E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria do të aplikojë për statusin e kandidatit të BE më 28 prill

Nga Gjergj Erebara, Balkan Insight

Qeveria shqiptare pritet të aplikojë për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian më 28 prill, thanë burime nga Tirana dhe Brukseli.

“Kërkesa formale për statusin e kandidatit pritet të dorëzohet pranë presidencës çeke të BE, mundësisht përpara fundit të këtij muaji”, - thanë burime nga Parlamenti Evropian gjatë javës që shkoi.

Data është konfirmuar gjithashtu për Balkan Insight nga një burim qeveritar në Tiranë.

“Qeveria do të dorëzojë kërkesën më 28 prill”, - tha një zyrtar i lartë shqiptar në kushtet e anonimatit.

“Kryeministri, Sali Berisha, dëshiron të surprizojë shqiptarët me këtë rast”, - shton ai.

Kroacia, Maqedonia dhe Turqia janë tashmë vendet kandidate, ndërsa pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor janë klasifikuar si kandidate potenciale.

Mali i Zi ka aplikuar për statusin e kandidatit dhjetorin e kaluar, por Podgorica po pret akoma për lëvizje të mëtejshme në këtë drejtim.

Tirana ka shprehur dëshirën për të aplikuar për statusin e vendit kandidat që në fillim të këtij viti, megjithatë, shumë zyrtarë të BE u shprehën kundër një lëvizjeje të tillë duke kërkuar nga qeveria të rishikonte disa faktorë përpara kësaj.

“Zgjedhjet parlamentare, në fund të qershorit, do të jenë një test kritik për maturimin demokratik të Shqipërisë dhe një vlerësim për zgjedhjet, nëse ato do jenë të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet dhe angazhimet ndërkombëtare, do të ketë impakt dhe në vlerësimin që Bashkimi Evropian do i bëjë kërkesës së Shqipërisë për të vazhduar më tej”, - tha Helmut Lohan, kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, gjatë një interviste me televizionin “Vizion Plus”.

“Por në fund, sigurisht që është në dorë të qeverisë shqiptare që të vendosë se kur është koha më e përshtatshme për të aplikuar dhe në të gjitha rastet, qeveria shqiptare ka deklaruar se do e bëjë këtë në konsultim me vendet anëtare të BE dhe me Komisionin Evropian”, - shtoi ai.

Formalisht, çdo vend, madje dhe Ukraina mund të aplikojë për statusin e kandidatit, por zyrtarët e BE argumentojnë se Shqipëria duhet të testojë ambientin politik brenda BE, përpara se të aplikojë.

Sipas ekspertëve të BE, ky nuk është momenti i përshtatshëm për të dërguar kërkesën për statusin e kandidatit në Bruksel.

Në qershor, evropianët do të votojnë për parlamentin e ri. Në shtator, gjermanët do të votojnë për qeverinë e re dhe kancelarja aktuale deklaroi para pak javësh se “Evropa duhet të konsolidohet, përpara se të zgjerohet më tej”.

Por, pavarësisht këtyre problemeve, burimet diplomatike në Tiranë thonë se qeveria ka arsye të mira për të besuar se presidenca çeke do të trajtojë këtë çështje në mënyrë miqësore.

Ndërkohë, opozita në Shqipëri po e akuzon qeverinë se po përdor aplikimin për të fituar suport për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Shumë zyrtarë të BE e kanë bërë të qartë: Shqipëria duhet të punojë për zgjedhjet, përpara se të aplikojë, por qeveria nuk do ta dëgjojë këtë”, - tha deputetja socialiste dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›