Kriza globale, ulen edhe çmimet e importit të energjisë
Kriza globale financiare duket se ka ndikuar edhe në rënien e çmimit të energjisë elektrike në tregjet e huaja. Sipas drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), çmimet në tregjet botërore realisht janë ulur me 25-30 %. Kjo lidhet me faktin se edhe kriza ka efektet e saj, pasi po përballemi me një rënie të ekonomive të shumë prej vendeve të zhvilluara. Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare vjen edhe për shkak të një situate hidrike më të mirë, si pasojë e rritjes së nivelit të reshjeve. Për sa i përket furnizimit me energji në vend, pjesa më e madhe e kërkesës për energji plotësohet nga prodhimi vendas dhe kjo si rezultat i situatës së mirë hidrike në kaskadën e Drinit. Sipas drejtuesve të KESH-it, këtë vit po përdoret një koncept i ri për optimizimin e furnizimit me energji. Ky koncept ka të bëjë me optimizimin dhe maksimizimin e kaskadës, që do të thotë përdorimi i rezervave tona hidrike në oraret e pikut dhe importin e energjisë gjatë natës. Konkretisht në kohën kur është piku i konsumit të energjisë, ne përdorim rezervat tona, pasi çmimet në bursa në këtë kohë janë mjaft të larta, ndërsa gjatë natës KESH bën furnizimin me energji nëpërmjet importit. Në këtë kohë edhe çmimet janë më të ulëta. Me përmirësimin e situatës hidrike në vend, KESH eksportoi energji drejt Greqisë për 40 ditë më radhë, ndërkohë që në varësi të reshjeve eksporti i energjisë drejt vendeve të tjera mund të rinisë sërish.