Renditja FIFA, ngjitemi 18 vende
Shqipëria është ngjitur 18 vende në renditjen e fundit të publikuar nga FIFA. Në klasifikimin e muajit tetor, kuqezinjtë zënë vendin e 83-të në renditjen e përgjithshme botërore. Barazimi 0-0 kundër Suedisë dhe fitorja 3-0 me Maltën kanë ndihmuar skuadrën shqiptare që të ngjisë 18 vende në listën e përmuajshme. Kështu, nga vendi i 102-të, që ishim në muajin shtator 2008, tashmë jemi në vendin e 83-të me 416 pikë, por ende larg “rekordit” të këtij viti, kur në shkurt 2008 ndodheshim në vendin e 73-të. Gjithsesi, renditja më e mirë historike është ajo e gushtit të vitit 2006, me vendin e 62 në botë, por dhe atëherë për shkak të sistemit të ri të llogaritjeve të përdorura nga FIFA. E para në grupin 1 është Portugalia, e cila renditet e 10-ta në klasifikimin e muajit tetor. Pas saj vijnë Suedia (28), Hungaria (62), Shqipëria (83) dhe Malta (146).