Shpirtërisht bosh
Vrasjet në masë të bëra nga një 19-vjeçar dhe vetëvrasja që e pasoi dje (pardje), shkaktuan dhimbje dhe tronditje - dhimbje për familjet e viktimave dhe tronditje për gjithë shoqërinë. Nga erdhi gjithë ky zemërim dhe egërsi? Çfarë ndjenjash dëshpërimi armatosën duart e këtij djaloshi në prag të rinisë dhe e kthyen kundër jetës së tij dhe të të tjerëve? Realisht nuk ka asnjë rrugë për ta mësuar dhe as shpjegimi i psikologëve nuk mund ta lehtësojë dhimbjen dhe të zbusë tronditjen.
Të gjithë janë tronditur, por më shumë ata që kanë fëmijë, që i rritin, i shikojnë tek rriten, i shikojnë të zgjaten edhe më, tek mbërrijnë rininë dhe hapin krahët. Vdekja e dhunshme e një fëmijë na copëton emocionalisht. Çdo prind e vë veten në vendin e prindit fatkeq; çdo i ri e imagjinon veten në vendin e viktimës apo dhunuesit. Kështu ndodhi me rininë e vendit tonë, kur 15-vjeçari Alek Grigoropoulos u vra nga një polic dhjetorin e kaluar. Viktima u kthye në simbol të një gjenerate të tërë dhe shfaqi frikën e zemërimin ndaj një bote pa kuptim, një jete të frikshme, një jete bosh.
Kjo botë e frikshme e pakuptimtë, boshatisur nga parimet dhe vlerat, besimi dhe gëzimi, kjo botë gëlltit gjenerata të humbura të konsumuara nga zemërimi, dhuna dhe nihilizmi, kjo botë u ndërtua nga ne, prindërit, brezi ynë dhe ata para nesh.
Psikanalistët, psikologët dhe mësuesit e përshkruajnë këtë gjendje si boshllëk shpirtëror duke folur për shpirtra të humbur në një shkretëtirë shpirtërore. “Kathimerini” e tha më 8 dhjetor, kur shkroi: “Ne u japim shkollë, mësues, celularë, kompjuterë, pushime, lodra, dhurata, pará xhepi, frigoriferë plot; ne nuk u japim kontekst moral, sepse nuk kemi; nuk u japim besim ose shpresë, sepse i kemi humbur të dyja. Ne u japim sende, sa më shumë mundemi, pavarësisht përpjekjeve që kërkohen, sepse kjo është gjithçka që kemi.”
Dhe ja ku jemi sot, të ngrirë dhe të zemëruar.