Hagë, procesi i fundit për krimet në Kosovë
Në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi në Hagë ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-gjeneralit serb, Vlastimir Gjorgjeviç. Ai akuzohet për vrasjen e qindra shqiptarëve dhe për deportimin e 800 mijë të tjerëve nga Kosova në vitin 1999. Gjyqi ndaj Vlastimir Gjorgjeviç është procesi i fundit në Hagë për rastet e krimeve në Kosovë. Gjykata pritet ta përfundojë punën deri në vitin 2012. Vlastimir Gjorgjeviç ishte këshilltar i afërt i ish-presidentit të ndjerë jugosllav, Slobodan Millosheviç, që vdiq në vitin 2006, ndërsa ishte në paraburgim në Hagë. Ai nuk i pranon akuzat për deportim, vrasje dhe persekutim. Në akt-akuzë, thuhet se ai ishte pjesëtar i një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte dëbimin e shumicës shqiptare të Kosovës për të siguruar vazhdimin e kontrollit të territorit nga Serbia. Gjyqi ndaj Vlastimir Gjorgjeviç është i pesti dhe procesi i fundit për krime lufte në Kosovë. Vendimi në një rast tjetër, atë të ish-presidentit serb, Milan Milutinoviç, dhe pesë të akuzuarve me të për krime lufte në Kosovë, pritet brenda disa muajsh. Në seancën e radhës ndaj Gjorgjeviç, ka dëshmuar edhe publicisti i njohur kosovar, Veton Surroi. Ai ka dhënë një përshkrim të detajuar të gjenocidit serb, duke filluar që nga hapat e parë të Beogradit për rrënimin e Kushtetutës së Kosovës. Ish-kryetari i partisë reformiste, ORA, ka përmendur popullimin e Kosovës me refugjatë serbë nga vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë, largimin me forcë të shqiptarëve nga puna dhe mbylljen e shkollave shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës.