Fier, kreu i PD shmang daljen publike
Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në radhët e anëtarëve të Partisë Demokratike në Fier ka krijuar pështjellim në deklaratat e tyre. Ndonëse i përfshirë në incidentin e krijuar ishte direkt kryetari i degës së PD-së, Ferdinand Murati, anëtari Tomorr Allkushi dhe Fatmir Kajolli, asnjë prej tyre nuk ka bërë daljen publike përballë opinionit. Në emër të dy personave, të cilët sipas burimeve dëshmitarë të sherrit janë më të lënduar, ka folur ish-kreu i Partisë Demokratike, Vasil Ndreko. Ky i fundit, sipas dëshmitarëve ishte dhe një prej protagonistëve të ngjarjes, bashkë me Muratin. Ndreko ka mohuar publikisht të ketë ndodhur incidenti, duke e cilësuar si trillim nga persona që nuk duan të shohin një garë të ndershme për kreun e PD-së lokale. "Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike jemi ulur aty pranë në një lokal për të pirë kafe me shokë dhe miq, me grupet e punës e me anëtarë kryesie. Ishin dhe disa kandidatë që konkurrojnë për kreun e PD-së dhe kemi diskutuar për të rregulluar më mirë punët në PD, për të nisur një stad të ri për në qershor të vitit 2009, me idenë se si mund të hyjmë më mirë në zgjedhje. Veç shkëmbimit të gotave dhe kafesë, çfarë mund të ndodhë në një banket, asgjë nuk ka ndodhur", deklaroi dje Ndreka, duke theksuar se fliste dhe në emër të Muratit dhe Allkushit. Disa orë më vonë, me një deklaratë të ngjashme për shtyp ka dalë dhe sekretari i PD-së, Përparim Gjeka, i cili ka theksuar se "aktualisht Partia Demokratike në Fier është më vitale se kurrë". Ndonëse të dy kanë folur në emër të PD-së dhe kreut të saj, vetë Ferdinand Murati nuk ka zgjedhur të njëjtën mënyrë për të dhënë deklarimet e tij mbi ngjarjen. Edhe pse ai e mohoi çfarë kishte ngjarë mbrëmjen e së shtunës, burime të afërta pohojnë se dalja e tij publike ditën e djeshme është kushtëzuar nga hematomat në fytyrë, provokuar nga përballja me personat që u grind.
Nga burime të brendshme që ndoqën skenën e sherrit, ai u nis nga Murati dhe Ndreko. Por pas nisjes së konfrontimit mes tyre, u përfshinë në grindje dhe persona që mbështesnin palët. Për këtë ngjarje nuk u prononcua as policia e Fierit e as burime spitalore, duke e lënë gjithçka të marrë rrugë brenda vetë personave që ndodheshin në momentin e përplasjes. Burime të qytetit të Fierit pohojnë se situata është e nxehtë në radhët e anëtarëve të PD-së në prag të zgjedhjeve të reja për kryetar, mes atyre që mbështesin kreun aktual, Murati dhe kundërshtarët e tij. Nuk dihet ende se kur do të jetë mbledhja e radhës e kryesisë së PD-së së Fierit, ku do të caktohet dhe data e mbajtjes së zgjedhjeve. Mbledhja e së shtunës, ku të pranishëm ishin dhe ministrat Olldashi e Alibeaj ka pasur debate, të cilat çuan dhe në shtyrjen për një datë tjetër. Zgjedhjet në PD-të lokale kryhen pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në vendin tonë, të cilat do të mbahen në qershor.