Qeveria përgjysmon fondet e gjykatave për vitin 2010
Laureta Rryçi
Qeveria ka përgjysmuar fondet e gjykatave për vitin 2010. Pavarësish investimeve që janë të domosdoshme në një sërë gjykatash në vend, sërish drejtuesit e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor duket se e kanë pasur të vështirë të bindin pushtetin ekzekutiv për të marrë më shumë para se në vitin 2009. Madje duket se situata është aq e përkeqësuar, sa këto gjykata po marrin shumë më pak para sesa në vitin që lamë pas. Ky shqetësim u ngrit dje edhe nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë takimit me gjyqtarët e Beratit. Numri dy i KLD-së, në takimin e radhës me këta gjyqtarë, përveçse u njoh me punën e një viti, risolli në vëmendje të tyre disa shqetësime mbi procedurën e punës, si dhe u kërkoi gjyqtarëve të shprehnin edhe ata shqetësimet që kishin.
Fondet
Nga shkurtimi i fondeve është prekur pjesa më e madhe e gjykatave në vend, qofshin ato të shkallës së parë apo ato të apelit. “Më është vënë në dijeni se gjatë vitit 2009 nuk është akorduar fond i veçantë për Gjykatën e Beratit për përmirësimin e kushteve tuaja të punës. Do të doja të dija sa ju është akorduar këtë vit krahasuar me standardin e pakënaqshëm të 2009-s?!”. Me këto fjalë u është drejtuar Spahiu gjyqtarëve të Beratit. Më pas ai ka dhënë një informacion që prek edhe gjykata të tjera. Sipas Spahiut, në Gjykatën e Rrethit Fier buxheti është ulur me rreth 50%, në Lushnjë me 30%, në Pogradec me 25%, në Pukë me 40%. “Ulja e financimit për gjykatat ka respektuar shpërndarjen gjeografike të sistemit, ka edhe reflektimin e vet në numrin e administratës gjyqësore, në një kohë kur numri i gjyqtarëve është rritur”, - tha Spahiu.
Analiza
Sipas shifrave të bëra dje publike në Gjykatën e Beratit është evidentuar se shpejtësia e gjykimit nuk është problem shqetësues për këtë gjykatë. Numri dy i KLD-së u ka folur me tone të ashpra gjyqtarëve të Beratit për objektivitetin e gjykimit. Kjo pasi shifrat tregojnë se më shumë se gjysma e vendimeve që janë dhënë nga kjo gjykatë janë prishur në Gjykatën e Apelit të Vlorës.
Pjesë nga fjala që mbajti dje Kreshnik Spahiu
Vërejtje dhe lavdërime për Gjykatën e Beratit
“Më vjen mirë që, ndryshe nga shumë gjykata të tjera, gjykimet këtu zhvillohen në salla.
Më vjen keq që, njësoj si shumë gjykata të tjera, ka probleme të mëdha infrastrukture të tipit: kompjuterët janë ‘të lodhur’ apo nevojitet ‘godinë e re’.
Më vjen mirë që respektohet solemniteti në gjykim, i përcaktuar edhe me vendim të KLD-së.
Më vjen keq që, për shkak të sistemit tuaj elektronik CCMIS, nuk respektohet barazia në ndarjen e çështjeve me short; gjithashtu i përcaktuar me vendim të KLD-së, madje në të njëjtën ditë me procedurat e shortit”.
CILËSIA E GJYKIMIT
Duke marrë për bazë elementin ecuri në gjykatat më të larta konstatohet i njëjti problem që ishte edhe në Gjykatën e Fierit, me të njëjtën gjykatë, atë të Apelit Vlorë. Pamundësinë e objektivitetit në cilësinë e gjykimit.
Nga 107 vendime penale të ankimuara, janë shqyrtuar nga Apeli Vlorë vetëm 11 vendime, nga ku lënë në fuqi vetëm 4.
Nga 126 vendime civile të ankimuara, janë shqyrtuar nga Apeli Vlorë vetëm 4 vendime, nga ku lënë në fuqi vetëm 1.
26 Shkurt 2010