Të ashtuquajturit intelektualë dhe frika e tyre e nënvetëdijshme
Në fakt, shtysë për këto radhë u bë leximi i një libri të R. Aron “Opiumi i intelektualëve”, i botuar në vitin 1955 dhe i ribotuar në vitin 1999, i bashkuar me disa ngjarje në Shqipëri, por edhe në Korçë, ku një miting elektoral me të rinjtë u organizua duke vënë në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore dhe administrative, të cilat urdhëruan me detyrim të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave publike të mbushnin pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, të shtunën, më datën 11 prill 2009.
“E djathta”
E djathta në Shqipëri mund të ekzistojë si frymë, por nuk ekziston më e strukturuar në formacione politike. Grupimi i djathtë, që u krijua si një koalicion antikomunist, është tashmë një formë e vjetruar e partive të sklerotizuara nga mungesa e debatit, kompromisit, parimeve demokratike dhe vlerave. Nga ana tjetër, përbërja e tij thelbësore apo vendimmarrëse në shumicë nga ish-komunistë apo njerëz pa kulturën e nevojshme politike, edhe kur janë të rinj apo jo-ish-komunistë, ka formatuar tashmë një forcë politike që vihet në lëvizje nga urdhrat vertikalë të njëshit, që zbatohen pa asnjë mëdyshje nga gjithë të vegjlit, shumicës së të cilëve iu ndriçojnë sytë dhe e shohin veten duke nisur një karrierë të suksesshme në privilegje dhe pará, sapo pozojnë apo qeshin të lumtur nëpër mitingje apo fotografi me njëshin. E ngjashme kjo me kohën kur lumturia shpërthente, se qeshi shoku Enver, shoku Ramiz apo ua bëri me dorë nga makina kalimtarëve. Njerëzit janë terrorizuar tashmë prej një shekulli nga diktaturat e njëshave karizmatikë shqiptarë “të pavdekshëm”, në radhë të parë, në mentalitetin e tyre.
Shumica e atyre që u ndjenë të lirë, kur u formua grupimi i djathtë dhe u rrëzua komunizmi, sot nuk mendojnë në të njëjtën mënyrë për të djathtën dhe transformimin e saj, por ndjehen të zhgënjyer, jo vetëm për shkak të së kaluarës së afërt, por për shkak të degjenerimit total të vlerave dhe pushtetit më të dobët, pavarësisht nga zbukurimet me Power Point, në historinë e saj që ajo prodhoi gjatë këtyre katër vjetëve. Shembujt janë vërtet që të brengosin pafund.
“Intelektualët”
Ky ishte edhe thelbi e mendimit që doja të trajtoja. R. Aron, duke u përfshirë në debatin ideologjik të viteve ‘50 të shekullit të kaluar, shkruan se e urren fanatizmin ideologjik, dhe do të pëlqente më tepër indiferencën. Duke u nisur nga ky mendim i Aronit unë dua të theksoj se diktaturat naziste dhe fashiste erdhën në pushtet përmes formave demokratike ekzistente, duke përdorur pakënaqësinë e njerëzve për shkak të krizës dhe rënies së thellë ekonomike. Prandaj, nëse qytetërimi ku ne bëjmë pjesë ka arritur të bëjë mekanizma të tij kritikën dhe vetëkritikën, racionalitetin e thellë rigoroz dhe shkencor, është koha edhe në Shqipëri që të ashtuquajturit “intelektualë” të punësuar në administratën publike të mos vihen në rresht, por të kultivojnë kritikën dhe vetëkritikën, të rreshtin së menduari se mirë është ta shtyjnë, sa kohë që kanë privilegje dhe pushteti iu lejon të bëjnë pasuri duke e shpërdoruar atë dhe pasurinë publike, pikërisht duhet t’i thonë gjërat siç janë dhe të mos bëjmë indiferentin, se kështu ndihmojmë, jo vetëm qeverisjen, që si çdo qeverisje në demokraci është e përkohshme, por i shërbejmë me shumë mençuri demokracisë në përgjithësi, së ardhmes së saj më të konsoliduar. Autoriteti i një njeriu dhe diktatura janë tashmë forma të tejkaluara edhe për demokracinë në Shqipëri, dhe të bashkuara me krizën që tashmë po jep goditjet e saj të rënda, i bëjnë pasojat edhe më të vështira për t’u përballuar. Prandaj nuk duhen lejuar që të keqpërdoren njerëzit, vullneti dhe dëshirat e tyre normale, nuk duhet lejuar që mendimi ndryshe të dënohet me heqje nga puna, me kërcënime dhe presione të ndryshme që synojnë të mbyllin gojë dhe të demoralizojnë shpresën. Për të vazhduar përgjigjen edhe për Aronin, edhe për njerëzit e respektuar që mendojnë ndryshe në Shqipëri unë do të riktheja në vëmendje Çajupin: “Luftën që prish njerëzinë, nuk do ta doja kurrë, por në më shkelshin kufinë, do të luftoja si burrë”; pra kufiri është shkelur, liria dhunohet, nuk duhet të jemi indiferentë, por të dëshmojmë qëndresë dhe mençuri.