USAID, udhëzues për taksat lokale
USAID prezantoi dje për krerët e bashkive "Udhëzuesin e administrimit të taksave dhe tarifave vendore". Në prani të zv/ministrit të Financave, Mima drejtoreshës së Misionit të USAID Roberta Mahoni, drejtori i këtij projekti, si dhe specialistët shqiptarë paraqitën një manual mbi tatimet, në mbështetje të reformave në administratën tatimore. "Udhëzuesi për Administrimin e Taksave dhe Tarifave Vendore" do të shërbejë si një mjet për rritjen dhe trajnimin profesional të administratorëve tatimorë vendorë dhe do të mbështesë drejtpërdrejt suksesin e reformës financiare të qeverisjes vendore. Në fjalën e saj, Mahoni njohu rëndësinë e këtij sektori, duke theksuar se procedura të qarta, veprime transparente dhe një staf profesional e me integritet janë thelbësore për administrimin e tatimeve dhe të tarifave vendore. "Qeveritë vendore që përdorin këto mjete do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime më të mira publike ndaj qytetarëve dhe do të nxisin aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe efikase si njësi moderne vetëqeverisjeje vendore", shtoi Mahoni. Udhëzuesi i mbështetur nga Ministria e Financave dhe nga Ministria e Brendshme do t‘u ofrohet të gjitha njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri. Botimi u mundësua përmes Programit të USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (LGPA), i cili punon me bashkitë për nxitjen e zhvillimit të ekonomisë vendore. Bashkitë partnere të LGPA-së janë: Fieri, Fushë-Kruja, Gramshi, Himara, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci dhe Shkodra.