Kriza, donatorët tradhtojnë qeverinë

Për vitin 2009 shuma që institucionet financiare donatore kanë vënë në dispozicion të projekteve të ndryshme, është rreth 21 miliard lekë, në një kohë kur në 2007 ishte pak më shumë se 32 miliard lekë.
Po ta krahasojmë me vitin 2008, diferenca del më e lartë, pasi projekte të ndryshme infrastrukturore kishin thithur rreth 60 miliardë lekë investime. Duke u nisur nga tendenca gjithnjë e në rënie të investimeve, qeveria u ka bërë thirrje donatorëve, që janë të akredituar në Shqipëri, për më shumë vëmendje.
Gjatë takimit me përfaqësues të ndryshëm donatorësh, ministri i Financave, Ridvan Bode, kerkoi rritje të fondeve për investime. Takimi i zhvilluar pa praninë e medias është organizuar nga zv/kryeministri Genc Pollo, i cili lidhej me menaxhimin e donacioneve të dhëna nga qeveritë e huaja dhe organizmat ndërkombëtare, në funksion të realizimit të prioriteteve të vendosura nga qeveria shqiptare.
Cështjet e ngritura në takim lidheshin me fondet që japin donatorët për projekte të ndryshme dhe realizimi i investimeve në kohë dhe me efikasitet. Prej vitesh, nivel i investimeve të huaja në Shqipëri nuk e kalon pragun e 50 përqindëshit, ndërsa qeveria bën me faj procedurat që ndjekin donatorët.