Meta: “Do të garantojmë shërbim shëndetësor falas për individët e moshës së tretë”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, bëri dje një vizitë në një nga farmacitë e kryeqytetit, ku u takua rastësisht me disa përfaqësues të moshës së tretë, që po blinin ilaçe. Meta bashkëbisedoi me individët e moshës së tretë për hallet dhe shqetësimet që kishin. Gjatë bashkëbisedimit përfaqësuesit e moshës së tretë i shprehën kreut të LSI-së shqetësimin për vështirësinë në blerjen e ilaçeve, pasi pensionet tepër të ulëta nuk u mundësojnë që ata të kenë një kujdes shëndetësor normal për vetveten.
Meta i garantoi përfaqësuesit e moshës së tretë se me fitoren e LSI-së më 28 qershor, shërbimi shëndetësor për moshën e tretë do të jetë krejtësisht pa pagesë dhe që do të bëhet rimbursim i plotë i të gjitha medikamenteve që janë të nevojshme për shëndetin e çdo individi të moshës së tretë. Meta theksoi: “Unë jam sot këtu në një nga farmacitë e kryeqytetit pikërisht sepse jemi të ndërgjegjshëm për shqetësimet që kanë qytetarët e sidomos individët e moshës së tretë përsa i takon rimbursimit të medikamenteve mjekësore, të cilat kanë disa probleme, kanë një problem të gamës së rimbusimit të këtyre medikamenteve, e cila është e kufizuar dhe, për fat të keq, shpeshherë ilaçet e domosdoshme, që janë më të shtrenjta, nuk përfshihen në listën e rimbursimit për arsye të kostos. Dhe së dyti, problemi i cilësisë dhe i sigurisë dhe efekti i këtyre medikamenteve për shëndetin e shqiptarëve, sidomos të moshës së tretë. Në këtë drejtim ne jemi të angazhuar edhe përmes projektligjit për moshën e tretë, që është bërë publik dhe që është një angazhim për t’u miratuar në Parlamentin e ardhshëm, pasi për fat të keq, Parlamenti që po mbyllet nuk e aprovoi. Pas fitores së LSI-së më 28 qershor shërbimi shëndetësor për moshën e tretë do të jetë krejtësisht pa pagesë dhe do të bëhet rimbursim i plotë i të gjitha medikamenteve që janë të nevojshme për shëndetin e çdo individi të moshës së tretë”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
27 Prill 2009