E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza dhe ulja e remitancave, euro fiton pikë ndaj lekut

07/11/2011  Këmbehet me rreth 142 lekë. BSH: Në qershor niveli historik 142.84 lekë për euro

Monedha evropiane ka fituar rreth 2 pikë më tepër kundrejt lekut shqiptar. Vetëm në pak ditë kursi ka ndërruar drejtim, duke bërë që një euro të shkëmbehet në tregun e këmbimit valutor me rreth 142 lekë. Gjatë muajve të fundit monedha euro ka fituar një qëndrueshmëri në kuota mjaft të larta. Kjo pavarësisht se në vendet e rajonit monedha evropiane ka humbur pikë ndjeshëm si rezultat i humbjes së besueshmërisë në eurozonë. Forcimi i euros në vendin tonë sipas specialistëve vjen për faktin se ka pak euro në qarkullim dhe kjo e ndikuar më tepër prej dërgesave gjithmonë e më të pakta nga emigrantët. Remitancat vlerësohen të kenë rënë sipas Bankës së Shqipërisë me 11.7% në tremujorin e parë 2011 dhe papunësia ende e lartë në eurozonë, nuk sinjalizon për rikuperim të tyre. Forcimi i krizës ekonomike në eurozonë gjithmonë e më tepër po jep efekte të dëmshme.

Efektet e zhvlerësimit

Personat që preken më shumë prej zhvlerësimit të lekut shqiptar janë konsumatorët, të cilët do të vuajnë çmime më të larta në treg. Shqipëria është një vend që importon pjesën më të madhe të mallrave ushqimore, të cilat blihen në euro duke ndikuar në rritjen e çmimeve në vend dhe si rrjedhojë në xhepat e të gjithë qytetarëve. Sipas specialistëve, rivlerësimin e euros e ndjejnë edhe ata persona, të cilët kanë marrë kredi në monedhën evropiane euro. Kohët e fundit është deklaruar shpesh se ka pasur një rritje të kredive të këqija dhe mesa duket kjo ka pasur si ndikim edhe vlerësimin e euros dhe si rezultat pamundësinë për pagimin e kredive prej bizneseve. Në Shqipëri mbi 80 për qind e kredive që janë dhënë nga sistemi bankar janë në euro dhe kjo ka bërë që shumë shqiptarë të preken drejtpërdrejt prej vlerësimit të monedhës evropiane. Një vlerësim ndaj monedhës tonë kombëtare ka fituar edhe dollari amerikan. Vetëm javën e fundit dollari është shkëmbyer me 103 lekë dhe vazhdon që të ketë tendencë drejt rritjes.

Kursi i këmbimit

Në analizën e saj Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet individuale të monedhave kryesore të shportës në tregun e brendshëm të shkëmbimeve valutore pasqyrojnë një dobësim të pozitave të monedhës vendase me 1.64% kundrejt euros dhe një forcim të saj me 3.58%, kundrejt monedhës së gjelbër amerikane, sa i përket gjysmës së parë të vitit. Nga ana tjetër, në ritme vjetore leku reflekton një mbiçmim kundrejt dollarit (-8.77%) dhe një nënçmim përkundrejt monedhës evropiane (3.28%). Dobësimi sezonal i monedhës vendase në raport me monedhën evropiane gjen mbështetje në rritjen e kërkesës nga sektori publik dhe rritjen e importeve, si dhe në reduktimin e prurjeve pre-sezonale që karakterizon periudhën. Nënçmimi i lekut ndaj euros ka rezultuar në terma mesatarë mujorë në 0.35%. Ky raport, gjatë muajit qershor preku për herë të parë nivelin historik, 142.84 lekë për euro. Një prirje e tillë e indeksit duket se vjen si pasojë e një kërkese relativisht më të lartë për valutë dhe pakësim të prurjeve valutore nga FDI dhe nga remitancat. Zhvillimet e lartpërmendura të raportit euro/lekë përgjatë këtij tremujori shprehen në një tregues luhatshmërie relativisht më të lartë se ai i të njëjtit tremujor të vitit 2010. Situata politike në vend pas zgjedhjeve të 8 majit dhe paqëndrueshmëria e tregjeve financiare botërore, kanë qenë disa faktorë që kanë ndikuar negativisht kursin e këmbimit të lekut gjatë këtij tremujori. Në rang rajoni, ecuria e lekut në raport me monedhën e përbashkët evropiane është mjaft pozitive krahasuar me mesataren e vendeve të tjera. Përgjatë këtij tremujori, vihet re një ecuri e lekut në kufirin e poshtëm të intervalit të krijuar nga vlerat ekstreme të luhatjes së raportit euro/monedhë vendase.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›