E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një befasi e bujshme botuese: 28 vëllime të Veprës së Dr. Samimit!

Nga Besnik Dizdari

“Nëna Kosovë“ dhe Letra e Naim Kryeziut

“… Aty gjejmë themelet më të forta të qënjes s’anë kombëtare dhe të gjakut Arbënor…. Veçanërisht ata të maleve dhe të bjeshkave dalloheshin me një herë si simbolet e fisnikërisë dhe të origjinalitetit të racës arbërore. Trup të gjatë, supa të gjërë, krahëror burrash, eshtra të forta, flokë të verdhë dhe kaçurrela, dhe veçanërisht sy të kaltërt plotësonin veçoritë kryesore të tipit indogjerman. U përngjisnin malësorëve t’anë shkodranë. Kishin një pamje athletike, të shkathët e të çelët… Ishin me të vërtetë si një përmendore shëndeti. Në ata ndriçon jeta, qesh shëndeti dhe valon burrërija”.

Edhe për këto radhë do t’i vinte dënimi i pamshirshëm protagonistit tonë. Pa mbërritur mirë 15 dhjetori i 1944 dhe Vasfi Samim Visoka arrestohet! Krimi? Edhe libri "Nëna Kosovë" dhe një shkrim përmes të cilit ai kishte kërkuar më 1944 bashkim, pajtim. Edhe vetë përgjegjësia në shërbim të zhvillimit kulturor të popullit.

Profetike fjalët e tij në gjyq: “Zoti prokuror, ke vënë gjyslykë të zeza, hapni dritaret e zemrës të shihni dritën e diellit… Unë librin “Nëna Kosovë” e kam shkruar me plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë e përmbajtjes së saj e kam shkruar si shqiptar dhe ka një stil human”.

Po kush dinte të shihte dritën e diellit? Ishte gjyqi i famshëm i “armiqve të popullit”. Në krye të trupit gjykues ishin emrat e vetë udhëheqësve komunistë shqiptarë: Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Hysni Kapo… Ndërsa emrat e “armiqve” ishin histori e pafund: Fejzi Alizoti, Aqif Përmeti, Terenc Toçi, Bahri Omari, Kol Tromara, Xhevat Korça, Ibrahim Biçakçiu, Koço Kota, Gjergj Bubani, Mihal Zallari, Zenal Prodani, Vasfi Samimi, Dik Cami, Teufik Mborja, Lazër Radi, Rrok Gera, Mihal Sherko, Manush Peshkëpia, Jakov Milaj, Ihsan Libohova, Emin Toro…

Tre vjet burg edhe për Dr.Samimin! Vuan 1.5 vjet dhe vazhdon me kusht në fermën e Sukthit e të Xhafzotajt. Ia kanë nevojën, por kurrë nuk ia japin atë që i takon. Bashkëthemelon Zootekninë e Shkodrës, është specialist, por nxiton plot pasion të shkojë e të punojë me krahë te ndërtimi i Stadiumit të Shkodrës dhe për ironi të fatit të shpallet dy herë sulmues. Gjendet në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës e prej tij mbërrin gjenetikë, praktika blegtorale, tekste mësimore, manuale, gati 30 tituj. Ndërsa artikujt gati mbërrijnë njëmijëshin! Gjithçka përmes një lufte e një modestie deri në sublim. Luftë prej pushtetit, luftë prej kolegëve të paaftë, madje edhe luftë prej atyre që e quanin anti Lisenko! Dhe Vasfi Samimi me çantën e tij të vjetër prej lëkure të mbushur me libra, tek zbriste përditë nga Kamza dhe i drejtohej me hapin e tij të ngadalshëm rrugës së Pazarit të Ri, shpesh i shoqëruar nga të rinj përparimtarë, studentë e miq, nxënës e njerëz të etur për dije. I heshtur në mjedisin e tij intim thotë: "Më duan njerëzit e thjeshtë, me ata flas shtruar dhe ata më dëgjojnë me interes të madh”.

Kurse te disa të tjerë shfaqej ai që quhej krimi i tij: libri "Nëna Kosovë". Gjithë jetën i munduar prej një vepre të madhe atdhetare!

"Unë librin "Nëna Kosovë" e kam shkruar plot ndërgjegje dhe përgjegjësinë për përmbajtjen e tij e marr vetë. Këtë libër e kam shkruar si shqiptar dhe ka një stil human".

Me vështrimin e tij krenar që nënkuptonte një sfidë të pashembullt ai ia drejtonte këto fjalë inkuizitorit në sallën e gjyqit. Kanë mbetur ashtu si dhe të tjera të skalitura në veprën e Dr.Vasfi Samimit.

Autori i këtij libri është me fat. Ma ka dhënë me dorën e tij një kopje të rrallë të librit “Nëna Kosovë”, asokohe kur ky veprim përbënte rrezik të madh. Kur ia kam kthyer librin kemi biseduar gjatë. Ai dëgjonte. Kishte një aftësi origjinale për të të dëgjuar, madje dhe për të kundërshtuar gjithnjë përmes një buzëqeshje pak ironike por gjithsesi tejet miqësore. Kështu, me një qetësi olimpike edhe kur dikush i tregonte se si një disertacion i tij ish përdorur si plagjiaturë prej një tjetri, edhe se si dikush bëri të tijin një studim sportiv a diçka tjetër. Vetëm "Nëna Kosovë" nuk prekej prej askuj sepse ajo ishte "corpus delictum" e askush nuk guxonte t'i afrohej. Ndërsa ai ua jipte miqve të tij. Kësisoj, ndonëse në Bibliotekën Kombëtare e kish zënë pluhuri në fondin e librave të ndaluar, "Nëna Kosovë" prapseprap kishte gjetur mënyrën për t'u lexuar...

Vetvetiu prej "Nëna Kosovë" që mirëfilli nuk ka lidhje me sportin, gjej filozofinë edhe sportive të Dr.Samimit të "Kombit që di të ruajë qënien e tij fizike". Madje humane dhe sportive njëkohësisht. Se sporti më shumë se gjithçka është humanizëm.

Në Arkivin e Dr. Samimit gjetëm një letër të rrallë, e zverdhur nga koha natyrisht, e shkruar me një kaligrafi tejet elegante dhe me një gjuhë që të befasonte. E shkruante Naim Kryeziu, futbollisti i famshëm i Sportklub Tiranës dhe kampioni me klubin italian Roma, një nga lojtarët themelues të Kombëtares së Shqipërisë më 1936, për fat nga Gjakova e Kosovës, të cilin Tirana, ashtu si dhe shokun e tij po aq të famshëm, Riza Lushta nga Mitrovica, e kishte bërë bir të saj. Eshtë një letër prej së cilës, përveç të tjerave, kuptojmë qytetarinë, kulturën, po dhe atdhetarinë e një Naim Kryeziu. Siç del nga letra, Dr. Samimi i kishte shkruar një letër përgëzuese yllit të Sportklub Tiranës, Kryeziut, tash titullar i klubit Roma, për sukseset që ai arrinte në Kampionatin e Italisë. Dhe Kryeziu i përgjigjet me letrën e tij të një mirënjohjeje të rrallë, prej së cilës ne kuptojmë edhe një herë se çka qe Dr. Samimi. Kjo është fjalë për fjalë dhe germë për germë letra e plotë e 22 vjeçarit Naim Kryeziut:

“I nderuemi Dr. Samim!

Ka kohë që nga ju pata rasën të marr nji letër e cila më gëzoj shumë, së pari për mirëshëndetin tuej dhe së dyti si nji sportist me kulturë patët mundsinë me më kujtue këtu larg atdheut t’im të dashtun Shqipni.

Personin tuej e kamkçmue gjithmonë si në fusha sportive ashtu dhe culturale. Do të kisha qenë shumë mâ i kënaqun sikur un të bâjsha pjesë në shoqninë tuej mendore në mënyrë që - me anën e këshillave tua – të plotsojsha sa mâ mirë detyrat e mia kundrejt shoqnisë dhe atdheut. Fatëkeqsisht pozita e juej nuk më lejonte të ishim gjithmonë afrazi. Më duket vehtja e lumtun që kur nji njeri i kulturuem si ju merr gjithmonë inisjativa tue më këshillue me anë letrash, këshilla këta që më mësojnë si me sigurue avenirin t’im dhe si un të mundem që të paktën me anën e sportit të përfaqsojë emnin e nanës s’onë Shqipni!

Përfundoj me shumë të fala.

Naim Kryeziu

Romë me 10-IV-1940”

... Shqiptari Islam Çupi – më i madhi gazetar sportiv i Turqisë

Mbasluftës, mbas burgimit, Dr. Vasfi Samimi mbeti pedagogu dhe shkencëtari i blegtorisë, gjithnjë në rreshtin e parë të punëtorëve më të mëdhenj të blegtorisë. Jo i presidiumeve dhe as i tribunës qendrore të Stadiumit Kombëtar, për ndërtimin e të cilit kishte propozuar qysh në fillim të viteve ’30. “Nëna Kosovë” dhe burgimi i shfaqeshin gjithnjë si pengesa e madhe herë me të butë e herë me të egër, herë në skenë e herë në mbrapaskenë, dhe gjithnjë për t’i kujtuar se deri ku ai e kishte cakun.

Në lëvizjen sportive shqiptare tash thuajse nuk i lihet aspak vend. Kjo ndoshta, ngaqë sporti, sidomos në diktaturë, është sferë e kulturës dhe kultura sferë e politikës dhe e edukimit komunist të masave. Nuk thirrej, nuk zinte asnjëherë as dhe tribunën apo podiumin më të thjeshtë të sportit kombëtar edhe nëse festohej përvjetori i 17 Nëntorit apo Sportklub Tiranës së tij, së cilës ai i kishte blatuar fizikun dhe shpirtin e tij. Nuk thirrej as në takimet apo mbledhjet dhe veprimtaritë e asaj që quhej BFSSH, fantazma e Komitetit Olimpik, prej përmendjes të të cilit Regjimi frikësohej.

Jo, jo! Tash ai ishte thjesht një Dr. Samim, thjesht një tifoz i heshtur i Sportklubit dhe në atë luftë shpesh përtej kufijve, midis Tiranës e Partizan - Dinamos qeveritare, nga ana tjetër, ai revoltohej për padrejtësitë dhe këtë natyrisht e shprehte në biseda me një kthjellësi e kompetencë absolute. Nuk fliste thuajse fare për karrierën e tij sportive, ndonëse nuk ishte pak të arrije deri te Fenerbahçe e Stambollit qoftë edhe e viteve '20. Gjithnjë te sportisti e tërhiqte fort ana funksionale, si të thuash ajo biologjike. Komentet e tij ishin edhe për regjimin jetësor, stërvitor, të ushqyerit e sportistit.

Nuk mund të them se Dr.Samimi ishte një spektator i rregullt i stadiumeve, i ndeshjeve, ndonëse në evenimentet ai ishte gjithnjë i pranishëm. Veçse nga ana tjetër ai ishte një ndjekës i përditshëm i sportit edhe kur fizikisht nuk ndodhej në stadium.

Jam befasuar për herë të parë kur në "studion" e tij si të shtëpisë si të një rilindasi, ai do të më tregonte një libër të lidhur prej tij, afër nja 80 faqe për ndeshjen Turqi - Shqipëri (2-1) të Stambollit më 1971. Një befasi e vërtetë! Ia kishin sjellë gazetat turke dhe përmes shfletimit të tyre, përkthimit të artikujve, një analize mjaft origjinale, ai në të vërtetë kish ndërtuar një libërth, publicistikë e vërtetë sportive e një vlere të pazakontë.

XXX

E rishfletoj sot mbas gati dyzet vjetëve edhe një herë. E mrekullueshme!

Papritmas më përshkon një gëzim fëmije teksa bëj një zbulim gazetarije që më emocionon. Përveç të tjerave Dr.Samimi merret jo pak me shkrimin e gazetës “Terxhuman”. Dhe asgjë nuk mund t’i kalojë këtij njeriu të jashtëzakonshëm.

“Autori, - shkruan Dr.Samimi për shkrimin e gazetës “Terxhuman”, kushtuar ndeshjes Turqi– Shqipëri, ka një emër që tingëllon afër: Islam Çupi”. Shkruan fjalë për fjalë Dr. Samimi në këte këte kalim befasues kritik të tij për Çupin:

“Në mes të shumë shkrimeve të tjera një firmë në gazetën "Terxhuman" dallohet me një karakteristikë jashtëzakonisht interesante për reportazhet e futbollit. Këtu kemi të bëjmë me poezi, me art, me dijetar dhe me artist modern. Përkthimi i këtyre përshkrimeve interesante dhe origjinale që disa herë fërkohen me kufirin e izmave: kubizëm, fytyrizëm, syrealizëm etj. etj., megjithë që janë të bukura e bëjnë njeriun të qeshi, sepse shkrimtari i përmbys idetë së bashku me frazat. Vetëm ata që mërziten nga artikujt e zakonshëm për kuriozitet mund të lexojnë këtë autor që ka qëndisur me kaq merak ndeshjen. Dhe autori ka një emër që tingëllon afër: Islam Çupi. Duke marrë parasysh se qëllimi ynë këtu nuk është origjinaliteti, por më tepër eksperienca nga pikpamjet teknike taktike, besojmë se është rasti ta kapim e ta kapërcejmë këtë autor origjinal e dashamirës të futbollit që ka një element për skuadrën tonë: e çmon, e vlerëson dhe shpeshherë e gjen më mirë se sa skuadra kombëtare turke”.

Siç kam shkruar në librin “Kupa e Evropës II” 2008, Islam Çupi është i biri i Allaman Çupit, oficerit të gardës mbretërore që u largua nga Shqipëria me Mbretin Zog, duke marrë me vete në atë prill 1939, edhe shtatëvjeçarin Islam Çupi, i cili sot konsiderohet gazetari më i madh sportiv i Turqisë. Islam Çupi kishte lindur mu në Tiranën e Dr.Samimit! “Çupi ka një simpati për skuadrën tonë”, shkruan Doktori më 1971. Ishte simpatia e shqiptarit për Shqipërinë. “Shëndeti futbollistik i skuadrës shqiptare, rritej vazhdimisht”, shkruante Islam Çupi më 1971, - dhe ata zbatonin një metodë të mirë, sepse sikur e zgjeronin fushën”.

Islam Çupi është ndarë nga jeta papritmas më 2001 dhe për të kuptuar lexuesi se çka qe ai në gazetarinë sportive të Turqisë, po shkëpusim këte përcaktim që i ka bërë shtypi turk në vitin e ndarjes së tij nga jeta:

“Të bëhesh si Islam Çupi. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë, qëllimi kryesor i të gjithë shkrimtarëve të rinj sportivë. Mes tyre kishte gazetarë të mëdhenj, të famshëm, madje edhe drejtorë, por asnjeri nuk u bë dot Islam Çup…. Islam Çupi ka një mënyrë të veten të të shkruariut të sportit dhe të futbollit. Mënyra e tij e të shruarit vërteton shprehjen “Futbolli nuk është vetëm futboll”. Nuk lexohet vetëm për analizat rreth lojës dhe mjediseve, por edhe sepse shkrimet e Çupit kanë dhe letërsinë mbrenda. Çupi është një shkrimtar që punon për t’i bashkangjitur futbollit dhe vlerën estetike…. Fitoi vende të para në konkurset e zhvilluara nga Unioni i gazetarëve dhe nga Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Turqisë (qe president i saj). Gjatë jetës së tij, ai mori edhe 26 tituj në fusha të tjera… Fliste mjaft mirë frëngjishten. Me një inteligjencë të lartë, me një turqishte të pastër dhe me shembujt e tij, Çupi bëri që profesioni i gazetarit sportiv të respektohej. Përveç gazetarit sportiv, në sytë e atyre që e donin, Çupi ishte edhe një pedagog letërsie. Baba Haki, një tifoz i Besiktasit e ka cilësuar Islam Çupin si “Balzaku i sportit”, ndërsa Suleyman Seba i ka dhënë titulli “Princi Shqiptar”. Duke qenë futbollist në rini, pra ardhja nga fushat e futbollit i ka bërë më të besueshme shkrimet e tij, ndërsa dashuria e madhe e tij për Fenerebahçen, e ka ndihmuar fort Çupin në shkrimet e tij…. U largua nga kjo botë. Iku. Drejt pavdekshmërisë”.

Presidenti i sotëm i Komitetit Olimpik të Turqisë, Togay Bayatli, gazetar i famshëm nga profesioni, deri para pak vitesh president i AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv) më ka pohuar se Islam Çupi konsiderohet si gazetari më i madh sportiv i Turqisë në gjithë dekadat e fundit dhe se ishte krenuar me shqiptarësinë e tij. Gati 40 vjet më parë, Dr.Samimi pa e ditur se kush qe Islam Çupi, “me një emër të afërt”, siç e shkruan me gëzim, megjithate merrte me mend se ka zbuluar që ka të bëjë të paktën me një njeri me origjinë shqiptare, e Islam Çupi kishte lindur mu në Tiranën e Dr.Samimit!

Mbas katër dekadave falë Dr.Samimit zbuloj pendën e një Islam Çupi, në kërkim të të cilit si gazetar ka kohë që jam…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›