E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni-Greqi, raporte acaruese

Maqedonia dhe Greqia duket se, në vend që të bëjnë përpjekje që t‘i rregullojnë marrëdhëniet e këqija mes tyre, po bëjnë të kundërtën, duke ndërmarrë veprime dhe qëndrime që i largojnë edhe më shumë nga njëra-tjetra dhe, tani, sikurse vihet në dukje edhe në qarqet politike të të dyja vendeve, marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të këqija, pavarësisht nga vërejtjet dhe kritikat e bashkësisë ndërkombëtare. Sikur puna të mbetej vetëm brenda kuadrit të marrëdhënieve dypalëshe, do të ishte gjysma e së keqes, por puna është se gjendja e nderë e këtyre marrëdhënieve reflektohet negativisht, sidomos, edhe në aspiratat integruese evropiane të Maqedonisë.

Sa për kujtesë, ishte vetoja e Greqisë që e pengoi pranimin e Maqedonisë në NATO në samitin e fundit të Aleancës së Veriut në Bukuresht, pa përmendur mundësinë e përdorimit përsëri të vetos nga ana e Greqisë për ecjen përpara të Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE, ndërsa ajo (Maqedonia) ka marrë tashmë statusin e vendit-kandidat, si dhe të krijimit të pengesave të tjera nga ana e Athinës edhe në fusha të tjera. Por, të dyja vendet fqinjë, sidomos Maqedonia, që duhet të tregohej më e përmbajtur dhe e arsyeshme, duke pasur parasysh nevojat e saj imediate euroatlantike, vazhdojnë të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe duket, sikur bëjnë garë, se kush ta irritojë dhe t‘i kundërvihet më shumë njëra-tjetrës, pa hequr dorë nga e kaluara e mbarsur me nacionalizëm dhe, si pasojë, edhe nga retorika nacionaliste.

Athina nuk e kupton logjikën politike të Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, që autostradës nga Shkupi deri në Gjevgjeli që deri tani quhej "Korridori 10", t‘i japë emrin "Aleksandr Makedonski", një veprim që e irritoi ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, shumë më tepër sesa kur ai (Gruevski) i quajti, kohët e fundit, politikanët grekë "nazistë"! Në këto kushte, shefja e diplomacisë greke paralajmëroi ditët e fundit se Athina, edhe një herë tjetër, do ta stopojë ndihmën financiare të paralajmëruar për Maqedoninë, ndërkohë që kjo e fundit, që nga viti 2003, pavarësisht nga premtimet, në fakt, nuk ka marrë qoftë edhe 1 (një) euro nga ndihmat financiare të premtuara se do t‘i jepeshin asaj përmes Greqisë. Kësaj here, fjala është për një ndihmë financiare me vlerë prej 50 milionë eurosh për ndërtimin e "Korridorit 10", që nga Serbia, përmes Maqedonisë, parashihet të shkojë deri në Greqi dhe, të cilit (korridor), pikërisht, Shkupi ia ndërroi emrin, duke e quajtur "Aleksandr Makedonski"!

"Vështirë se do të mundë të gjendet ndonjë politikan në Greqi që të dalë para Parlamentit grek dhe të kërkojë dhënien, në këto kushte, të 50 milionë eurove për autostradën në FYROM. Kurse Kryeministri Gruevski del publikisht dhe, madje, na quan edhe nazistë. Nganjëherë e kam të vështirë ta kuptoj logjikën e tij politike, se përse udhëheqësi i një vendi provokon një vend tjetër, me të vetmin qëllim që të pengojë dhënien e ndihmës financiare që i jep ky vendi tjetër?", vuri në dukje, ditët e fundit, ministrja e Jashtme greke, Bakojanis, në debatin e hapur, të zhvilluar në Qendrën Evropiane për Politikat në Bruksel. Sipas saj, përpjekjeve dashamirëse e të sinqerta të Greqisë, udhëheqja e Maqedonisë u përgjigjet me veprime armiqësore, që karakterizohen nga populizmi, nacionalizmi dhe demagogjia.

Që Greqia nuk ka ndërmend të hapë rrugë dhe të heqë dorë nga lufta e saj lidhur me atë se përdorimi i emërtimit "Maqedoni" i përket vetëm asaj dhe askujt tjetër, ndërsa dihet tashmë se edhe Maqedonia, sikurse e ka bërë të ditur, do të vazhdojë të qëndrojë me kokëfortësi në pozita krejt të kundërta, pra se armiqësia, nëse do të mundë ta quajmë të tillë, mes të dyja vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt, këtë e tregojnë dhe fjalët e znj. Bakojanis: "Pavarësisht nga vullneti ynë i mirë dhe përpjekjet e sinqerta, bisedimet për emrin kanë mbetur në qorrsokak. Greqia është shumë e shqetësuar, për shkak të monopolizimit të përdorimit të emërtimit Maqedoni në FYROM, por jo për arsye sentimentale.

Gjeografikisht, më shumë se 50 për qind e rajonit të gjerë të Maqedonisë i përkasin Greqisë, kështu që duhet të gjendet një zgjidhje që ta reflektojë këtë gjendje në terren. Ne duam një zgjidhje të përbashkët të pranueshme, pa fitues dhe humbës. Por qeveria e z.Gruevski synon të fitojë pikë politike me një populizëm miop. Vendimet e tij të fundit nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i tregojnë botës se ai (Gruevski) nuk ka besim te bisedimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin". Shefja e diplomacisë greke theksoi se Greqia ka 17 vjet që po bën lëshime dhe se ajo nuk do të pranojë asnjë emër të përbërë për vendin fqinj, ku të jetë i pranishëm nocioni Maqedoni.

Sidoqoftë, duke mos harruar se Greqia është tani kryesuese e radhës e OSBE-së, znj. Bakojanis deklaroi se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk do të jetë i plotë pa përfshirjen në të të Ballkanit Perëndimor dhe se Athina ndjen se ka përgjegjësi të madhe para vendeve fqinjë dhe se e ka për detyrë të jetë konstruktive e praktike, si dhe të mbështesë perspektivat e tyre evropiane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›