E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, bomba e Forbes: Greqia të marrë shembull Shqipërinë

Ardit Rada

Steve Forbes, botuesi i revistës Forbes i ka sugjeruar Greqisë që të ndjekë shembullin e Shqipërisë dhe Bullgarisë për të rimëkëmbur ekonominë. Sipas tij, këto dy vende arritën ti mbijetojnë presioneve të krizës financiare dhe kjo falë taksës së sheshtë.

Në një intervistë, Steve Forbes tha se jo vetëm grekët por as shqiptarët e as bullgarët nuk kanë dëshirë të paguajnë taksa. Megjithatë, sipas tij, qeveritë e këtyre vendeve aplikuan taksën e sheshtë me 10% çka solli mbledhjen e të ardhurave dhe zhvillimin e ekonomisë.

Në fjalën e tij, Forbes kritikoi ashpër Bashkimin Evropian sipas të cilit po ndjek një taktikë të gabuar sa i përket zgjidhjes së krizës greke. Ai paralajmëroi gjithashtu se kriza do të vijojë të ketë pasoja të rënda në Greqi por dhe në vende të tjera si Italia dhe Spanja.

Revista Forbes njihet si një media që ka në fokus ekonominë por që shpesh është konsideruar si lobuese. Një vit më parë i njëjti organ deklaroi se SHBA-të mund të marrin shembull nga Shqipëria dhe se kjo e fundit është i vetmi komb në Evropë që pati një rritje ekonomike në vitin 2009.

Gjithashtu, Forbes shprehte keqardhjen që shkenca nuk ka avancuar kaq shumë që të mund të klonohet një Sali Berishë i dytë me të cilin të zëvendësohen të gjithë zyrtarët ekonomikë të qeverisë së sotme amerikane.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›