E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The New York Times”: “Ja kush është Princ Vidi”

Gazeta amerikane tregon të gjithë historinë e familjes Vidi

Baron Uxkull

Në ditët tona nuk ndodh shpesh që çdokush të ketë mundësinë të takojë një personazh që është bërë sundues i një vendi, - madje edhe nëse ky është një vend i tillë si Shqipëria; romantik, i egër dhe pjesë e panjohur e botës. Ne dimë shumë pak rreth Shqipërisë. Ajo shtrihet larg, e pashkelur nga turistët dhe shumë pak eksplorues kanë arritur të penetrojnë brenda fshatrave të thella dhe maleve të larta. Ajo çfarë ne dimë për vendin dhe banorët e tij janë rrëfimet për dhunën mizore të kryer nga turqit, kryengritjet e vazhdueshme të fiseve të ndryshme kundër sunduesit turk, ndëshkime të rënda përmes jataganit dhe zjarrit. Në të vërtetë, një luftëtar fisnik shqiptar mund të përshkruhet kështu përsa u përket cilësive të spikatura të tij; si i pamposhtur, me shpirt luftarak shumë të theksuar, por me një sens primitiv të nderit, me besën e tij absolute nëse ta jep fjalën. Por ligji dhe arsyeja e komunitetit janë koncepte akoma të panjohura te shqiptarët.
Pozicioni i Princ Vidit
Brenda këtij kaosi, në këtë vend të pafat, Princi Vilhelm i Vidit është caktuar të jetë si sundues. Në të vërtetë, Princi ka zgjedhur një detyrë të vështirë, një detyrë e cila mund të shkaktojë shumë mosmirënjohje për të. Kjo është një detyrë të cilën ai akoma nuk ka nisur, për motive egoiste nga më të ndryshmet, por me qëllimin për të vendosur rregulla të forta, në dispozicion të popullit nevojitet një dorë e fortë, me shumë aftësi dhe talentin e një njeriu të zgjuar.
Nuk është një honor i kotë të bërit drejtues i një populli; nuk ishte ambicia e cila e bëri Princ Vidin të pranojë fronin. Ai është sensi i detyrës; të realizosh plotësisht një mision të vështirë, fati i të cilit i ka rënë atij që të bëhet princ, duke u larguar nga vendi i tij i lindjes, duke lënë shumë miq dhe një karrierë ushtarake premtuese.
Karriera e Princit
Princ Vidi, i cili tani është 37 vjeç, është njohur si një oficer brilant. Ai përfundoi studimet në Jena. Madje, që në djalëri ai ishte i dashuruar pas librave; gjatë atyre viteve të studimit ai gjithmonë ishte i dhënë pas të mësuarit të gjërave rrënjësisht. Ishte një nxënës i mirë dhe i kaloi të gjitha testimet ushtarake me vlerësime të pazakonta dhe me çmime speciale të dhëna nga mbreti. Ai e nisi karrierën e tij ushtarake në “Garde du Corps”, Regjimenti i Kalorësisë Perandorake Gjermane. Ai pranohet në Akademinë e Luftës, shkolla e lartë e Shtabit të Përgjithshëm Gjerman, ku ishte i shkëlqyer. Dikur njëri thoshte: “Ah! Po. Sigurisht Princi Vidi përparoi në Akademi. Por ai ishte me lidhje, pasi është princ dhe që natyrisht e përdori plotësisht një gjë të tillë gjatë atyre tre viteve të studimit në Akademi dhe e mbaroi atë përpara të gjithë oficerëve të tjerë, që nuk ishin me aq fat, pasi nuk kishin lidhje të tilla siç i kishte ai”.
Por, shokët e tij, që kanë qenë bashkë me të të ulur në një bankë nëpër leksione, kundërshtojnë dhe thonë: “ Ah! Jo. Për të nuk kishte rëndësi thjesht mbiemri i tij; Muller, apo Schultze, kjo nuk përbënte ndonjë ndryshim. Ai ishte i shkëlqyer dhe një karrierë e shkëlqyer e pazakontë e pret atë në çdo rast. Dhe kjo doli e vërtetë. Nëse e shikoni atë në qetësinë, fuqinë dhe pamjen e vendosur, ju ndjeni fuqinë e urdhrave të tij, intelektin e tij. Ai flet shumë pak, në të vërtetë ai duket i përngjashëm me stërgjyshin e tij Uilliam, - “Heshtja e Portokallit”, por që ai në ato që thotë i bie pikës. Fjalët e pakta të tij i jepnin fund një sherri të gjatë mes miqve të tij dhe sqaroheshin të gjitha keqkuptimet. Ai është njeriu i veprimit, jo i fjalëve. Akoma në pamjen e jashtme të tij ju ndjeni qetësi.
Prejardhja e familjes
Princ Vidi ka një rreth të lidhjes familjare të jashtëzakonshme; janë të paktë gjermanët e pakurorëzuar princër që janë me prejardhje kaq të mirë. Motra e tij ishte princesha e Holandës. Ai është kushëriri i dytë i Perandorit Gjerman dhe Carit të Rusisë. Ai ishte një fijan (djali i mirë) i perandorit Uilliami i Parë, që gjatë viteve të fundit të jetës së tij tregoi një interes të veçantë për princin e ri. Familjet mbretërore të Suedisë, Norvegjisë dhe Danimarkës janë të lidhura ngushtësisht me të. Vëllai i madh i princit, i kurorëzua Princ Vidi, u martua me princeshën Vyrtemberg. Halla e tij është mbretëresha e Rumanisë, e njohur si shkrimtare dhe poete, me emrin Carmen Sylva. Ajo gjithmonë ka treguar një interes të veçantë në lidhje me nipin e saj. Princi është vizitor i rregullt në Bukuresht dhe Sinaja, vend ku ndodhet rezidenca e bukur verore e mbretit të Rumanisë. Për këtë ai është i mirinformuar në lidhje me problemet dhe politikat e Ballkanit. Përpara se të pranojë ofertën për fronin shqiptar, Princi qëndroi disa javë me çiftin mbretëror rumun.
Natyra e Princit 37-vjeçar
Princi ka prejardhjen nga një familje e cila përgjatë shumë shekujve, gjithmonë është njohur si shumë liberale dhe tolerante në lidhje me çështjet fetare. Kjo është e një rëndësie të madhe dhe e bëri Princ Vidin kandidaturën e qëlluar për t’u bërë sundues i Shqipërisë, ku popullsia përbëhet nga besimet muhamedane, katolike dhe ortodokse greke. Vetëm një shpirt vërtet liberal në çështjet fetare mund t’ia dalë mbanë me kaq shumë besime të ndryshme, duke punuar në mënyrë të harmonishme. Përveç tolerancës, Princi ka trashëguar interesa të forta në çështjet e shkencës.
Një nga paraardhësit e tij, princi Maksimilian Vidi, zbuloi Brazilin; ai ishte i mirënjohur në radhën e shkencëtarëve, sepse zbuloi kafshë të ndryshme, të cilat deri në atë kohë nuk njiheshin nga ne, dhe një pjesë e Muzeut Historik Natyror në Rio De Zhanerio mban emrin e tij. Gjyshi i Princ Vidit ishte filozof dhe shkroi libra filozofie; babai i tij, një oficer i shkëlqyer, që u shqua në luftën franko-prusiane, ishte një piktor i talentuar.
Natyrisht, Princi Vidi gjithmonë ka qenë i interesuar për politikën. Ai është i njohur për pikëpamje të hapura dhe krijon gjykimin e tij vetëm pasi i ka dëgjuar të gjitha palët. Ai është shumë i pavarur në opinionet e tij dhe nuk influencohet lehtë nga të tjerët. Duke qene oficer i Kavalierisë, Princi, sigurisht është një kalërues shumë i mirë. Gjithashtu, edhe princesha njihet për të njëjtën gjë. Princi Vilhelm është një gjahtar dhe një sportist i pasionuar. Ai është fizikisht i fortë dhe i aftë që t’u rezistojë të gjitha vuajtjeve.
Bashkëshortja e Princ Vidit
Gruaja e tij, princesha e Vidit, Sofija, ka lindur si princesha von Schoendburg-Waldenburg dhe e kaloi rininë e saj në Rumani, në pronat e pafundme të prindërve të saj. Ajo është me gjak aristokrat rumun nga gjyshja e saj, e cila ishte princesha e Cantacuzene, që i përket familjes shumë të vjetër të Cantacuzene-ve, që njëherë e një kohë sunduan Mbretërinë e Bizantit. Princesha ishte rritur në fushat e pafundme të Moldavisë, si një vajzë që i kalonte pushimet e verës në Karpate. Edukimi i saj nuk përngjan me atë të një princeshe të përkëdhelur, megjithëse i kishte të gjitha lukset e një familjeje mbretërore. Ajo i mori përshtypjet e para direkt nga natyra, nga magjia e netëve të bukura rumune, fushat e pasura dhe malet romantike. Edukimi i princeshës ishte i shkëlqyer. Ajo është një pianiste dhe harpiste e përkryer. Ajo ka arritur për t’i bërë shtëpitë e saj në Berlin dhe Potsdam qendra për të dashuruarit pas artit dhe muzikës.
Oborri mbretëror shqiptar
Fëmijët, vajza, princesha Maria Eleonora dhe djali Carol Victor, trashëgimtari i fronit që akoma nuk ka mbushur vitin, janë nën shoqërinë e prindërve të tyre në Shqipëri. Pak njerëz do ta shoqërojnë Princin, i cili do të përzgjedhë njerëzit që do të kryejnë detyrat përkatëse në qeverinë e re, ku do të përfshihen edhe vetë shqiptarët, aq sa të jetë e mundur. Në mes të shqiptarëve aristokratë atje, janë një numër njerëzish inteligjentë dhe të edukuar, që do të jenë të aftë të luajnë pjesën e tyre në qeverinë e shtetit të ri. Një doktor dhe një sekretare private do të jenë në suitën mbretërore dhe një zonjë në shërbim, detyra e së cilës është të që trajnojë zonjat shqiptare me prejardhje fisnike. Megjithatë, si aristokraci shqiptare, pjesa më e madhe janë ndjekës të islamit. Vajzat e reja gjithmonë do të shfaqen të mbuluara dhe vetëm një burrë në Shqipëri do të ketë privilegjin e të shikuarit të fytyrës së tyre; ai do të jetë sunduesi.
Për fillim, së paku, Oborri i ri do të duhet të respektojë zakonet e vendeve Orientale, një prej të cilave është që zonja e lartë nuk do të lejohet të ecë në këmbë nëpër qytete. Vetëm ulur në një karrige, apo ndoshta majë kalit, princesha do të jetë në gjendje që të presë brohoritjet dashamirëse nga të tjerët. Në çdo rast, muajt e parë do të jenë disi si një tur kampingu: aspak luksoz, përmes të cilit çifti mbretëror do të mësojnë se si është Shqipëria. Por kjo, sigurisht, është një cikërrimë.
Duhet takt dhe aftësi
Për të shtruar fiset malore të padisiplinuara në rregulla, disiplinë dhe në respekt të ligjit, Princit do t’i nevojitet shumë takt dhe zotësi. Shqiptarët, banorët krenarë të maleve, kurrë nuk e kanë ulur kokën e tyre para çdo personi. A do ta mbështesin Princin, që është duke dhënë gjithçka, në mënyrë që ai ta realizojë plotësisht këtë detyrë të vështirë? Apo sherret, mosbesimi, xhelozitë dhe luftërat do ta bëjnë këtë sipërmarrje më të vështirë për një njeri të tillë si Princ Vidi?
Një gjë mund të besohet, se një ambicie bujare prej fisniku, që të zgjidhë një problem aq të rëndësishëm siç është çështja shqiptare, një problem i gërshetuar me shumë siklete, madje shumë rreziqe, do të ketë çmimin e tij, por që Princ Vidi do t’ia dalë mbanë në arritjen e detyrës së vështirë, së cilës ai i ka kushtuar jetën e tij.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 8 mars 1914
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

3 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›