Kriza do të ketë ndikime edhe në Shqipëri e Kosovë
Këshilla e dhënë në këtë rubrikë nga një student ekonomie është e drejtë. Kriza globale ekonomike, në nivel praktik për konsumatorët e thjeshtë, mbart vetëm një këshillë thelbësore: Shtrëngoni fort paranë kesh. 15 vende, që përdorin euron, kanë deklaruar se janë në recesion (rënie të thellë ekonomike).
Rritja ekonomike në zonën ku përdoret euroja, ra me 0,2 për qind në 3-mujorin e tretë të vitit, pas një rënieje të ngjashme në 3-mujorin e mëparshëm. Në këtë zonë, Gjermania dhe Italia janë në recesion bashkë me Spanjën dhe Irlandën.
Ndërkohë, udhëheqës nga 20 vendet më të industrializuara të botës dhe vendeve me rritje të shpejtë ekonomike, janë mbledhur këtu në Uashington për të diskutuar rreth krizës financiare. Dje, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, tha në një raport të fundit se aktiviteti ekonomik vitin e ardhshëm, do të tkurret me një për qind në vendet që përdorin euron, dhe me 0,9 përqind në SHBA.