E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Durrës-Kukës, miratohet superkredia

Qeveria ka vendosur të marrë një superkredi për ndërti-min e rrugës Durrës-Kukës.

Fabiola Çela

Deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ekonomisë kanë miratuar dhe marrëveshjen e huas tregtare prej 230 milionë euro. Por miratimi i kësaj marrëveshjeje është kryer pa praninë e deputetëve të opozitës, pasi këta të fundit kanë kërkuar të kenë më shumë transparencë në procedurat e marrjes së kësaj kredie. "Si kërkoni të merrni kredi kur ju nuk realizoni investimet. Ne parimisht nuk jemi kundër kësaj kredie, por kemi nevojë për transparencë. Për këtë arsye ne kërkojmë që të vijë vetë ministri i Financave, në mënyrë që të na paraqesë një raport të zgjeruar mbi situatën e investimeve në vend", u shpreh dje deputeti socialist Arben Malaj dhe fill pas kësaj deklarate  deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.  
Kredia
Qeveria shqiptare do të marrë një superkredi tregtare nga dy banka greke, bëhet fjalë për Alpha Bank dhe NBG Bank. Huaja prej 230 milionë euro do të përdoret për të financuar ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Në fakt, kjo është kredia e parë tregtare që qeveria merr në tregun ndërkombëtar, pasi këtë vit Shqipëria kalon nga vendet me financime të buta, ose vende me financimin e statusit për reduktimin e varfërisë në vende që kanë akses në tregun e kapitaleve. "Mbas kësaj kredie, ne menjëherë do të fillojmë përgatitjet për të hyrë në tregun e euroliborit", u shpreh dje në Komisionin e Ekonomisë, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Sipas tij, termat e kredisë së dhënë nga këto dy banka janë principali 230 milionë euro, maturimi 15 vjet, periudha a pagesë principali 5 vjet, shlyerja është parashikuar 10 këste të barabarta vjetore, ndërsa interesi është eurolibori plus 1.25%. Sipas tij, interesi i ofruar nga këto banka është i përafërt me ato që ofrojnë institucionet financiare ndërkombëtare për zhvillim, si BERZH, BB etj. Projekti parashikon ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, të gjatë 60 km me katër korsi dhe me tunel bidireksional. Për procesin e ndërtimit është kontraktuar "Bechtel & Enka". Kjo është edhe kredia më e madhe që ka marrë deri më tani qeveria shqiptare për ndërtimin e një aksi rrugor. Në fakt, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë deklaruar se ky projekt do të mund të realizohet deri në fund të vitit 2009. Në fakt, rruga Durrës-Kukës është kthyer në një nga "gllabërueset" më të mëdha të buxhetit të shtetit, pasi pjesa më e madhe e fondeve për investime janë të destinuara për realizimin e kësaj rruge.

Durrës-Kukës, dosja në Prokurori

Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kaluar në sitën e tyre të gjithë kontratën e ndërtimit të rrugës së shumëpërfolur Durrës-Kukës. Sipas ekspertëve të KLSH-së, janë konstatuar një sërë problemesh ligjore në kontratën për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Sipas tij, ekspertët e KLSH-së kanë evidentuar shkelje të rënda në kontratën e rrugës Durrës-Kukës. Në këto kushte, KLSH-ja ka dorëzuar edhe kallëzime penale në Prokurori, për përgjegjësit e këtyre shkeljeve, ku pritet edhe ndjekja penale e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›