E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, Fullani takon përfaqësuesit e zyrave të këmbimit valutor

Në Shqipëri funksionojnë 227 zyra këmbimi valutor
Në kuadër të krizës që ka përfshirë ekonominë botërore, e cila ka filluar të shfaqë simptomat e saj edhe në vendin tonë, ku ditët e fundit kanë pasqyruar një dobësim të ndjeshëm të lekut, Banka e Shqipërisë po kryen një kuadër takimesh me grupet e interesit që mbulojnë aktivitetet financiare në vend.  Ditën e djeshme guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi  një takim me përfaqësuesit e zyrave të këmbimit valutor. Në takim u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në ekonominë shqiptare, çështjeve që lidhen me funksionimin më të mirë të tregut financiar dhe rolin e aktorëve të këmbimit valutor në këtë treg. Z. Fullani e vlerësoi tregun e këmbimeve valutore si më të zhvilluarin në vend, duke theksuar se zyrat e këmbimit valutor kanë luajtur dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin dhe ecurinë e tij.  Guvernatori Fullani pranoi se aktiviteti i këmbimeve valutore  ka pasur zikzaket e veta në luftën midis formalitetit dhe informalitetit. Por, gjithmonë sipas Fullanit, këto vitet e fundit zhvillimet kanë qenë shumë pozitive në këtë drejtim. Aktiviteti i zyrave të këmbimit ka shënuar rritje që nga viti 2000. Banka e Shqipërisë ka emetuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor, me një shtrirje territoriale gjithëpërfshirëse. Vetëm në periudhën qershor 2007 dhjetor 2008 janë paraqitur dhe është dhënë miratimi për 136 raste licencimi të zyrave të këmbimit valutor. Sipas Fullanit  Banka e Shqipërisë adoptoi një grup rregullash më liberale në ushtrimin e aktivitetit valutor, veçanërisht në drejtim të kapitalit minimal të kërkuar.  Banka e Shqipërisë vazhdimisht ka vlerësuar tregun e këmbimeve valutore si tregun më të zhvilluar në vend, shprehje kjo jo vetëm e forcës së iniciativës së lirë të tregut por edhe e ekzistencës së një ambienti më konkurrues në të,- ka thënë Fullani.  Ndërkohë që sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, pavarësisht rritjes së peshës së tregut ndërbankar dhe rolit gjithnjë e më të madh që, bankat e nivelit të dytë po luajnë në gjenerimin e likuiditetit dhe përcaktimin e çmimit në këtë treg, Banka e Shqipërisë vazhdon ta shohë si të nevojshëm rolin tuaj në rritjen e eficiencës së mëtejshme në mënyrën e funksionimit të tregut valutor. Gjatë diskutimit të tij me përfaqësuesit e zyrave të këmbimit Fullani kërkoi zbatimin me rigorozitet të ligjit për pastrimin e parave.   Siç mund ta dini, në vendin tonë zbatohet regjimi fleksibël i kursit të këmbimit gjë që do të thotë se janë forcat e tregut ato që përcaktojnë nivelin e tij. Sjellja juaj ka ndihmuar që në këtë çmim, të reflektohet në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta për këtë mall duke mënjanuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet e tregut në përgjithësi, si dhe me kushtet makroekonomike në vend. Gjithashtu, po në këtë kuadër, dua të theksoj si pozitive sjelljen tuaj ndaj pozicionimit të flukseve të ardhme të kërkesës dhe ofertës për valutë, veçanërisht në periudha kritike të tregut që lidhen me sjelljen sezonale të kursit të këmbimit si një sjellje racionale, që ndihmon në uljen e volatilitetit të kursit të këmbimit. Në vijim të sa u tha më sipër, Banka e Shqipërisë do të ishte mjaft e interesuar të informohej për opinionet tuaja në lidhje me funksionimin e tregut, ndryshimet pozitive apo negative që kanë ndodhur në vitet e fundit, marrëdhëniet e zyrave të këmbimit me bankat e nivelit të dytë brenda kuadrit të konkurrencës dhe përfitimit të dyanshëm, theksoi Fullani.

Email This Klikime: 21

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›