E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti Tiranës, letër Ramës: “Zhblloko bulevardin”



Pas disa letrave radhazi nga policia, dje, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka marrë një tjetër letër nga prefekti i qarkut të Tiranës, Keltis Kruja. Kruja i ka kërkuar në këtë letër kreut të Partisë Socialiste që të zhbllokojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasi ka bllokuar trafikun në kryeqytet dhe se greva është e paligjshme. Në këtë letër Kruja bën të ditur se ka marrë shumë ankesa nga qytetarët e Tiranës për kaosin në trafik që ka shkaktuar bllokimi i bulevardit, për shkak të zhvillimit prej disa ditësh të grevës së urisë së protestuesve të Partisë Socialiste. Sipas Krujës, në bazë të ligjit nuk lejohen tubime më gjatë se një ditë, ndaj dhe e cilëson bllokimin e bulevardit në shkelje të plotë me ligjin. Ai i bën thirrje Ramës që të mos shfrytëzojë postin e kryetarit të Bashkisë për qëllime politike.

PD-ja i bën thirrje Ramës të pranojë shërbimin shëndetësor për grevistët

Selia blu, nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Erla Mëhilli, i bëri thirrje dje kreut të PS-së që të pranojë shërbimin shëndetësor për grevistët. Mëhilli e cilësoi si akt mizor vendimin e PS-së për të mos pranuar shërbimin zyrtar shëndetësor për grevistët. “Në një akt të ri mizor, pasi ka mbyllur në burg në mes të bulevardit deputetë dhe militantë të partisë së tij, pasi ka mbyllur në burg nëna me fëmijë të vegjël, nuk i lejon autoritetet zyrtare shëndetësore të hyjnë në çadra dhe të asistojnë grevistët e urisë për shëndetin e tyre. Këtë proces ua ka besuar militantëve fanatikë të Partisë Socialiste. Ky është një akt i shëmtuar dhe i paprecedent edhe në burgjet e diktaturave më të egra. Rama duhet të lejojnë urgjentisht autoritetet zyrtare shëndetësore të bëjnë kontrollin e gjendjes shëndetësore të grevistëve”, - është shprehur Mëhilli.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›