E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pjerin Ndreu kandidat për kreun e PS-së së Tiranës, Rama e Blushi përplasen në Kryesi



Erald Kapri

Mbledhja e djeshme në orët e pasdites të Kryesisë së Partisë Socialiste ka kaluar me debate mes anëtarëve. Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh për të diskutuar në lidhje me procesin zgjedhor për rinovimin e degëve të partisë në të gjithë vendin. Në kryesi kishin mbërritur të gjitha propozimet e ardhura nga baza socialiste për kandidatët, për krerë të partisë në rrethe, por në mbledhjen e djeshme, mjaft prej këtyre kandidatëve u rrëzuan nga shumica e kryesisë. Shumica e anëtarëve të kryesisë, vendosën që mjaft prej kandidatëve në rrethe të mos jenë pjesë e procesit zgjedhor ndonëse ishin propozuar nga baza. Në këtë pikë, anëtari i kryesisë Ben Blushi kërkoi që kandidatët e propozuar nga baza të mos u hiqet e drejta për të kandiduar por që të gjithë së bashku, t'i nënshtrohen votimit në bazën socialiste. Ky propozim i Blushit, i cili u mbështet nga disa anëtarë të tjerë, u rrëzua me shumicë votash në kryesi, çka krijoi edhe debatin më të nxehtë mes anëtarëve, në veçanti mes Blushit e Ramës. Konkretisht Ben Blushi kërkoi të gjithë kandidatët e propozuar të bëhen pjesë e garës, dhe që kryesia të mos përjashtojë askënd. Ndërkohë nga burime pranë Kryesisë së PS-së mësohet se për degën më të rëndësishme të vendit do të ketë vetëm dy kandidatë. Ata do të jenë ish-Drejtori i Policisë Pjerin Ndreu si dhe Bledar Doracaj. Kreu aktual i PS-së së Tiranës Besnik Baraj nuk është përfshirë në listat e kandidatëve pasi është zgjedhur deputet. Duket se kandidatura e ish-drejtori të Policisë, Ndreu ka mbështetjen e kreut të PS-së, Edi Rama. Prej kohësh Ndreu është afruar në Partinë Socialiste ndonëse pas largimit nga drejtimi i Policisë së Shtetit, ai u afrua në strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por që më pas do të kalonte të militonte në Partinë Socialiste. Në mbledhjen e djeshme u bënë të ditura të gjitha kandidaturat e ardhura nga 36 rrethet e vendit, të cilat ishin propozuar nga baza e partisë. Në mjaft prej këtyre degëve ishin propozuar një numër i caktuar kandidatësh për të drejtuar degën pas zgjedhjeve. Por shumica e kryesisë vendosi që mjaft prej tyre, ndonëse të propozuar nga baza, nuk do të lejohen që të marrin pjesë në konkurrim. Në këtë pikë disa anëtarë kryesie kërkuan më shumë shpjegime por shumica e kryesisë mori vendimet përkatëse. Zgjedhjet në të gjitha degët e PS-së pritet të mbahen këtë të diel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›