Meta: “Ka ende hapësira për ta zgjidhur krizën, duhet dialog”
Eljona Ballhysa
Maxhoranca po bën përpjekje për ta bindur opozitën për rifillimin e dialogut. Shenja e uljes së toneve dhe e ftesës për rishqyrtimin e kërkesave tw opozitës është dhënë dje nga zëvendëskryeministri Ilir Meta. Ai tha dje për mediat se është i gatshëm të kontribuojë në zgjidhjen e situatës, por, sipas Metës, kjo arrihet vetëm nëpërmjet dialogut mes palëve. Meta tha gjithashtu se ka ende hapësira ligjore për të arritur në një marrëveshje që duket se mund t’i kënaqë të dyja kampet e politikës, edhe opozitën socialiste që kërkon transparencë të plotë të zgjedhjeve, edhe maxhorancën në pushtet. Zëvendëskryeministri pohoi se si ai, ashtu dhe kryeministri Berisha, janë të gatshëm dhe të hapur për t’u takuar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, në mënyrë që të gjendjet zgjidhja dhe t’i jepet fund grevës disaditore të urisë të rreth 200 vetave, duke përfshirë këtu edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Ftesa
“Dua të theksoj fort se ekzistojnë të gjitha mundësitë e të gjitha hapësirat që përmes dialogut, dialogut dhe vetëm dialogut, të ecet me besim drejt daljes nga kjo situatë dhe njëkohësisht që të gjitha pretendimet e tyre lidhur me hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 28 qershorit të merren në konsideratë, natyrisht duke respektuar parimet e shtetit ligjor dhe të Kushtetutës së vendit. Por unë jam shumë i bindur se mbeten ende shumë mundësi për t’u eksploruar, për t’u kombinuar në mënyrë më të mirë të mundshme dhe më konstruktive, pikërisht për transparencën me Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë”, - është shprehur zëvendëskryeministri, duke nënkuptuar se ekzistojnë mundësitë që të gjendet një zgjidhje që do të kënaqë të dyja palët, por që duhet të diskutohet në një tryezë dialogu.
Madje Meta ka shtuar se ekzistojnë mundësitë e zhvillimit të një takimi mes Berishës e Ramës. “Absolutisht që unë mbështes vetëm dialogun dhe çdo takim është veçse i dobishëm. E kam theksuar edhe më parë se duhet të heqim çdo barrikadë, pasi barrikadat nuk na afrojnë, por na largojnë nga njëri-tjetri dhe nga zgjidhja, e cila do të risillte normalitetin politik dhe demokratik në vend. Dhe unë jam i bindur që kryeministri Berisha është i hapur për t’u takuar me z. Rama, pasi jam i bindur që është vullneti i maxhorancës për të ecur drejt një zgjidhjeje demokratike, konstruktive dhe jokonfrontuese. Por, natyrisht që vullneti duhet të ofrohet nga të gjithë dhe e theksoj se dialogu është i vetmi mjet që ndihmon përfundimin e kësaj greve, të kësaj sakrifice që po bëjnë kolegët deputetë dhe përkrahësit e tyre, i cili njëkohësisht çon përpara edhe pretendimet e tyre”, - ka theksuar kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ai shtoi gjithashtu se është i hapur të vendosë kontakte me grevistët për gjetjen e një zgjidhjeje ndërsa konfirmoi se ka zhvilluar biseda telefonike me deputetët grevistë. “Unë jam i hapur për çdo lloj kontakti. Unë personalisht, edhe si zv. Kryeministër, ministër i Jashtëm, edhe si Kryetar i LSI-së, jam shumë i predispozuar për të kontribuar drejt daljes në mënyrë konstruktive nga një situatë e cila nuk është e këndshme në radhë të parë për ata që ndodhen atje prej kaq ditësh, dhe njëkohësisht për të gjithë”, është shprehur Meta, ndërsa bëri thirrje që opozita të tregojë vullnet për të rivendosur dialogun mes palëve.
PD-PS, marrëveshja e Brukselit që rrëzoi Berisha
Ndërmjetësimi i PE-së: Ngritja e një komisioni hetimor, i negociuar paraprakisht dhe i pranuar nga palët
Marrëveshja u negociua “kokë më kokë” mes dy prej personazheve kryesorë të PD-së dhe PS-së në PE
Armando Meta
Vetëm pak ditë më parë, PD dhe PS kanë qenë pranë arritjes së një kompromisi në Bruksel, por që në minutat e fundit është shkërmoqur nga kryeministri Sali Berisha. Burime të besueshme bëjnë të ditur se zyrtarë të lartë të Parlamentit Europian, gjatë mbledhjes së dytë të Komitetit Ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE-së, kishin përgatitur një draft-marrëveshje, e cila mendohej se do t’i afronte palët për të shkuar drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme lidhur me krizën politike në vend. Draft-marrëveshja e servirur nga Brukseli kishte marrë më parë edhe miratimin e grupeve parlamentare të majta dhe të djathta të Parlamentit Europian dhe synonte kthimin e normalitetit politik në vend, vënien në funksionim të Kuvendit, si dhe ndërprerjen e grevës së urisë të organizuar nga opozita për transparencën e zgjedhjeve. Thelbi i kësaj marrëveshjeje ishte krijimi i një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, i negociuar paraprakisht mes palëve, i cili më pas do të marrte edhe bekimin e Kuvendit. Por, ndërsa delegacioni i PD-së dhe i PS-së në PE po afrohej drejt pranimit të kësaj formule të ndërmjetësuar nga zyrtarët më të lartë të Brukselit, befas e gjithë ngrehina e ndërtuar përmes një negocimi shumë të vështirë është shembur nga kryeministri Berisha, i cili ka refuzuar të pranojë këtë zgjidhje. Mësohet se kreu i qeverisë ka pasur një kontakt telefonik me deputetin e PD-së, Fatos Beja, i pranishëm në këtë mbledhje, telefonatë që ka përmbysur thuajse të gjithë marrëveshjen për të cilën kishin rënë dakord PD-PS në 90% të tekstit. Arsyet e vërteta të hedhjes poshtë të kësaj marrëveshjeje nga ana e numrit një të qeverisë deri tani nuk janë bërë publike.
Odiseja e marrëveshjes
Përpara nisjes së deputetëve të PD-së dhe PS-së drejt Brukselit, zyrtarët e lartë të PE-së kishin hartuar një dokument për marrëveshje, i cili u ishte shpërndarë palëve që në Tiranë. Nga burime parlamentare mësohet se dokumenti ishte hartuar në një gjuhë të përgjithshme. Mbi këtë dokument kishin bërë amendamente si PD-ja, ashtu dhe PS-ja, të cilat u paraqitën më pas përpara europarlamentarëve. Ajo që binte në sy ishte fakti se numri i amendamenteve të PD-së ishte shumë i vogël krahasuar me ato të PS-së. Duke marrë shkas nga debati i tendosur që po zhvillohej në Bruksel mes PD-së dhe PS-së, zyrtarët e lartë të PE-së ideuan hartimin e një draft-marrëveshjeje të re në të cilën gjenin përfaqësim opsionet e të dyja palëve. Burime të rezervuara bëjnë të ditur se kjo marrëveshje e re u negociua “kokë më kokë” mes dy prej personazheve kryesorë të PD-së dhe PS-së në këtë delegacion. Edhe mbi këtë dokument të ri PD-ja dhe PS-ja bënë një seri amendamentesh të tjera. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt rënies dakord, pasi palët kishin pranuar thuajse 90% të tekstit të marrëveshjes, befas bisedimet u ndërprenë, pasi kryeministri Berisha, nëpërmjet një telefonate bërë deputetit Beja, bëri të qartë se nuk ishte dakord me këtë dokument. Deklarimi i Bejës në PE se PD-ja është kundër draftit që vetëm pak minuta më parë ishte pranuar nga të dyja palët në pjesën dërrmuese, la me “gojë hapur” edhe parlamentarët e së djathtës europiane, të cilët kishin mbështetur dokumentin në fjalë. Në këto rrethana bisedimet u ndërprenë dhe për pasojë Komiteti Ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE-së nuk mundi të miratojë deklaratën e përbashkët me rekomandimet përfundimtare. Shpresat për një zgjidhje të shpejtë të krizës politike në vend u shuan. Shqipëria u bë i treti vend që nuk arrin të miratojë një deklaratë në PE, pas Turqisë dhe Maqedonisë. Por, me dallimin se në rastin e Turqisë bëhej fjalë për Qipron, ndërsa për Maqedoninë për çështjen e emrit. Pra, për probleme të jashtme, dhe jo të brendshme. Mbetet për të parë se cilat do të jenë lëvizjet e radhës së diplomacisë ndërkombëtare, e cila duket mjaft e zhgënjyer nga zhvillimet politike në vend.
7 Maj 2010