Çfarë nuk thotë FMN
Paraqitja publike e radhës në Tiranë e Fondit Monetar Ndërkombëtar kishte diçka shumë të veçantë. Në një panel ku bënin pjesë edhe Banka e Shqipërisë, dhe Ministria e Financave, përfaqësuesi i FMN, Gerwin Bell, njoftoi se rritja ekonomike e Shqipërisë për këtë vit parashikohej të ishte në nivelin 0%-1%. Ndonëse shumëkush u habit apo edhe u tmerrua nga parashikimi ogurzi i këtij institucioni, ajo që i shpëtoi shumicës ishte “paraqitja e forcës” që Fondi bëri në këtë dalje publike. Këtë javë në podiumin e krizës ekonomike, ekspertët e FMN të pranishëm i kalonin gishtat e një dore. Një shpurë e tillë ekspertize ekonomike në kohë krize mund të konsiderohet lajm i keq në vetvete. Por bëhet lajm edhe më i keq, nëse merret parasysh se marrëveshja e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar bashkë me mbylljen e vitit 2008. Pavarësisht mungesës së një kontrate formale mes qeverisë shqiptare dhe FMN, kjo e fundit bëri një paraqitje që nuk krahasohet as me ato më të bujshmet gjatë periudhës kur ekzistonte një marrëveshje e qartë me Fondin. Përveç lajmeve të këqija që FMN transmeton nga dita në ditë, me normë rritëse të nivelit dramatik, mesazhi më i frikshëm ende nuk është thënë dhe ndoshta nuk do të artikulohet kurrë: “Punët janë aq keq, sa as që mund të thuhet”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, përfaqësuesi i FMN, Gerwin Bell, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe guvernatori i BSH, Ardian Fullani, analizuan situatën ekonomike në vend, duke deklaruar se kriza ekonomike ka prekur vendin tonë kryesisht në sektorin bankar dhe në transfertat e parave. Po kështu, Bell ka deklaruar edhe uljen e eksporteve gjatë tremujorit të parë 2009. Në këto kushte, FMN i këshillon Shqipërisë të ulë sa më shumë shpenzimet në këtë kohë krize. Edhe guvernatori Fullani këshillon për rialokimin e shpenzimeve. “Të gjenden financime shtesë për të mbështetur buxhetin dhe të shtyhen shpenzimet që nuk janë të domosdoshme për ekzekutivin”, - është shprehur Fullani.
Në fjalë të tjera kjo do të thotë se punët janë vërtet aq keq, sa kësaj radhe krizën e pranon pa rezerva edhe ekzekutivi, i cili deri më sot kishte përdorur termat “probleme” apo “vështirësi” si referenca për krizën. Por, shifra 0%-1% është sigurisht një e dhënë që nuk mund të neglizhohet dhe korniza ogurzezë e ekonomisë së vendit, ndonëse mund të mos shërbejë për të ringjallur de jure kontratën formale me FMN, të paktën ka rivlerësuar realisht rolin e kësaj të fundit në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e një ekonomie në krizë.
Megjithatë, qeveria nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet nga plani elektoral i shpenzimeve, pavarësisht pranimit të krizës dhe sirenave që kumbojnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka e Shqipërisë. FMN kërkoi nga qeveria të tregohej e kujdesshme me rritjen e pagave dhe pensioneve, rritje e cila parashikohet të kryhet në muajin maj. Sipas Bell, kjo rritje duhet të bëhet, vetëm nëse është e domosdoshme dhe se buxheti duhet t’i përshtatet realitetit të ri. “Në aspektin makroekonomik, rritja e pagave dhe pensioneve ka ndikim në bilancin e pagesave”, - theksoi Bell. Në terma konkretë ai doli kundër planit të qeverisë për uljen në masën 5% të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit, i cili hyn në fuqi në muajin maj. Bell vlerësoi se nuk ka hapësirë për ulje të mëtejshme të barrës fiskale. Por ministri Bode nuk pranoi ta ulë nivelin e pritshmërive optimiste për ekonominë e vendit, tashmë zyrtarisht të kapluar nga kriza. Ai deklaroi i patundur se qeveria është e përgatitur për t’u përballur me ndikimet që mund të japë kriza botërore në Shqipëri.
Ndërkaq, guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, nuk ngurroi të drejtonte gishtin nga qeveria mbi “kush është fajtor për krizën”...
“Nuk është e vërtetë që po tregohemi aktivë dhe transparentë vetëm tani, kur vendi është prekur nga kriza. Unë, si guvernator, dhe stafi im gjithnjë jemi treguar të hapur me publikimin dhe shqetësimet tona ia kemi përcjellë institucioneve të tjera përgjegjëse. Paralajmërimet i kemi thënë me kohë”, - deklaroi guvernatori.
Mundësia e një marrëveshjeje të re?
Kriza ekonomike dhe roli i FMN si një këshilltare e pavarur janë dy faktorë që nuk mund të shihen si të pavarur nga njëri-tjetri. Vetë qeveria e ka kuptuar këtë. Në këtë pikë mungon vetëm një rishikim i kontratës formale mes palëve. Ndërkaq, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka bërë thirrje qeverisë që t’i marrë seriozisht këshillat e FMN. Një deklaratë kjo që, ndonëse brenda kontekstit politik parazgjedhor, sërish përbën një mesazh të rëndësishëm mbi nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por, çfarë tjetër do të përfitonte vendi nga një ripërtëritje e mundshme e marrëveshjes me këtë institucion?
Sakaq, 20 krerët e vendeve më të industrializuara i kanë dhënë Fondit Monetar Ndërkombëtar 750 miliardë dollarë që ky institucion do t’i menaxhojë në kuadër të krizës ekonomike botërore. Ndonëse marrëveshja e vendit me FMN u mbyll në fund të vitit që shkoi, duket se kjo nuk e pengon Shqipërinë të përfitojë diçka nga kjo shumë. Në rastin e ripërtëritjes së marrëveshjes, gjasat e përfitimit financiar mund të ishin edhe më të mëdha.
Në një dalje publike në shtypin e përditshëm, Zybi Hida, drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, vërejti se vendi ka shanse që të përfitojë nga ky fond antikrizë.
“Nëse ne pranojmë të themi që jemi në krizë dhe kemi nevojë për mbështetje financiare, atëherë duhet t’i paraqesin FMN provat, që lidhen me borxhin, deficitin e bilancit të pagesave dhe mungesës së mjaftueshme të valutës”, - deklaroi Hida. Ai sqaroi në shtyp se FMN është një organizëm që u shërben rreth 185 vendeve të ndryshme të botës, të cilat japin kuotat çdo vit. FMN menaxhon këto shuma të krijuara nga kuotacionet e çdo vendi, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Nga ana tjetër mundësitë e përfitimit do të rriteshin natyrshëm në rast të ripërtëritjes së një marrëveshjeje. Por ka disa pengesa të natyrshme për këtë. Një arsye lidhet me faktin se, që në vitin 2004, roli i FMN në Shqipëri pësoi një zbehje, pasi deri në atë kohë marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare fokusoheshin te reformat që qeveritë duhet të kryenin, në këmbim të kredive me interes të ulët. Por, kur në 2005 Shqipëria doli nga lista e vendeve që mund të përfitojnë kredi të buta, FMN humbi levën e vetme të presionit mbi reformat e qeverive shqiptare.
Me largimin e FMN ekonomia shqiptare nuk i nënshtrohet më një mbikëqyrjeje të pavarur, çka deri vonë i ka frenuar qeveritë në nismat e tyre “jo të sigurta”, kryesisht në formën e presionit mediatik. Roli i FMN mori një vlerë të veçantë pikërisht në zellin e qeverive për të kryer reforma a për t’i përdorur financat publike si e shihnin më mirë, veçanërisht kur bëhej fjalë për zgjedhje elektorale. Por, jo për këto zgjedhje. Zgjedhjet e verës 2009 dhe në veçanti “boom”-i i investimeve publike që është parashikuar tashmë t’u paraprijnë, do të ndodhin pa mbikëqyrjen financiare të FMN. Kjo do të thotë se qeveria po i shpërndan si e sheh të arsyeshme të ardhurat e buxhetit, në investime publike dhe jo vetëm, para zgjedhjeve, duke qenë se mungon një zë, i cili në rast të kundërt, ndonëse në mënyrë diplomatike, do ta denonconte publikisht diçka të tillë. Ndaj shanset për një marrëveshje të re janë tejet të vakëta, jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe për atë që do të vijojë, pavarësisht forcës politike që merr frerët e pushtetit.