive e disa viktimave të regjimit komunist. Me këtë draft të ri, të miratuar në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca është tërhequr nga ideja e saj për të shpallur 29 nëntorin si ditën e kujtesës për viktimat e komunizmit. “Këshilli i Ministrave shpall datën 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, në Tiranë si “ditë të përkujtimit publik”, të viktimave dhe të krimeve të shkaktuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, - thuhet në projektligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, të miratuar dje. Ndërkohë që ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë “Muzeun kombëtar të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Gjithashtu, pritet që të nxirret dhe një akt nënligjor për ngritjen e “Obeliskut të viktimave të krimeve të komunizmit. Të gjitha aktet nënligjore të nevojshme duhet të hartohen brenda një muaji nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Po me propozimin e Kryeministrit, pritet që në Kuvend të miratohet dhe projektligji “Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqipëri”, institut që do të gëzojë statusin e personit juridik e do të jetë institucion i pavarur. Ai do të ketë për detyrë të studiojë dhe vlerësojë periudhën e komunizmit, të identifikojë bazën ligjore mbi të cilën ka funksionuar ky sistem, të analizojë shkaqet dhe rrugët e vendosjes së këtij regjimi, por dhe të grumbullojë të dhëna e dokumente për të zbuluar veprimtarinë e strukturave të Sigurimit të Shtetit.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›