E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranimet në universitete me dy raunde, MASH rikthen Formularin A3

SHKRUAN: Jonida Tashi 13-07-2011 11:42

Pranimet në universitetet publike të vendit edhe këtë vit do të bëhen me dy raunde, brenda të cilëve do të ketë disa faza regjistrimesh. Ministria e Arsimit rikthen Formularin A3, për pranimet e reja të studentëve në universitetet publike të vendit. Megjithëse më parë MASH bëri të ditur se pranimet në universitete do të realizoheshin vetëm me një raund, pra nëpërmjet Formularit A2, dhe se kuotat që do të mbeteshin të parealizuara nuk do të rishpërndaheshin, për rrjedhojë vendet që do të mbeteshin bosh do të “digjeshin”, në vendimin përfundimtar të këtij dikasteri për kuotat dhe tarifat e studimit për vitin e ri akademik thuhet se: “Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit Meritë-Preferencë dhe në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Shpërndarja e maturantëve kandidatë në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë publik, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (Merita), si dhe përzgjedhjes së programeve të studimit (Preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja”. Raundi i parë (aplikimi me Formularin A2), do të zhvillohet në dy faza: faza paraprake dhe ajo përfundimtare. Kuotat, që do të mbeten të parealizuara do të rishpërndahen nga Ministria e Arsimit, në bazë të propozimeve të universiteteve, duke respektuar parimin e “Meritës”. Kjo do të thotë se në raundin e dytë të pranimeve në universitete, kandidatët do të konkurrojnë për të fituar universitetin vetëm për vendet e mbetura bosh, që do të shpallen nga Ministria e Arsimit. “Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3 (raundi i dytë), sipas preferencave të kandidatëve. Kanë të drejtë të plotësojnë Formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me Formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve”, - përcaktohet në vendim. Në Formularin A3 do të renditen të gjitha degët e universiteteve që kanë ende vende të lira dhe përkrah secilës prej tyre do të shënohen dhe kuotat përkatëse. Ndërkohë që edhe në Formularin A3, maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin përsëri 10 preferenca të ndryshme studimi. Mbi 4 mijë maturantë që u janë nënshtruar provimeve me zgjedhje, nuk kanë arritur të marrin nota kaluese. Sipas të dhënave nga MASH, në dy provimet me zgjedhje të Maturës, 9% e maturantëve kanë rezultuar ngelës, ndërsa pikët maksimale i kanë marrë vetëm 5% e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›