“Kohë e trazuar”në sytë e fotografit belg
Në kuadrin e marrëdhënieve kulturore të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Galeria Kombëtare e Arteve organizon ekspozitën e fotografit belg Alain Janssens me titull “Kohë e trazuar” - “Temps brasse”(1995 – 2004) në sallën e ekspozitave të GKA. Ekspozita e fotografit belg përmban 36 fotografi të realizuara në teknikën bardhë e zi. Imazhi fotografik i Janssens transmeton një profesionalizëm “magjik”, një mjeshtri dhe vizion modern të fotografisë, duke e bërë ekspozitën mjaft interesante për publikun shqiptar. Fotografitë e tij janë bërë pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Parisit, Muzeut të Fotografisë në Charleroi, e Komunitetit francez të Belgjikës, e Rajonit Wallone, e Muzeut Elysée në Lozanë dhe e koleksionit Polaroid në Ofenbah. Ekspozita do të qëndrojë hapur në GKA nga dt. 04 - 17 maj. Fotografi Alain Janssens i përket brezit të fotografëve të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai lindi në Liege, në vitin 1956 dhe mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura, në vendlindje. Aktualisht, që nga viti 1986, artisti është pedagog i fotografisë në Institutin e Arteve të Bukura në Saint-Luc në Liège. Janssens u edukua dhe ndikua fuqishëm në karrierën e tij artistike nga figura e artistit – fotograf Hubert Grooteclaes. Ai ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita kolektive dhe vetjake fotografike, duke filluar nga viti 1979, kur ekspozoi për herë të parë në vendlindje, në Muzeun e Arkitekturës. Janssens ka marrë pjesë me mjaft sukses në shumë veprimtari ndërkombëtare në Evropë si mund të veçojmë atë në Muzeun e Fotografisë në Charleroi, në l’Espace Photographique Contretype à Bruxelles, në “Galerie du Forum à Toulouse” (France) dhe në “Galerie Arte Coppo” në Verviers, etj.