Procesi i kartave,asnjë hap për nisjen
KORÇE - Ndërsa në kryeqytet e Durrës filloi puna për shpërndarjen e kartave të identitetit, në qarkun e Korçës ende nuk dihet se kur do të nisë procesi. Deri dje nuk kishte mbërritur asnjë lloj pajisjeje që do të shërbejë për këtë qëllim. Megjithatë konfirmohet fakti se në bashkitë e këtij qarku janë përgatitur mjediset se ku do të vendosen këto pajisje me të mbërritur nga kryeqyteti. Në Bashkinë e Korçës është përgatitur mjedisi i ri dhe janë bërë instalimet elektrike për zyrën ku do të përgatiten kartat e identitetit. Sipas Drejtorit të Marrëdhënieve Publike, Mikel Llogori, në këtë institucion pajisjet priten të vijnë nga data 12 shkurt, por edhe kjo datë nuk është e përcaktuar saktë. Në bazë të listave paraprake që janë hartuar në Bashkinë e Korçës, vetëm në këtë qytet rezultojnë të papajisur me pasaporta rreth 8 mijë vetë, ndërsa në bashkitë e tjera dhe nëpër komuna ende nuk ka lista të sakta rreth këtij numri. Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi ka bërë të ditur se pajisjet për përgatitjen e kartave të identitetit do të vendosen në mjediset e zyrave të gjendjeve civile në të gjitha komunat e bashkitë e këtij qarku. Njëherësh ajo ka deklaruar se janë përgatitur edhe personat që do t'i përdorin ato. Po ndonëse ka kaluar rreth 1 muaj nga nisja e procesit në Tiranë, në Korçë ende nuk janë hedhur hapat e parë. Është bërë e ditur që deri më 15 mars duhet të ketë përfunduar procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit, proces që nuk dihet se kur do të fillojë. Ndërkohë që pritet një dyndje e madhe në momentin kur do të zyrtarizohet hapja e procesit. j.gj