E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat grabisin 80 mijë lekë nga dyqani

 

TIRANE- Dy persona me maska grabitën mbrëmjen e të mërkurës një dyqan në rrugën "Frosina Plaku", pranë Institutit të Fizkulturës. Autorët morën nga dyqani në pronësi të Astrit Muharremit, 46 vjeç, rreth 800 mijë lekë dhe një sasi të konsiderueshme kartash rimbushëse. Sipas burimeve të policisë që i referohen të dëmtuarit, krimi ka ndodhur nën kërcënimin e një arme, duke detyruar Muharremin t'u jepte të maskuarve mallra me vlerë dhe paratë. Pas grabitjes autorët janë larguar të qetë nga vendi i ngjarjes. Policia pas mbërritjes në vendin e ngjarjes ka nisur veprimet e saj hetimore duke mbledhur provat dhe dëshmitë e personave të pranishëm. Pas marrjes së deklarimeve të pronarit të dyqanit, policia ka ngritur dyshimet e saj mbi disa persona të skeduar. Në ambientet e Komisariatit të Policisë nr.2, blutë kanë shoqëruar disa të dyshuar, të cilët janë marrë në pyetje nga hetuesit. Dyshimet e oficerëve të krimeve kanë rënë mbi disa të rinj të zonës pranë kësaj lagjeje, të cilët sipas specialistëve janë të regjistruar në skedat e policisë mbi veprimet e tyre kriminale. Ekspertët kriminalistë kanë administruar në dyqan gjurmë, që sipas burimeve mendohet se iu përkasin dy autorëve të krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›