Amato: Serbia të kuptojë se Kosova është shtet
"Serbia duhet të kuptojë dhe jo të bindet nga të tjerët, se Kosova ekziston si shtet", deklaroi Giuliano Amato, ish-kryeministër i Italisë dhe kryesues i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin. Amato, i cili para katër vjetësh kishte dalë me propozimin që Kosova të kalojë nëpër katër faza të pavarësisë së mbikëqyrur, në një intervistë për gazetën "Politika" të Beogradit, thekson se as sot nuk e ka ndërruar mendjen për këtë çështje. I pyetur nëse rrethanat kanë ndërruar ndërkohë, Amato ka thënë: "Po, megjithatë ndodhi të vijmë deri te njohja e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbia ende të mendojë njësoj. Kjo e bëri të gjithë procesin shumë të komplikuar dhe vetëm Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë mund të sjellë një vendim që do të na ndihmonte". Sa i përket mundësisë që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të ndryshojë ndonjë gjë, Amato ka thënë se kjo do të varet se çfarë do të jetë vendimi. Ai ka kujtuar se Serbia ka marrë pozicion që të tregohet e përmbajtur ndaj çfarëdo vendimi tjetër që nuk do të jetë refuzues ndaj pavarësisë së Kosovës - ndërsa ka shtuar se, edhe nëse Gjyqi do të merrte një vendim që në një formë do ta kthente Kosovën në kuadër të Serbisë, kjo nuk do të ishte e pranueshme. "Edhe po të merrej një vendim i tillë, me kushte dhe kufizime të caktuara, kjo do ta çonte diskutimin në një drejtim krejt tjetër", konsideron Amato. I pyetur ndërkaq se pse ky drejtim nuk mund të ndërrohet, kreu i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, (pjesë e të cilit është edhe shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta), ka thënë: "Duhet të jemi realistë, Serbia ka hequr dorë nga Kosova si pjesë e përgjegjësisë së saj qysh para disa vjetësh, kur Koshtunica kishte marrë vendim të pranonte një lloj të përgjegjësisë ndërkombëtare për Kosovën. Pyes nëse dikush në atë kohë kishte pritur që Kosova do të mund të kthehej në statusin e mëparshëm. Teorikisht kjo është e mundur, por jo edhe e pritur". Sa i përket mundësisë për bisedime të reja, ish-kryeministri italian ka thënë se, edhe kjo gjë do të varet nga vendimi i GJND-së. "Ndoshta po gaboj, mirëpo nuk pres që statusi i Kosovës të jetë para një sfidë radikale. Gjyqi ndoshta do të konsiderojë se, megjithatë, do të jetë i nevojshëm një koordinim me Serbinë", tha ai. Në lidhje me papajtueshmërinë e Serbisë me statusin e Kosovës, por edhe të disa vendeve të BE-së dhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, Amato ka thënë se Serbia nuk ka nevojë të pajtohet e as të bëjë ndonjë gjë për shkak të dikujt tjetër. Mirëpo, vijoi ai, mendja e shëndoshë thotë se ky shtet i vogël (Kosova) ka lindur dhe nuk mund të mendohet për një kthim 10 vjet prapa. "Bëhet fjalë për faktin se Serbia duhet të kuptojë këtë gjë dhe jo të bindet nga dikush tjetër. Për këtë gjë nevojitet kohë", ka shtuar ai. Ndërkaq, duke folur për shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Amato ka deklaruar se, pa një lloj marrëveshjeje Rusia vështirë se do ta pranojë ekzistimin e Kosovës si shtet. "Megjithatë, të mos harrojmë se Rusia e ka shfrytëzuar shembullin e Kosovës për çështjen e saj të dy republikave të Gjeorgjisë. Spanja ka vështirësi të mëdha të pranojë Kosovën - mirëpo çështja e Kosovës nuk i intereson fare Spanjës - ajo ka probleme vetjake", ka vazhduar në qëndrimin e tij, ish-kryeministri dy herë i Italisë.
Përgatiti: Y.Pata