E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, depozitat në banka për 3 muajt e parë bien me 7%

Nga Fitim Zekthi

Depozitat e qytetarëve shqiptarë në bankat në vend kanë nisur që prej vitit të kaluar të ulin ritmin e rritjes së tyre për të mbërritur në të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti, kur ato shkuan në 7% më pak se sa vitin e shkuar në të njëjtën kohë. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave thanë dje se depozitat e shqiptarëve në banka vitin e kaluar ishin 2% më të larta se sa ato ishin në viti 2007, ndërkohë që në vitin 2007 ato ishin 10% më të larta se sa ishin një vit më parë. Të dhënat zyrtare thanë se tre muajt e parë të këtij viti ishin edhe muajt më të këqij sa i takon depozitave të shqiptarëve në bankat e nivelit të dytë. Gjatë këtij tremujori ato kanë rënë me 7% në krahasim me vjet në të njëjtën kohë. Rënia e disa prej treguesve kryesorë të ekonomisë së vendit, ku përfshihen rënia e shitjeve, rënia e prodhimit dhe ajo e eksporteve, rënia e dërgesave të emigrantëve janë disa prej shkaqeve kryesore të përkeqësimit të gjendjes së depozitave, të cilat nga ana e tyre thjesht bëhen në këtë rast pasqyrë e efekteve të krizës në ekonomi. Me fjalë të tjera, depozitat kanë nisur të bien gradualisht për të kapur nivelin e ulët të tre muajve të fundit të këtij viti, për shkak se qytetarët kanë shumë më pak pará se sa kishin ose arrijnë të kenë në një muaj. Legjislacioni fiskal nuk ka ndryshuar në mënyrë që të nxisë konsumin dhe kjo mund të jetë një arsye për rënien e depozitave. Kjo shihet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave për konsumin, ku ai jo vetëm që është rritur në mënyrë të ndjeshme, por edhe në shumë zëra ka rënë. Niveli i normave të interesit nuk ka rënë, në mënyrë që të shkurajonte qytetarët dhe të bënte që ata të ulnin nivelin e depozitave. Arsyet bazë të rënies së nivelit të depozitave kanë të bëjnë me përkeqësimin e gjendjes dhe të treguesve ekonomike në vend. Ky në fakt do të shërbejë edhe vetë nga ana e tij si një element që do të ndikojë në ekonomi duke ndikuar drejtpërdrejt në kreditimin e ekonomisë. Rënia e depozitave do të ulë edhe kreditimin, pavarësisht se aktualisht ky portofol është shumë i qëndrueshëm. Qeveria shqiptare po arrin me anë të emetimit të vlerave të larta të bonove të thesarit, të cilat vetëm për muajt e parë të këtij viti shkuan në mbi 900 milionë euro, të mund ta ruajë në gjendje të mirë sistemin bankar në lidhje me depozitat. Qeveria ka rritur kërkesën për pará dhe ka rritur për pasojë edhe normën e interesit, por kjo gjë, ndonëse rëndon buxhetin për shkak të kostos së parasë, ndihmon bankat dhe nivelin e depozitave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›