E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ilaçeve në QSUT, mungojnë dhe serumet

TIRANE-Pacientët të cilët shtrohen në shërbimet e ndryshme të Qendrës Universitare Spitalore "Nënë Tereza" ankohen se çdo ditë përballen me mungesa të të gjitha llojeve. Madje sipas tyre mungesat janë aq të mëdha saqë këto ditë nuk mund të gjesh as serume. "Infermieret na thonë që ta përdorim me kursim serumin pasi nuk ka, po si mund t'ia jap edhe serumnin me kursim kur burri im sapo është operuar dhe ka nevojë të domosdoshme për ta. Kështu që në shumë raste i blejmë vetë", - ka denoncuar mungesën e medikamenteve që grua në redaksinë e "Gazetës" me shpresën se duke e publikuar lajmin do të mund të zgjidhet problemi i saj.
Ndërkohë që gjendja e rënduar në spitale është pranuar edhe nga kreu i "Urdhrit të Infermierit", Sabri Skënderi. "Është shqetësuese mungesa e materialeve të mjekimit, e një serumi antitetanik, të një ultrakorteni, të antivipera, adrenalinës, materiale që janë domosdoshmëri për dhënien e ndihmës së parë në këto institucione", - ka pohuar ai. Por pavarësisht këtyre ankesave që vijnë nga vetë ata që kanë nevojë për ndihmën e mjekëve në QSUT, sipas drejtuesve të farmacisë së Qendrës Universitare Spitalore "Nënë Tereza", të cilët furnizojnë çdo ditë të gjitha shërbimet e kësaj qendre me çdo lloj medikamenti apo materiali mjekësor, nuk ka mungesa të serumeve. "Nuk kanë munguar prej asnjë ditë dhe janë të gjitha llojeve. Sa herë që kryeinfermieret na bëjnë kërkesë për të marrë serume ne i kemi furnizuar me aq copë sa na kanë kërkuar ata", - na shpjegojnë drejtuesit e farmacisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›