E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan i dorëzon sot Berishës pyetësorin e anëtarësimit në BE

Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian pritet ti dorëzojë sot kryeministrit Sali Berisha pyetësorin mbi bazën e të cilit Komisioni Evropian do të përgatisë opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Më 16 nëntor Këshilli i Ministrave të BE miratoi kërkesën e Shqipërisë, e cila ishte dorëzuar që në fund të muajit prill. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar prej kohësh se ata kanë kryer të gjitha përgatitjet për të nisur menjëherë nga puna me pyetësorin. Janë mbi 2 mijë pyetje të përfshira në dokumentin përmes të cilit autoriteteve shqiptare do tu kërkohet shpjegim për ecurinë e vendit në të gjitha fushat dhe përputhshmërinë me kriteret e anëtarësimit. Pas kësaj faze do të duhet shumë kohe, rreth 18 muaj, që komisioni të publikojë opinionin për këtë çështje pas marrjes së përgjigjeve të pyetësorit nga Tirana zyrtare. Por qeveria shqiptare ka deklaruar se shpreson ta përmbyllë dhe të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit të ardhshëm. Me marrjen e përgjigjeve, komisioni do të vlerësojë nëse Shqipëria është apo jo në gjendje për të kaluar në fazat e tjera drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndër kriteret bazë të vlerësimit janë ato politike dhe përfaqësuesit e Brukselit e kanë bërë të qartë se klima aktuale politike në Shqipëri nuk i vjen në ndihmë këtij procesi të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Por kushte bazë përbëjnë dhe pasaportat biometrike apo siguria e kufijve. Qeveria ka miratuar ndërkohë vendimin për përcaktimin e procedurave të përkthimit të pyetësorit të Komisionit Evropian, në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, përkthyesit që do të merren me këtë procedurë do të paguhen me 2 mijë lekë për përkthimin e një faqeje kompjuterike. Do të jetë Ministria e Integrimit ajo që do të organizojë procesin e përzgjedhjes së përkthyesve për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit të pyetësorit të Bashkimit Evropian.

Ky lajm është publikuar: 16/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›