E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laboratori pa shtëpi,objektet në pritje të “platformës”



alma mile

U bënë ca javë që Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit, nën varësinë e Qendrës Studimore Albanologjike, nuk ka më një çati. I vendosur për rreth 20 vjet në një prej ndërtesave karakteristike dykatëshe, pranë qendrës së Tiranës, dikur pronë e Toptanëve, kishte ardhur momenti që laboratori të zhvendosej që aty. Prej 7 vitesh ndërtesa, në rrënim e sipër, u ishte kthyer pronarëve të ligjshëm, familjes së Libohovitëve, të cilët së fundi kanë kërkuar me ngulm zbrazjen e pronës së tyre. E prej disa javësh, dyert laboratorit janë mbyllur. Dy punonjësit e vetëm të tij po merren me ca “punëra” në institucionet me të cilat bashkëpunojnë, ndërsa të gjitha materialet kanë mbetur atje. Sipas drejtorit të QSA-së, Ardian Marashi, Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit do të jetë në varësi, ose të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ose Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Sipas tij, është e pamundur që ky laborator të menaxhohet nga Qendra, në një kohë që MTKRS disponon të gjitha potencialet për ta administruar atë. Marashi thotë se momentalisht QSA ka një bashkëpunim mjaft të mirë me MTKRS-në dhe me një “kontratë” të favorshme, punët do të shkojnë më së miri. “Shpresojmë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt, pasi bën pjesë në platformën për reformimin e administrimit të institucioneve që kanë si detyrë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, thotë Marashi, teksa shton se kjo platformë po diskutohet qysh në fundvitin e shkuar. Sipas shefit të Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, Frederik Stamati, fati i këtij institucioni është duke u diskutuar. Ende nuk dihet se pjesë e cilës strukturë do të jetë ai. “Ne kemi propozuar krijimin e një Laboratori Qendror të Restaurimit nën Institutin e Trashëgimisë Kombëtare, për ngritjen e të cilit është propozuar edhe një platformë nga ana e Neritan Cekës. Sipas propozimit tonë, laboratori duhet të pajiset me infrastrukturën e duhur, me qëllim që aty të kryhen analizat kimike e fizike, të cilat deri më sot i kemi kryer në bashkëpunim me Fizikën Bërthamore, apo jashtë vendit. Të gjitha këto janë të nevojshme për t’i paraprirë restaurimit të objekteve, afreskeve, mozaikëve, strukturave të kishave, përllogaritjen e lagështisë dhe temperaturës”, shpjegon Stamati. Sa i përket vendndodhjes së laboratorit, sipas Ardian Marashit, mendohet që ai të jetë në ambientet e ish-Kinostudios, pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por në lidhje me këtë, Stamati, i cili drejton laboratorin prej shumë vitesh, thotë se ambientet ku do të vendoset laboratori, duhet të jenë të përshtatshme. Nuk mund të jenë bodrume apo bimsa, pa dritë natyrale, për shkak se laboratori përmban kimikate e lëndë, që nuk mund të ruhen në këto kushte.
Por deri sa të vendoset për varësinë e laboratorit dhe vendndodhjen e tij, duket se do të kalojë një kohë jo e vogël, në një kohë që numri i objekteve në pritje të restaurimit është shumë i madh. Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit është i vetmi në llojin e vet në Shqipëri. Vetëm me dy punonjës dhe një buxhet të papërfillshëm, ai ka përballuar gjithë volumin e punës, për restaurimin e objekteve të fondit të Institutit të Kulturës Popullore, të arkeologjisë dhe të muzeve. Aty restauroheshin që nga metalet, tek druri, tekstilet, qeramika. Me gjithë kushtet modeste, prej punës së bërë në këtë laborator i kanë shpëtuar shkatërrimit përfundimtar mijëra monedha, qindra objekte qeramike, armë të ftohta, shpata e thika, objekte të rralla si mburoja, rrota e qerres, apo sandalet e gjetura në Apoloni. Objekte, që bartin me vete histori, që lidhen me personazhe të rëndësishme të historisë, që nga Skënderbeu, Sulltan Bajaziti, Ali Pashë Tepelena, Edith Durham, Bajroni, etj. Ky bllokim pune do të zgjasë radhën e objekteve në pritje, madje do të ketë edhe nga ato që gjatë kësaj pritjeje mund edhe të mos kthehet më.

E gjithë trashëgimia në një institut

Një institucion i vetëm do të menaxhojë gjithë trashëgiminë kulturore materiale shqiptare. Fillimisht u propozua që Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Parqet Arkeologjike, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore si dhe disa muze arkeologjikë dhe kombëtarë do të mblidhen nën një çati nën emrin Instituti i Trashëgimisë Kombëtare. Por duke marrë parasysh oponencën e specialistëve të fushës, duket se nga kjo çati do të dalë më vete Instituti i Monumenteve të Kulturës. Vetëm pak kohë më parë, arkeologu Neritan Ceka, mbështetur nga Apollon Baçe, tanimë drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës paraqitën në MTKRS një platformë për reformimin e sistemit të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet riorganizimit të institucioneve të saj. Sipas realizuesve të kësaj platforme, mendohet që të menaxhohet më mirë trashëgimia kulturore, të mund të mbahet nën kontroll e gjithë problematika dhe të ndryshojë raporti mes administratës dhe punonjësve teknicienë, të cilët momentalisht, sipas tyre janë në raportin 90 me 10%, çka ka sjellë dhe pamundësinë e mbulimit të të gjithë problemeve që paraqesin monumentet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›