E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia mbyll 12 pika të lojërave të fatit në tre qytete

Operacioni i quajtur "Gambling" i shtrirë në tre qytete Elbasan, Korçë e Gjirokastër ka mbyllur 12 pika lojërash fati. Sipas zyrtarëve të policisë janë mbyllur ato lojra fati të cilat ishin pa licensë dhe po kthehen në burim krimi. Penalizohen pronarët. 

 ELBASAN- KORCE- GJIROKASTER-  Lojrat e fatit po sulmohen në të gjitha rrethet e vendit. Sinjalet e para janë dhënë ditën e djeshme në tre qytete, Elbasan, Korçë e Gjirokastër nga ana e sektorit të Luftës kundër krimit ekonomiko-financiar të drejtorive të policisë së këtyre qarqeve.
Operacioni i quajtur "Gambling" i shtrirë në tre qytete, duket se tashmë ka mbyllur 12 pika lojërash fati në këto qytete.
Në lagjen "18 shtatori" në Gjirokastër, është pezulluar puna në lokalin e shtetasit Kastriot Kaliaj. Iu sekuestruan atij 14 kompjutera elektronik dhe një ruletë elektronike, të cilat ishin pa dokumentacionin përkatës licensë e kolaudim. Ai do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të "Organizimit të llotarive të palejuara", pasi drejtoria e krimit ekonomik përpiloi dhe dokumentacionin përkatës. Një tjetër lokal në të njëjtën lagje "18 shtatori" u mbyll gjatë ditës së djeshme. Ishte në pronësi të shtetasit Perlat Kakemi. Në lokalin e tij u sekuestruan 5 kompjutera elektronikë të pacertifikuar dhe pa dokumentacionin përkatës.
Korçë
Në qytetin e Korçës dje u mbyllën 6 pika bastesh e lojërash fati ndërkohë që pronarët e tyre u penalizuan nga policia e krimit ekonomiko-financiar. Vetëm pak ditë më parë, në këtë qytet u regjistrua precedenti ku në një pikë të paligjshme bixhozi në periferi të qytetit u sulmua nga maskat dhe u grabitën 8 milionë lekë (të vjetra). Aty mbetën të plagosur edhe tre persona që ndodheshin në momentin e ngjarjes.
Për t'i dhënë fund këtyre aktiviteteve të paligjshme, Antikrimi ekonomik ka ndërmarrë një operacion të gjerë në katër rrethet e qarkut të Korçës si në Pogradec, Devoll, Korçë dhe Kolonjë, teksa janë bllokuar vetëm në 60 minuta plot 6 pika lotosh sportive dhe lojërash fati.
"Bashkë me mbylljen e këtyre aktiviteteve ku gjenerojnë probleme të shumta serioze për të rinjtë, kryesisht janë penalizuar dhe pronarët" thonë burimet zyrtare të policisë. Bëhet fjalë për shtetasit Iliaz Dino 26 vjeç nga fshati Dërsnik në Korçë për lojra fati, Eriols Haxhillari 23 vjeç nga Korça për loto sporti, Robert Qafko 43 vjeçar nga Pogradeci për loto sporti gjithashtu, Genci Spaho 39 vjeç nga fshati Pilur Devoll për lojëra fati, Betim Koçiu 38 vjeç nga Korca për loto sporti si dhe Luan Tollozhina 50 vjeç për loto sporti. Përveç mbylljes së këtyre aktiviteteve të paligjshme që funksionojnë prej shumë kohësh policia ka bllokuar gjithashtu dhe disa kompjutera dhe pajisje të tjera shtesë të cilat ishin instaluar në këto pika. Pikat e basteve sipas burimeve të policisë lokale thithin interesin e të rinjve dhe adoleshentëve të cilët lenë shuma të konsiderueshme të hollash duke vënë në siklet dhe prindërit e tyre. "Shpeshherë ata përdorin edhe dhunë ndaj familjarëve të tyre për të siguruar lekët që i lënë në pikat e lojërave të fatit" thonë burimet policore. Policia pretendon se veç aktivitetit të paligjshëm të tyre, është shtuar edhe përdorimi i drogës në vende të tilla.
Elbasan
Mbrëmjen e dy ditëve më parë Gambing u shtri edhe në Elbasan. Katër pikash lojërash fati u goditën nga policia e antikrimit ekonomik, duke ndjekur në gjendje të lirë katër pronarët dhe duke sekuestruar të gjitha paisjet e tyre. Operacioni filloi në lagjen "Kala" ku shtetasi B.C kishte një lokal me lojëra fati duke montuar aty 7 aparatura që shërbenin për këtë qëllim dhe të palicensuara. Operacioni ka vazhduar në pikën "Sky bet" në lagjen "Brigada e 17 sulmuese" në pronë të shtetasit K.H. Policia sekuestroi dy kompjuterat dhe pajisjet e lloto - sportit. Gjithashtu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve A. L, 30 vjeç pasi në lokalin në pronësi të tij rezultoi se ky shtetas kishte të montuara tre aparatura të cilat shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit për të cilat nuk kishte asnjë dokumentacion për ushtrimin e këtij aktiviteti, si dhe shtetasi D.C, 29 vjeç pasi edhe në lokalin e këtij shtetasi rezultoi se ishin të montuara gjashtë aparatura të cilat shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit. Nga ana e policisë janë bllokuar nën cilësinë e provës materiale aparaturat e shtetasve të sipërpërmendur, ndërsa për ta ka nisur procedimi penal për veprat penale "Organizim i lotarive të palejuara", dhe "vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›