Kriza e rajonit po zhvlerëson euron, kush përfiton dhe kush humbet
Ervin KOÇI
Pas shumë muajsh forcimi të vazhdueshëm, euro është dorëzuar më në fund edhe ndaj monedhës tonë lekut. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se euro arriti këtë të enjte në tregun valutor vendas pikën më të ulët ndaj lekut në tetë muajt e fundit.
Sipas BSH-së, një euro u këmbye në tregun e brendshëm mesatarisht me 136.59 lekë, nivel në të cilin monedha europiane nuk kishte rënë që nga tetori i vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fillimin e prillit, euro është zhvlerësuar me 1.7 për qind ndaj lekut duke u blerë 2.4 lekë më pak. Kriza greke dhe gjendja e vështirë financiare në disa vende të BE-së po e rrëzojnë euron thuajse ndaj të gjitha monedhave të tjera. Ndaj dollarit amerikane monedha e përbashkët europiane ra sot në nivelin më të ulët të 14 muajve të fundit ku një euro u këmbye me 1.28 dollarë. Vetëm gjatë këtij viti euro është zhvlerësuar me 10.5 për qind ndaj dollarit dhe 3.8 për qind ndaj monedhës britanike paund. Tashmë euro nuk shihet më si monedha më e sigurt në treg për shkak të pasigurive që ka krijuar kriza greke dhe gjendja e vështirë e Portugalisë dhe Spanjës.
Pasojat
Bursat në të katër anët e botës vijuan të regjistrojnë rënie, ndërsa interesat e bondeve europiane u rritën për ditën e dytë radhazi, si pasojë e frikës së përhapur mes investitorëve, se plani i FMN-së dhe BE-së për shpëtimin e Greqisë mund të dështojë të japë rezultate. Investitorët u përqendruan në blerjen e bondeve të sigurta të Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë. Tregjet, duket qartësisht tashmë se nuk janë impresionuar nga programi me vlerë 110 miliardë euro për ndihmën ndaj Greqisë, duke arsyetuar se kushtet e vendosura për Athinën mund të jenë të pazbatueshme në praktikë për shkak të shkallës së lartë të sindikalizmit dhe protestës në gjirin e shoqërisë greke. Kostoja e sigurimit të borxheve kundrejt falimentit për bondet e Portugalisë dhe Spanjës kanë vijuar të rriten, ndërsa vlera e aksioneve në këto dy vende ra me më shumë se 2 për qind. Monedha e përbashkët europiane ra dje në 1.2928 dollarë, sipas të dhënave të agjencisë “Reuters”, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga gushti i vitit të kaluar. “Mënyra shumë e dyshimtë me të cilën u trajtua kriza greke është shkaku kryesor i rënies së euros”,- komentoi një ekspert në Londër. “Unë mendoj se euro mund të ulet deri në 1.25 dollarë”,- vijoi ai. Si pasojë e këtyre ndryshimeve në tregun ndërkombëtar, dollari kushtoi dje në Tiranë 105.42 lekë sipas kursit fiks të BSH-së, me rritje prej më shumë se 1 lekë në krahasim me të martën. Euro humbi 39 qindarka dhe u këmbye në mesditë mesatarisht me 136.89 lekë. Në tregun ndërbankar, rënia e euros kundrejt lekut ishte edhe më e madhe. Pasdreke u shënua kuota 135.8 lekë, gjë që mund të pasqyrohet në tregun me pakicë gjatë ditëve të ardhshme.
Greqia
Shqipëria pati planifikuar të emetojë eurobondet të enjten e kaluar, por asnjë investitor nuk u afrua për të blerë, për shkak se investimet në bondet e qeverisë greke japin aktualisht interes më të lartë se sa ofronte Shqipëria, ndërkohë që bondet greke janë më cilësore se ato të vendit tonë, sipas klasifikimit të “Standard & Poor’s”. Të dielën, Athina nënshkroi një marrëveshje ndihme me FMN-në dhe Bashkimin Europian me vlerë 120 miliardë euro, gjë që mendohej se do t’i qetësonte investitorët dhe do të ulte interesat stratosferike që kërkohen sot për blerjen e bondeve greke. Të hënën, interesat e borxhit të Greqisë u reduktuan me 1-1.5 për qind, por kjo nuk qe e mjaftueshme. Dje, bursat në të gjithë botën ranë, së bashku me euron, ndërsa interesat e borxhit grek pësuan rritje. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë u rritën me 36 pikë bazë dhe u shkëmbyen për 8.8 për qind. Euro humbi 1 për qind kundrejt dollarit, duke u këmbyer për 1.3 USD, nga 1.31 USD që vlente të hënën. Investitorët mendojnë se shpëtimi i Greqisë sipas stilit të FMN-së, përmes shkurtimit drastik të shpenzimeve, mund të kthehet në një skemë vetërrënuese, pasi me uljen e shpenzimeve qeveritare, Greqia ka gjasa të hyjë në një recesion që mund të zgjasë për shumë vite.
BOX.......................................
Tkurren paratë e emigrantëve, BSH jep alarmin
Familjet shqiptare duhet të jenë tepër vigjilentë ndaj zhvillimeve të krizës ekonomike në vendet ku ndodhen shumica të afërmve të tyre emigrantë. Në raportin e saj të fundit për stabilitetin financiar, Banka e Shqipërisë vëren se dërgesat e emigranteve kanë lidhje të drejtpërdrejt me punësimin. Ndaj BSH-ja këshillon të gjitha familjet shqiptare që të përpiqen të sigurojnë burime të tjera financimi, para se kjo rënie e dërgesave nga emigracioni të reflektojë rënien e konsumit të tyre. Rritja e papunësisë në vendet e Europës është reflektuar drejtpërsëdrejti dhe në rënien e të ardhurave nga emigracioni. Në kushtet kur në Shqipëri më shumë se 60 për qind e të ardhurave nga emigrantët përdoret nga familjet për konsum, rritja e papunësisë në vendet me emigracion të lartë të shqiptarëve, si në Itali dhe Greqi, jep ndikim të padëshiruar dhe të rëndë në buxhetet e tyre. Gjatë vitit 2009, sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga emigracioni ranë me 6.39 për qind krahasuar me një vit më parë. Fatkeqësisht Komisioni Europian ka parashikuar që edhe gjatë vitit 2010, papunësia në vendet europiane do të vazhdojë të rritet, ajo mund të fillojë të ulet vetëm pas vitit 2011. BSH-ja vëren në analizën e saj të fundit se dërgesat nga emigrantët mund të ulen edhe për shkak se bankat e vendeve ku ndodhen emigrantët do të rrisin ofertën e tyre për të rritur depozitat. Për pasojë, paratë që do të mund të vinin në Shqipëri do të qëndrojnë si kursime në vendet ku emigrantët janë, kështu që edhe pas rimëkëmbjes ekonomike të këtyre vendeve, familjet shqiptare do të vuajnë mungesën e parave nga emigracioni.
e
7 Maj 2010