E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, debat në Parlamentin Europian



Parlamenti Europian debaton për krizën politike në Shqipëri, teksa vlerëson hapat e ndërmarra për heqjen e vizave me zonën Shengen. Një ditë para votimit të rezolutës së hartuar nga eurodeputeti Nicolas Chountis, përfaqësuesit europianë i kanë bërë thirrje maxhorancës dhe opozitës të zgjidhin krizën politike. Të djathtët kanë kërkuar konsensus nga të dyja palët, ndërsa të majtët janë shprehur se nëse nuk zgjidhet kriza, integrimi është në rrezik.
Fule
I pari që ka marrë fjalën në seancën e djeshme ku është diskutuar paralelisht për situatën në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule. "Mungesa e dialogut konstruktiv dhe kundërshtitë pas zgjedhjeve janë një shqetësim. Ata duhet të çojnë para dialogun politik konstruktiv bazuar në transparencën dhe respektimin e Kushtetutës. Vendi ka bërë progres sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por duhet të vazhdojë me zbatimin e planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet që ata që janë në pushtet dhe ata në opozitë të ndajnë përgjegjësinë", tha komisioneri i KE-së. Por në të njëjtën kohë ai ka shtuar se forcat politike duhet të shohin nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara, duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të ndodhë që ai që humbet të hedhë dyshime mbi rezultatin. "Dua që partitë politike të mos shohin në të kaluarën, por në të ardhmen dhe të sigurojnë, siç tha edhe Svoboda, që në zgjedhjet e ardhshme të mos përsëritet më e njëjta situatë, në mënyrë që pala humbëse të vërë sërish në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve".
Eurodeputetët
Pas fjalës së Komisionarit për Zgjerimin ka nisur debati mes eurodeputetëve. Eurodeputetja e djathtë, Doris Pack, tha se Shqipëria duhet të ketë një Parlament funksional dhe një opozitë funksionale, që të mund të çojnë përpara detyrat. "Ka shumë debate, shumë konflikte. Populli shqiptar kërkon paqe. Shqipëria është vend i bukur, nuk duhet të shkatërrohet në këtë mënyrë arbitrare", theksoi Pack. Ndërsa kreu i delegacionit për Shqipërinë, Eduard Kukan, vlerësoi progresin e bërë për heqjen e regjimit të vizave. Lidhur me krizën politike, ai tha se duhet të zgjidhet vetëm duke respektuar ligjet në fuqi. Nënkryetari i të majtëve europian, Hannes Svoboda, tha se "një komision hetimor duhet të jetë i qëndrueshëm në të ardhmen për të hetuar zgjedhjet. Dua që të ketë zgjedhje në Shqipëri, që të mos kontestohen nga opozita". Më i ashpër ishte eurodeputeti rumun, Viktor Bostinaru, i cili deklaroi se "zoti Berisha, në vend që të përmendni emrin tim në Parlament, ju duhet të keni parasysh se procesi i integrimit është në rrezik. Mund të ketë progres për heqjen e vizave, por kjo nuk mjafton". Megjithëse rezoluta kaloi me konsensus në Komisionin e Jashtëm, eurodeputetët e majtë dhe të ekstremit të djathtë kanë bërë disa amendamente për seancën e sotme. Në pjesën për vizat propozohet që të shtohet paragrafi që përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri mund të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave. Nga ana e tyre të djathtët ekstrem shtojnë se Shqipëria nuk është gati për heqjen e vizave dhe përmendet sërish fakti që vendi ynë është anëtar i Konferencës Islamike.

Rezoluta për Shqipërinë

• Bëhet thirrje për një zgjidhje të ngecjes aktuale politike, pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Funksionimi plotësisht i institucioneve, sidomos i Parlamentit, janë shtylla kurrizore e një sistemi të konsoliduar demokratik, një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE.
• Forcat kryesore të gjejnë zgjidhje dhe të angazhohen për një ligj të ri elektoral, i cili do të mund të garantojë transparencë të plotë të procesit të ardhshëm zgjedhor.
• Zgjidhja e kësaj krize mund të gjendet vetëm duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe me principet e transparencës.
• Pranohet përparimi i Shqipërisë në reforma, por theksohet nevoja për përpjekje të mëtejshme substanciale për të konsoliduar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë edhe një reformë të sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, që është ende një problem mbizotërues.
• Propozimi është i kushtëzuar me plotësimin e kërkesës për riintegrimin e të kthyerve shqiptarë dhe zbatimin e ligjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas Komisionit Europian, monitorimi mund të zhvillohet gjatë verës, në mënyrë që Parlamenti dhe Këshilli mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të 2010-ës.

Debatet në Parlamentin Europian

Stefan Fule (Komisioneri i Zgjerimit): Mungesa e dialogut konstruktiv dhe kundërshtitë pas zgjedhjeve janë një shqetësim. Ato duhet të çojnë para dialogun politik konstruktiv bazuar në transparencën dhe respektimin e Kushtetutës. Vendi ka bërë progres sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, por duhet të vazhdojë me zbatimin e planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet që ata që janë në pushtet dhe ata në opozitë të ndajnë përgjegjësinë.
Libor Roucek (eurodeputet i majtë): Përshëndes propozimin e Komisionit dhe pres që edhe kushtet e tjera të përmbushen, në mënyrë që të mbështesim heqjen e vizave afatshkurtra. Partitë politike të marrin përgjegjësitë dhe të gjendet zgjidhja për reformën zgjedhore. është bërë pak progres në çështjen e pronës si dhe mbetet problem korrupsioni.
Eduard Kukan (eurodeputet i djathtë): Në Shqipëri është bërë progres i madh për sa u përket çështjeve teknike për liberalizimin e vizave. Por nëse nuk funksionojnë institucionet demokratike, do jetë e vështirë të përparohet drejt integrimit. Ka disa çështje politike që nuk janë zgjidhur akoma. Ato do të zgjidhen vetëm nëse ligjet që janë në këtë vend do të respektohen.
Hannes Svoboda (eurodeputet i majtë): Një komision hetimor duhet të jetë i qëndrueshëm në të ardhmen për të hetuar zgjedhjet. Dua që të ketë zgjedhje në Shqipëri, që të mos kontestohen nga opozita.
Nikolas Chountis (raportuesi për Shqipërinë): Qëndrimi i Komisionit Europian dhe i PE-së është shumë i afërt. Ne duhet t'i nxisim për të kapërcyer problemet. është e lehtë që t'i identifikojmë problemet, çështja është si t'i ndihmojmë për t'i kapërcyer.
Viktor Bostinaru (eurodeputet i majtë): Zoti Berisha, në vend që të përmendni emrin tim në Parlament, ju duhet të keni parasysh se procesi i integrimit është në rrezik. Mund të ketë progres për heqjen e vizave, por kjo nuk mjafton.
Kristian Vigenin (eurodeputet i majtë): Duhet gjetur një zgjidhje për t'i dhënë fund krizës politike, në mënyrë që të zhbllokohet procesi i integrimit. është përgjegjësia jonë që të propozojmë një marrëveshje për opozitën dhe maxhorancën. Shpresoj që dy forcat kryesore do të bashkohen për të gjetur një zgjidhje për Shqipërinë.
Stefan Fule (Komisioneri i Zgjerimit): Dua që partitë politike të mos shohin në të kaluarën, por në të ardhmen dhe të sigurojnë, siç tha dhe Svoboda, që në zgjedhjet e ardhshme të mos përsëritet më e njëjta situatë, në mënyrë që pala humbëse të vërë sërish në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›