E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e çmimeve FMN: Këtë vit rritja ekonomike 5.5 për qind

Rritja ekonomike do të ulet me 0.3 për qind.

Më të rrezikuara janë vendet e reja të Evropës, ku bëjnë pjesë ato vende që nuk janë anëtarësuar ende në BE. Këtu përfshihet edhe vendi ynë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), rritja ekonomike në vendet me ekonomi të avancuar të Evropës do të vijë duke u ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme në dy vitet e ardhshme, nga 1.5% në 2008 dhe 1.4% në 2009, nga 2.8% që ka qenë në vitin 2007. Ndërsa në vendet e reja të Evropës rritja gjithashtu pritet të zbutet nga 5.5% në 2008-ën dhe 5.2% në 2009-ën, nga 6.9% që ka qenë në vitin 2007. "Deri tani Evropa ka qenë relativisht elastike karshi ngadalësimit të SHBA dhe turbulencave globale të financës, por të dhënat historike tregojnë qartë se këto do të rrisin kumbimin e tyre", tha Majkëll Deppler, drejtor i Departamentit Evropian të FMN-së. Ai theksoi se, "kur rritja e SHBA dobësohet, efekti në Evropë është i njëjtë. Mënyra e shtrirjes së këtij efekti në Evropë dhe koha që kërkon janë të ndryshme, por është gjithnjë aty. Në projektimet tona, lidhjet financiare dhe të mirëbesimit, janë një kanal më i rëndësishëm transmetimi se sa tregtia, konsistente me dominimin e tyre në kontekstin e prirjeve për çrregullimet financiare. Rritja e mprehtë e inflacionit, që tashmë ka prekur konfidencën e konsumatorëve dhe shpenzimeve në Evropë, është një burim i mëtejshëm i dobësisë". Në një situatë të tillë, FMN-ja ka dhënë rekomandimet se si mund të kapërcehet kjo situatë e krijuar. Sipas FMN-së, bankat qendrore duhet të gjejnë balancën e duhur midis mbështetjes së ekonomisë së vërtetë dhe parandalimit të efekteve dytësore ndaj rritjes eventuale të inflacionit. Ekspertët e FMN-së theksojnë se nëse probabilitetet e inflacionit qëndrojnë të ankoruara mirë dhe treguesit konfirmojnë ngadalësimin e parashikuar, do të ketë hapësira për të krijuar politika lehtësuese. Në vendet me ekonomi në zhvillim, shumë nga të cilat kanë dobësi të mëdha nga jashtë dhe që pritet të vazhdojnë rritjen e shpejtë, fokusi i politikave duhet të qëndrojë te menaxhimi i presionit të kërkesës dhe reduktimi i çekuilibrimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›