E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria jep 800 mijë dollarë për sjelljen e investitorëve të huaj në vend



Buxhetit të Kryeministrisë i është shtuar një fond prej 80 milionë lekësh (rreth 800 mijë dollarë) në zërin “shpenzime korrente”. Vendimi është marrë pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, por vetëm tani ai është bërë publik me botimin në Fletoren Zyrtare. Shuma prej 80 milionë lekësh do t’i shërbejë shtabit të kryeministrit për të lobuar në botë rreth imazhit pozitiv të vendit, si dhe për gjetjen e investitorëve të huaj. Burime zyrtare nga Ministria e Financave sqarojnë se fondi në fjalë do t’u jepet një pjesë të kompanive të huaja të specializuara në fushën e lobingut, ku bëjnë pjesë ish-politikanë karriere etj. Vendimi për shtimin e fondit është marrë nga Këshilli i Ministrave më 26 prill, me propozim të ministrit Genc Pollo, që mbulon inovacionin dhe teknologjinë e informacionit e të komunikimit. Në pikën 1 të vendimit thuhet se, “fondi 80 milionë lekë do të shërbejë për përballimin e shpenzimeve për shërbimet e kërkimit në fushën ligjore dhe lobingut, të cilat do të shërbejnë për thithjen e fondeve nga programet e ndihmës së huaj, përfshi dhe kompaktin nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit”. Gjithashtu, shuma në fjalë do të shërbejë për thithjen e investimeve të huaja direkte, nga SHBA-të dhe vendet e ndryshme të botës. Fondi prej 80 milionë lekësh u sigurua nga buxheti rezervë që mban qeveria, i cili përdoret për raste emergjente (apo katastrofash). Totali i buxhetit të Kryeministrisë për vitin 2010 është 404 milionë lekë, ku 50 milionë lekë janë parashikuar për investime kapitale.

Prifti: “Shqipëria, superfuqi rajonale e energjisë së rinovueshme”

“Do ta kthejmë Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme”, - ka deklaruar dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë fjalës së mbajtur në forumin “Crans Montana” që po zhvillohet në Tiranë. Duke ftuar investitorët e huaj të investojnë në sektorin energjetik shqiptar, ai bëri me dijeni faktin se siguria e furnizimit me energji elektrike është prioritet absolut i qeverisë shqiptare. Ministri i Ekonomisë, përmendi faktin se vetëm në dy vitet e fundit janë dhënë koncesione të reja për prodhimin e 900 megavatëve energji, nëpërmjet hidrocentraleve, ndërkohë që ka të paktën 2000 megavat kapacitet energjetik që duhet të shfrytëzohet. Objektivi numër 1, sipas tij, mbi sektorin energjetik, është që të realizojë furnizimin me energji elektrike, duke mbështetur rritjen ekonomike me të paktën 6 për qind në vit. “Ndërsa objektivi i dytë, - sipas ministrit Prifti, - është ai që Shqipëria të bëhet në 5 deri në 6 vjet vendi me energjinë më pak të shtrenjtë në rajon. Objektivi konsiston në atë që ne ta shesim energjinë me çmimin më të ulët”. Ndërkohë që objektivi i tretë, sipas tij, dhe më i rëndësishmi, është kthimi i Shqipërisë në një superfuqi rajonale të energjisë së rinoveushme.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›