E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet Kodi i Drejtimit te Brendshem te shoqerive tregtare ne Shqiperi

Këshilli Konsultativ i Biznesit, miraton Kodin e Drejtimit të Brendshëm të Shoqërive Tregtare në Shqipëri

Nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, Këshilli Konsultativ i Biznesit, miratoi sot “Kodin e Drejtimit të Brendshëm të shoqërive tregtare në Shqipëri”.

KODI është një material mbështetës dhe orientues për shoqëritë tregtare që operojnë në Shqipëri, që këto të fundit të zhvillojnë një kuadër të shëndoshë të drejtimit të brendshëm. Në këtë rast METE ofron vetëm një “model” dhe shoqëritë tregtare, të cilat nga ana e tyre janë të lira ta zhvillojnë dhe adoptojnë atë sipas kushteve përkatëse.

Ministri i METE, z. Nasip Naço, bëri një prezantim të shkurtër të këtij kodi, hartimi i të cilit është bërë me ekspertizën e IFC-së, i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Në këtë Kod-tha ministri, janë të përcaktuara qartë 14 parimet e drejtimit të brendshëm për të gjitha shoqëritë aksionere që nuk janë të regjistruara në bursë”.

“Në një kuadër efektiv të qeverisjes së shoqërive tregtare përcaktohen rolet, përgjegjësitë si dhe një shpërndarje e kompetencave ndërmjet aksionerëve, bordit, menaxhimit dhe palëve të tjera të interesuara. Ky Kod mbetet në gjykimin tuaj për një zbatim vullnetar të tij dhe sipas kushteve që paraqiten për çdo shoqëri tregtare të kësaj natyre”- u shpreh ministri Naço.

Ndërsa zëvendësministri i METE, z. Enno Bozdo gjatë fjalës së tij tha se “METE e konsideron këtë KOD si një nevojë të bizneseve vendase për të qenë të përafruar nga pikëpamja e kuadrit rregullator me bizneset europiane”.

“Për efekt të unifikimit të terminologjisë së përdorur në ligjin e shoqërive tregtare dhe në shërbim të zbatimit sa më të mirë- tha më tej ai, ne e kemi emërtuar: Kodi i Drejtimit të Brendshëm të Shoqërive Tregtare”.

Ndërkohë KODI, u vlerësua edhe nga përfaqësuesit e shoqatave të biznesit, të pranishëm në këtë takim, duke e quajtur atë si shumë të nevojshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›