Kriza dhe opozita
Kryetari socialist, Edi Rama, deklaroi para disa ditëve, se Shqipëria paska falimentuar nga borxhet, nuk ka më të ardhura nga privatizimet, nuk ka rritje ekonomike, e kështu me radhë… Kriza ekonomike botërore e shfaqur vitin e kaluar, e cila goditi shtetet më të zhvilluara të botës, ishte nga më të rëndat që prej viteve 30 të shekullit të kaluar. Planet dhe masat antikrizë, të miratuara nga qeveritë shteteve që u prekën, ndryshe nga ne, gjetën solidaritet dhe përkrahje nga faktorët e tyre politikë të brendshëm. Sigurisht, një krizë botërore do të... jepte efekte edhe mbi ekonominë e vendit tonë, por konstatimi i rritjes ekonomike përbën një faktor pozitiv, që nuk duhet injoruar. Përpjekjet sistematike për ta delegjitimuar këtë rezultat pozitiv, duke akuzuar deri institucionet zyrtare të pavarura e të specializuara të shtetit për manipulim të dhënash, është një mesazh mjaft i keq, që nuk i shërben interesave të vendit. është shumë e drejtë dhe normale të kritikohet një buxhet, kur hartohet ai apo në raste ndryshimesh, por të mos paraqesësh asnjë variant dhe tregues alternativ, tregon më së shumti për mungesë njohjeje, ekspertize, të ideve dhe argumenteve. Nëse deklarata për falimentimin e shtetit për shkak të borxhit do të bëhej nga Malaj apo Meksi, sigurisht që duhej shqyrtuar me kujdes, por fakti që për përgatitjen e deklaratës së zotit Rama, falë "përvojës" së tyre punuan Ermonela, Olta, Shega, Rudina dhe Gjermeni, nuk e bën atë impresionuese.
Në kriza apo situata të ngjashme është e qartë se çdo vend ka nevojë për më shumë mjete financiare, për të vazhduar investimet në projekte të rëndësishme, për të rritur prodhimin dhe shërbimet. Askush nuk do të jepte mbështetje financiare, pa konstatuar më parë besueshmërinë, se financimet do të përdoren në projekte të sigurta. Përgatitja e projekteve që do të mbulohen nëpërmjet financimeve të huaja me një vlerë rreth 3,2 miliard euro, dëshmon se vendi nuk po falimenton. Ne kemi aktualisht rreth 70 % të burimeve hidrike të pashfrytëzuara akoma, pa përmendur fusha të paprekura ndonjëherë për prodhimin e energjisë elektrike, si ajo që vjen nga centralet bërthamore, impiantet që shfrytëzojnë erën, biomasën, etj. Pjesa më e madhe e këtyre projekteve po përgatiten nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të varësisë së saj. është pikërisht ky fakt më shumë se çdo gjë tjetër, ajo që e shqetëson zotin Rama sot. Si ka mundësi që po funksion koalicioni i sotëm qeverisës, trishtohet ai. Kështu, që "strategu" orienton ushtarët e tij, të sulmojnë ministrinë që është në zemër të këtyre reformave të mëdha dhe ministrin që e drejton atë. Zoti Rama e di shumë mirë se ministri Prifti është në gjendje të mbrojë juridikisht pasuritë e deklaruara prej tij dhe ka kërkuar hetimin e tyre për çdo qindarkë, siç e di shumë mirë, që asnjë shqiptar nuk e beson që ai është i varfër. Por, ai mendon se në rastin konkret ka shumë vlerë proverbi japonez që thotë: "Thashethemet shkrijnë dhe metalin". Mbretërit asnjëherë nuk i kanë dashur ata që kanë qenë dëshmitarë të dobësisë së tyre.
Në ndryshim me metodat e qeverisjes ekonomike të regjimit komunist, siç ishin aksionet masive të bazuara në punën "vullnetare" të papaguar, apo parimi i mbështetjes në focat e veta, sot zhvillimi ekonomik i vendit bazohet në kryerjen e reformave ekonomike sa më të plota, të thella e të gjithanshme, të cilat si rregull vazhdojnë edhe pas ndërrimit të qeverive, si rezultat i zgjedhjeve politike. është interesante të kujtojmë fillimin e reformës në sektorin elektroenergjitik, kur donatorët kishin ndërprerë financimet, e cila u parapri nga miratimi i një dokumenti shumë të rëndësishëm, siç ishte "action plan" shumëvjeçar që rishikohej çdo vit. Nuk do të mund të prodhoheshin 30 milionë këh energji elektrike në ditë, duke arritur kështu rekorde historike vjetore në prodhimin dhe eksportin e energjisë elektrike, nëse nuk do të ishin përgatitur kushtet për t'u investuar në këtë sektor. Ka qenë zoti Meta kryeministër, por dhe zoti Prifti drejtuesi kryesor për energjinë, që e filluan reformën në këtë sektor. Dhe tani që këta dy personazhe të rëndësishëm në politikën shqiptare nuk i përkasin më partisë së zotit Rama, sulmohen prej tij si qeveritarë "të korruptuar". Dhe për të mallëngjyer publikun, Rama nuk pushon së "vajtuari" për zemrat e 80 mijë votuesve të LSI-së. Në fakt, LSI ka më shumë zemra të deklaruara në zgjedhjet e 28 qershorit, pa llogaritur zemrat që iu vodhën asaj nga numëruesit e Partisë Socialiste. Megjithatë, ndoshta është më e drejtë të vajtohen 637,000 zemra socialistësh që po detyrohen të rrahin për një parti, e cila nuk është më as e majtë dhe as e djathtë, pa llogaritur zemrat e Skënderit dhe të Paskalit, të cilat nuk dihet se për cilin do të rrahin tani që janë pa mandate.
Tërheqja e financimeve të huaja është dhe duhet të jetë një prioritet qeverisjeje për të zhvilluar vendin. Pasuritë e këtij vendi janë të mahnitshme, por pjesa më e madhe e tyre akoma qëndron e fjetur, sepse nuk janë mundësitë financiare. Në qindra projekte për t'i bërë ato të gatshme për financim, punojnë sot ekspertët më të kualifikuar vendas e të huaj, për t'i kthyer ato në pasuri kombëtare, që do të rrisnin të ardhurat për frymë dhe do të forconin ekonominë e vendit. Linjat e reja të interkonjeksionit, hidrocentralet dhe termocentralet, nënstacionet dhe linjat e reja të shpërndarjes, rehabilitimi i digave, energjia nga burimet e erës dhe të të biomasës, e deri tek ajo nukleare, do të jenë fushat më të sigurta të investimeve sot dhe në të ardhmen. Kështu, që vendi ka perspektiva të sigurta zhvillimi dhe asnjë mundësi falimentimi.
Krahas zhvillimit të vendit në tërësi dhe përjashtimit të mundësisë së falimentimit, do të ishte e drejtë të mendohej më shumë edhe për zhvillimin e kryeqytetit, për të ndaluar zhdukjen e mjediseve të gjelbërta dhe konfuzionin total në ndërtimin e pallateve, që kanë mbuluar çdo pëllëmbë trualli, si dhe për të amortizuar ngrohjen e veçantë të tipit "sere", së bashku me mbidozat e pluhurit dhe gazrave. Zemrat e taksapaguesve kryeqytetas kanë nevojë për më shumë kujdes nga ana e zemrës së kryetarit, krahas "kujdesit" që ai duhet të tregojë për banorët e komunave dhe bashkive të tjera të Shqipërisë. Nuk mjafton inagurimi i një kopshti, një çerdheje apo shkolle, si dhe fillimi i rikonstruksionit të një blloku në një lagje të caktuar, që padyshim është gjë e mirë, por duhet të rregullohen mjediset me gjelbërim në të gjithë teritorin e kryeqytetit, për t'u dhënë më shumë oksigjen banorëve, duhen bërë rrugët e reja në çdo lagje dhe bllok banimi, kanalizimet e trotuaret, duhet rregulluar unaza për të lehtësuar trafikun, që t'u kursehet koha qytetarëve, për të mos i lodhur aq shumë ata në mëngjes, pa filluar akoma punën, si dhe kur kthehen prej saj. Qytetarët e Tiranës meritojnë më shumë se rrugë të arnuara pas 10 vjetësh, që qeveris i njëjti kryebashkiak, meritojnë një shesh dinjitoz, për ndërtimin e të cilit duhet punuar ditën dhe natën.