E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga autori, 5 ditë pasi grabiti 18 milionë lekë

 

Etleva Delia

Policia e Kavajës arrestoi dje të dyshuarin si autor të grabitjes së 18 milionë lekëve të vjetra në filialin e agjencisë së transfertave "Western Union", në fshatin Gosë. Ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari mësohet se ka ndodhur 5 ditë më parë më 25 prill 2009. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Besnik Çela, 34 vjeç, ishte shpallur në kërkim që prej datës 25 prill kur ndodhi vjedhja në pikën e transfertave të parave. Pas shpalljes në kërkim të autorit të ngjarjes, dje agjentët e policisë kanë realizuar kapjen dhe arrestimin e tij. Burimet policore konfirmuan dyshimet se i arrestuari është autor i grabitjes së 18 milionë lekëve të vjetra dhe 380 eurove, ndërsa gjatë krimit ka marrë edhe disa karta dixhitale në pikën e transfertave. Pesë ditë më parë pronari i agjencisë ku kryhen transfertat valutore, në fshatin Gosë, denoncoi ngjarjen në polici duke njoftuar vjedhjen e agjencisë. Në mëngjes kur ka hapur ambientet e agjencisë, pronari ka vënë re derën e pasme të dëmtuar ndërsa nuk ka gjetur paratë që kishte lënë në mbrëmjen e një dite më parë. Disa dëshmitarë kishin parë personin e dyshuar duke dalë nga ndërtesa ku ndodhej agjencia. Ata kanë dhënë dëshmitë e tyre në polici dhe në bazë të këtyre rrëfimeve policia tha se ka bërë të mundur identifikimin e autorit të vjedhjes. Sipas policisë Besnik Çela ka vepruar i vetëm dhe përveç shumës së parave ka arritur të marrë edhe disa karta rimbushëse telefoni dhe karta abonimi në kompani televizive që ofrojnë shërbim me pagesë. Sipas burimeve nga policia, pronari i pikës së transfertave, ka shkuar si çdo mëngjes për të hapur njësinë e tij "Western Union" dhe është ndeshur me një rrëmujë brenda ambientit të punës. Pas njoftimit në polici, në vendngjarje kanë shkuar forcat e sektorit të hetimit të krimeve, si dhe grupi i ekspertëve të kriminalistikës. Pa kaluar ende 5 ditë nga ngjarja policia ka rënë në gjurmët e autorit dhe menjëherë është kryer arrestimi i tij. Besnik Çela prej disa muajsh nuk jetonte në fshatin Gosë, ku kishte realizuar grabitjen. Ai ka udhëtuar disa kilometra nga fshati Gurë i Lushnjës, vetëm për të kryer vjedhjen. Sipas policisë ai e kishte studiuar grabitjen dhe ka gjetur kohën e përshtatshme për të vepruar. Mësohet se 34-vjeçari nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, por ndaj tij ka disa dëshmi, që provojnë se është ai personi, që ka kryer vjedhjen e 18 milionë lekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›