Prokuroria në dilemë për hetimin, vajza e Liri Gegës: Kalvari 20-vjeçar për eshtrat e prindërve
Ferdinand DervishiLavdije Merlikën – Ndreun, një grua të thinjur, rreth të gjashtëdhjetave, mesditën e djeshme, nuk e kishin mbajtur dot muret brenda. Edhe pse në shtëpinë e saj, diku në lagjen Laprakë të Tiranës, veç të tjerave, duhet të kujdesej për njërin nga familjarët, që ishte i sëmurë. E kishin trazuar lajmet në media. Gjatë gjithë ditës spikerët, me një seriozitet të shtuar, kishin folur për gjetjen në rrëzë të malit Dajt të eshtrave të 19 të pushkatuarve të regjimit komunist. Ndërsa gruas së shkuar në moshë i kishte elektrizuar trurin momenti, kur një prej këtyre zërave kishte aluduar gjetjen, mes të tjerëve, edhe të skeletit të një femre. “Mendova se mund të jenë eshtrat e nënës sime, Liri Gega - Ndreu, dhe bashkë me to edhe të babait, Dali Ndreut, që kemi 20 vjet që i kërkojmë dhe kuturisa në Tiranë të thosha, të nxirrja edhe unë fjalët që më ngisnin shpirtin”, janë fjalët e para që Lavdija shqipton pas takimit.Zonjë, mësuam se sot keni qenë te Avokati i Popullit për eshtrat e gjetura në rrëzë të Dajtit. çfarë ju thanë aty?Më nxorën nga shtëpia lajmet për gjetjen e eshtrave, sidomos momenti kur në një nga televizionet dëgjova se mes gjetjeve kishte edhe një skelet femre. Sepse ne si familje kemi 20 vjet që kërkojmë eshtrat e nënës, Liri Gega – Ndreu, dhe babait, Dali Ndreu, të pushkatuar nga komunistët në vitin 1956. Im vëlla, Sokoli, që tani jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është rropatur për ti gjetur, por e pa mundur. Prandaj nuk më mbajti më shtëpia brenda dhe erdha në Tiranë të interesohem. Bëra ca telefonata dhe më rekomanduan të shkoja tek Avokati i Popullit. Aty mirë më pritën. Më dhanë të plotësoja një kërkesë, tip formulari, dhe e bëra. U kërkova që të ekzaminoheshin eshtrat e gjetura se mos mes tyre ishin edhe ato të prindërve të mi.Thatë se vëllai është rropatur duke i kërkuar eshtrat dhe nuk ka mundur. Kur ka ndodhur kjo dhe pse nuk ka pasur asnjë rezultat në kërkime?Im vëlla nisi kërkimet që pas ndryshimit të sistemit, më 1991, apo 1992. Ndërkohë ai punonte në Drejtorinë e Burgjeve dhe pak vite më vonë shkoi në Ministrinë e Drejtësisë. Pra kishte mundësi të investigonte dhe të kërkonte. Por në asnjë rast ai nuk mundi ti gjente eshtrat. Kërkoi gjithandej për dëshmitarë, dokumente, harta, por nuk i gjeti dot. Sa vjeçe keni qenë kur ju arrestuan prindërit? A i mbani mend?Kam qenë jo më shumë se 7-8 vjeçe dhe e kujtoj fare mirë ditën kur i morën. Ishte viti 1956 dhe ne, e gjithë familja, ndodheshim në vendlindjen e babait, në Sllovë të Dibrës. Vëllai, Sokoli, që ishte vetëm dy vjeç, vuante nga një sëmundje dhe prindërve u kishin thënë se ajri në fshat i bënte mirë. Një vit më parë kishim qenë në Pogradec, por shëndeti i vëllait nuk ishte përmirësuar. Kujtoj se të rriturit ishin mbledhur në bahçe. Ishte një bahçe e madhe me mollë. Ishin pothuaj gjithë burrat e fisit, se kështu e kishin zakon të mblidheshin kur vinte Gjenerali, Dali Ndreu, siç vazhdonin ta thërrisnin tim atë. Unë kam qenë në afërsi të portës së madhe kur ushtarët e armatosur morën babin, mamin dhe xhaxha Beshirin. Te porta ku ndodhesha u mblodhën të gjithë burrat e gratë e fisit. Pashë mamin të kalonte e lidhur me litar dhe të thoshte: “Amanet djalin!” Se Sokoli ishte vetëm dy vjeç në atë kohë. Pas mamit kaloi babi. Ai foli sikur të kundërshtonte fjalët e nënës. Tha: “çfarë amanet djalin, thua?! Amanet vajzën, thuaj, se kjo po i sheh të gjitha dhe ka për ti mbajtur mend”. Ashtu i sjell në mend për herë të fundit. Të lidhur, mes ushtarësh të armatosur, duke folur me kokën kthyer nga ne, fëmijët, duke lënë amanetet për fatet e mëtejme të jetëve tona.E kujtoni si e mësuat që të dy prindërit ua kishin vrarë? Kur ka ndodhur?Neve na rritën xhaxhallarët. Madje na rritën me shumë ngrohtësi. Kuptohet që ata nuk na thanë kurrë se na kishin vrarë edhe nënën edhe babën. Se ishim fare të vegjël, mund të shokoheshim. Por unë e mbaj mend kur e mësova për herë të parë se prindërit e mi i kishin vrarë. Dy vjet pas arrestimit të prindërve të mi, shteti e internoi të gjithë fisin Ndreu. Erdhën në fshat, në Sllovë, rreth 20 kamionë dhe një batalion me policë. Kujtoj se si lanë nga një grua plakë për çdo shtëpi, që të kujdesej për pasurinë e bagëtitë, ndërsa të tjerët i tërhoqën zvarrë nëpër kamionë. Në këtë moment një nga pjesëtarët e fisit iu lut komandantit të forcave që bashkë me nusen e xhaxhait, Beshirit, të linin edhe Sokolin, tim vëlla, sepse ishte i vogël. Por oficeri i bërtiti: “Për këtë qen bir qeni po e pësoni që të gjithë”. Më bënë përshtypje këto fjalë. Teksa u nisëm, oficeri duket pati një zbutje të sjelljes dhe i zgjati Sokolit një frutë. Por ai, edhe pse vetëm 4 vjeç, e refuzoi. Ja hodhi në fytyrë. Duket im vëlla e kishte kuptuar shumë shpejt se cilët ishin të mirët dhe cilët ishin të ligët. Kështu na internuan, na çuan në Shtyllas të Fierit, ku unë mësova se mi kishin vrarë prindërit. Isha e vogël fare, në shkollën fillore, kur dëgjova për herë të parë shoqet të pëshpëritnin se unë isha ajo nxënësja e re që mi kishin vrarë prindërit, “edhe babin, edhe mamin”. Por unë nuk i besova, apo më saktë isha e rrethuar me aq shumë ngrohtësi nga njerëzit e tim eti, saqë në asnjë rast nuk e besova këtë, gjersa u rrita. Sepse sa herë që u kërkoja shpjegime ata më merrnin me të mirë dhe më bindnin se me prindërit e mi asgjë e keqe nuk kishte ndodhur.Kur u binde se prindërit e tu nuk ishin më? Pati një moment kur u binda se ata nuk ishin më. Kjo ndodhi kur kisha mbaruar shkollën 7-vjeçare dhe doja të vazhdoja më tej studimet. Kur kërkova bursë për të vazhduar studimet, sepse në Fier, në qytet, ku kishte shkolla të mesme, nuk kisha ku të rrija. Kujtoj se u nisa për në Tiranë për këtë qëllim, edhe pse e vogël në moshë. Diku, në Ministrinë e Arsimit më kthyen mbrapsht duke më thënë se bursat e studimeve i kishte Fieri. Ky ka qenë momenti kur unë e kam ndier shumë nevojën e ndihmës prindërore. Të kishin qenë gjallë, prindërit e mi do ishin kujdesur që unë të paktën të merrja arsimimin e duhur. Kështu u ktheva në Shtyllas dhe nisa të punoja fushave si bujkeshë, me kazmë, lopatë, ç’të ishte. Sepse punët më të vështira ishin për ne, të përndjekurit.Këtu jetuat deri më 1990?Jo, jo. Më 1971 u martova dhe shkova te bashkëshorti në Krujë. Ai ishte nga dera e Merlikëve, por të paktën ata i kishin triskat e frontit...çfarë ishin triskat e frontit?Pa këtë dokument nuk të fuste askush në punë...Këtu jetuat deri më 1990?Po. Në Krujë u bëra nëna e tre fëmijëve dhe kalova një pjesë të mirë të jetës. Kam vuajtur shumë sidomos me sëmundjen e njërit prej tyre. Pas 1990 zbritëm sërish në Tiranë, ku edhe kisha jetuar para se të më arrestonin prindërit. Njëkohësisht vëllai nisi kërkimin e eshtrave?Po. është marrë vazhdimisht me këtë punë. Por nuk mundi. Ai nga natyra është fjalë pak dhe unë nuk i di të gjitha. Por kam dëgjuar se në rastin e pushkatimit të nënës dhe babës sonë ka pasur një ngatërresë. Mbase sepse ata janë pushkatuar fare pa u bërë gjyqi. Pra pa u zbatuar procedurat e zakonshme. Ndërkohë në fshat, në Sllovë të Dibrës, u rregulluan edhe varrezat e familjes, u bënë ca varre të reja të pjesëtarëve të fisit. Në këtë kohë Sokolin, tim vëlla, e kanë lutur ti bënte edhe varret e Daliut dhe të Lirisë, ti bënte false, por ai ka refuzuar kategorikisht. Ka refuzuar me shpresën se një ditë eshtrat do të dalin në dritë. Prandaj edhe unë nxitova të interesohem me të dëgjuar për këtë zbulim të fundit të skeleteve. Haluci: Ka dy vjet që vijnë kërkesaAvokati i Popullit, shtohen të interesuarit për eshtratTiranë - Pas zbulimit të skeleteve të 19 të pushkatuarve nga regjimi komunist, një numër të interesuarish kanë trokitur në dyert e Avokatit të Popullit duke shfaqur interesin e tyre për eshtrat e pazbuluara të të afërmve. Sipas komisionarit të Avokatit të Popullit, Skënder Haluci, interesimi për eshtrat e të pushkatuarve të kohës së komunizmit ka nisur në rreth dy vjet më parë dhe se tashmë, në dosjet që ai ka ndërtuar, janë depozituar rreth 100 kërkesa. “Janë kërkesa zyrtare të bëra nga shoqatat e të dënuarve të kohës së komunizmit, por edhe nga familjarë të ndryshëm, që nuk kanë mundur ti gjejnë eshtrat e të afërmve”, pohoi për gazetën komisionari Haluci. Sipas të njëjtit, ankesa e parë ka mbërritur në fillim të vitit 2008 dhe është bërë nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Ky dokument është shoqëruar me një listë prej 41 emrash të të ekzekutuarve, që nuk u janë gjetur eshtrat. Por ndërkohë ka pasur edhe një numër të shtuar kërkesash nga individë të ndryshëm, të afërm të të ekzekutuarve. “Duke parë këtë numër në rritje të kërkesave, në mesin e dhjetorit të vitit të shkuar, unë i propozova, me anë të një shkrese, Kryeministri Sali Berisha, që të ngrinte një komision shtetëror për gjetjen e identifikimin e eshtrave të të pushkatuarve të komunizmit, por krerët e Avokatit të Popullit, e sabotuan këtë iniciativë”, shpjegoi komisionari Haluci një iniciativë të tijën duke demonstruar edhe dokumentin autentik. Gjithsesi, sipas tij, nisma Kryeministrore e para dy ditëve vlen të përshëndetet, pasi eshtrat e shumicës së të pushkatuarve të diktaturës ende nuk janë gjetur dhe gjetja e dhënia e tyre familjarëve është një detyrim sublim i shtetit. Dajt, disa eshtra janë zhdukurTrazhgim SokolajNdërhyrjet private të pakontrolluara mund të kenë zhdukur eshtrat e disa personave të groposur në varrezën masive në Dajt, pas ekzekutimit me vdekje gjatë regjimit komunist. Prej dy ditësh, Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet në lidhje me eshtrat e të paktën 19 vetave të gjetura në një varrezë masive në afërsi të Dajtit, duke arritur në përfundimin se në të gjithë terrenin, ka pasur ndërhyrje private që kanë tjetërsuar vendin e ngjarjes. “Shumica e gërmimeve janë bërë pa kujdes dhe me ekskavatorë, kjo mund të ketë shkatërruar eshtra të cilat nuk janë gjetur”, thanë burime të Prokurorisë. Sipas tyre, nga verifikimesh e deritanishme rezulton se të paktën prej gjashtë muajsh, në zonë janë kryer gërmime privatisht nga njerëz që kishin dyshime për varrosjen e të afërmve të tyre të ekzekutuar në Dajt gjatë regjimit komunist. “Janë evidentuar disa raste kur të afërmit e personave, kanë gjetur eshtrat në zonën në fjalë, i kanë marrë për analiza, deri edhe ekspertime të AND-së në Itali” dhe i kanë kthyer eshtrat aty”, thanë burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre ka dyshime se persona të tjerë, që kërkonin të afërmit e tyre, mund t’i kenë hedhur eshtrat e gjetura, pasi nga analizat ka dalë se nuk ishin familjarë të tyre. Mbetja njerëzore e fundit e cila është gjetur në zonën e ish-kampit të Komitetit Qendror për Kohë Lufte në Dajt, është një kafkë njeriu, e cila sipas hetuesve nuk përputhet me asnjë nga sistemet kockore të tjera të gjetura në të njëjtën zonë. Hetimi në udhëkryqProkuroria e Tiranës konfirmoi dje rreth orës 14:00 se deri në këtë kohë nuk kishte lëshuar urdhër-ekspertimi në adresë të Mjekësisë Ligjore për ekzaminime mbi eshtrat e gjetura në Dajt. Mungesa e një urdhri të tillë shpjegohet me arsyen procedurale të mungesës së një procedimi penal të regjistruar në lidhje me ngjarjen. Organi i akuzës, njoftoi se ende nuk ka vendosur të regjistrojë procedim penal për varrezën masive të Dajtit, për shkak të mungesës së elementëve të veprës penale. Asnjë prej eshtrave nuk është identifikuar ndërsa janë të paqarta rrethanat se si viktimat kanë vdekur, koha kur ka ndodhur kjo dhe mënyra si kanë përfunduar në terrenin e Komunës Qerret, në Dajt. Në mungesë të këtyre fakteve dhe rrethanave të tjera, Prokuroria tha se është ende në pamundësi për të nisur një procedim penal për shkak se ky hap kërkon patjetër referimin në një vepër penale e cila mungon deri më tani. Rrjedhimisht edhe një urdhër i pritshëm i Prokurorisë për Mjekësinë Ligjore, me qëllim fillimin e ekzaminimeve, është i pamundur të paktën për momentin. Prokuroria tha se Mjekësia Ligjore mund të vihet në lëvizje ndërkohë për të kryer ekzaminime nga kërkesa e familjarëve që pretendojnë se të afërmit e tyre të ekzekutuar në vitet e regjimit komunist janë groposur në zonën ku u gjetën eshtrat. Në këtë rast, familjarët duhet të paguajnë shpenzimet e ekspertizave. Prokuroria njoftoi se është duke parë bazën ligjore të një hetimi me qëllim identifikimin e personave, por nuk ka një vepër penale që mund ti referohet kësaj dosje penale edhe në rast hapje të saj. “Hetimet” mbi varrinProkuroria, e cila ka mbikëqyrur kërkimet dhe gërmimet e dy ditëve të fundit në zonën e varrit masiv në Dajt, tha se eshtrat e rreth 19 personave, janë gjetur në një thellësi deri tre metra. Sipas hetuesve të Prokurorisë, shumica e eshtrave kanë qenë vendosur në qese, çka konfirmon faktin e lëvizjes së tyre. Në këtë rast sipas akuzës, dy janë variantet e hetimit: groposja diku tjetër më parë dhe më pas rivarrosja e viktimave në Dajt si dhe mundësia e dytë, për të cilën ka edhe dëshmi, që tregojnë se familjarë të ndryshëm, kanë marrë eshtra nga varreza, i kanë verifikuar dhe pasi kanë dalë se nuk i përkisnin njerëzve të tyre të afërt, i kanë rikthyer sërish në të njëjtin vend.Inspektim në malin e DajtitPD: Nuk tërhiqemi nga ligji i dosjeveDeputetët e Partisë Demokratike inspektuan dje vendin ku u gjetën pak ditë më parë eshtrat e 19 të vrarëve nga regjimi komunist. Mesila Doda, Eduard Halimi dhe Genti Strazimiri panë nga afër zonën pranë Malit të Dajtit ky kishte ndodhur ngjarja. Sipas deputetit Halimi, maxhoranca nuk do të tërhiqet nga largimi nga jeta publike të zyrtarëve të lartë që kanë kryer krime në kohën e komunizmit. “Ne sot jemi këtu për t’i thënë persekutorëve, pinjollëve të tyre për t’i thënë ekzekutorëve por edhe atyre që kanë vrarë natën në këtë varr masiv dhe kanë qarë ditën me lot krokodili se, ne do të shkojmë deri në fund me çdo mjet me çdo forcë për të çuar përpara amanetin e këtyre shpirtrave të lirë dhe misionin e PD-së, që këta njerëz të mos kenë kurrë akses në jetën publike dhe të largohen një herë e përgjithmonë nga jeta publike”, tha Halimi. Ndërsa deputetja Doda theksoi se “njerëzit që kanë dhënë vendime, njerëzit që kanë vrarë, njerëzit që kanë ekzekutuar, sot nuk mund të vazhdojnë më të qëndrojnë në drejtime, nuk mund të vazhdojnë të jenë në krye të qeverisë, ky regjim duhet të marrë fund njëherë e mirë”.Odiseja në kërkim të varrit të babaitSkeletet e Dajtit i zbuloi mjeku, kërkonte eshtrat e të atitTIRANE - Një mjek kryeqytetas që kërkon eshtrat e babait të pushkatuar në mesin e viteve ’70, është autori i zbulimit të 19 skeleteve në fshatin Qerret të Dajtit. Kërkimet e tij, i cili për arsye familjare nuk pranon të identifikohet, kanë nisur shumë vite më parë dhe janë kryer në mjaft vende në zonën e Linzës, por kanë rezultuar pa sukses. Pak kohë më parë mjeku arrin të gjejë një nga ish-ushtarakët e skuadrës së pushkatimit dhe pas konsultave me të, orientohet diku pranë vendit ku u gjetën skeletet. Pasi përcakton mirë zonën ku mund të gjendej skeleti i babait, mjeku paguan një ekskavator me të nis të gërmojë. Për dy ditë me radhë ekskavatori zhvendos nga vendi një sasi të konsiderueshme dheu, por aty nuk gjendet asnjë skelet. Pas kësaj, mjeku takon sërish ish-ushtarakun i cili, i kërkon ndjesë për “ngatërresën” dhe e orienton pikërisht në vendin ku u zbuluan 19 skeletet. Sapo nis nga puna, grupi i kërkimit zbulon njëri pas tjetrit 19 skeletet, një pjesë e të cilëve gjenden të futura nëpër qese plastmasi. Në fakt, persona të tjerë pohojnë se eshtrat janë futur nëpër qese plastmasi gjatë viteve 1992-93 nga persona të tjerë që kërkonin eshtra të familjarëve të pushkatuar nga regjimi komunist. Kur nuk u rezultonin të ishin të njerëzve të tyre ata i vendosnin eshtrat nëpër qese dhe pastaj i vinin në të njëjtin varr ku edhe i gjenin. Kjo ka ndihmuar në një farë mënyrë grupin e personave që i kanë rizbuluar këto skelete për t’i rifutur nëpër qese të padëmtuara dhe për t’i përcjellë më pas drejt morgut të kryeqytetit, i cili ndodhet në të njëjtën godinë me Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku pritet t’iu nënshtrohen ekspertizave. Ende nuk dihet nëse do vazhdojnë kërkimet në këtë zonë, por sipas disa burimeve të tjera, 19 skeletet e zbuluara pak ditë më parë, ndoshta i përkasin të pushkatuarve nga regjimi komunist për krime jo politike. Të paktën burime arkivore dhe dëshmitë e shumta të ish-punonjësve të Sigurimit të Shtetit, pohojnë se zona poshtë malit të Dajtit është përdorur më së shumti nga regjimi komunist si një vend ekzekutimesh. Gjatë 20 viteve të fundit në këtë zonë janë zbuluar një numër i konsiderueshëm skeletesh, që u përkasin ish-kundërshtarëve të regjimit komunist të pushkatuar deri në vitin 1990. fa.ma.