U arratis në Rrogozhinë, ekstradohet nga Gjeneva
As tre vjet nuk ka mundur ta shijojë lirinë e fituar me anë të një mashtrimi që u bëri drejtuesve të burgjeve shqiptare, 31-vjeçari nga Elbasani Dashamir Banushi. Dje, zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Klodian Branko, njoftoi se zyra e Interpol Tiranës ka mundësuar ekstradimin nga kryeqyteti i Zvicrës, Gjenevë, drejt vendit tonë të shumëkërkuarin Dashamir Banushi. I njëjti burim tha se i ekstraduari i djeshëm ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga strukturat e Interpolit, sepse në vitin 2006, pasi ka marrë leje nga Burgu i Rrogozhinës për të kaluar fundjavën në shtëpi te prindërit e tij, ka realizuar arratisjen, duke mos u kthyer më në vendin e vuajtjes së dënimit. Për këtë akt, Gjykata e Rrethit të Kavajës ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" për veprën penale të "largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit", parashikuar kjo nga neni 238 i Kodit Penal. Edhe protagonisti i planit të dështuar dje, për të futur në Burgun 313 në Tiranë 36 celularë, Klodian Meraja, ka kryer një arratisje të njëjtë në vitin 2008 nga Burgu i Shën Kollit, si ajo Dashamir Banushit. Njësoj edhe ai ka kërkuar leje për të shkuar në shtëpi për katër ditë, duke iu dhënë për sjellje të mirë, por që në fakt i ka shfrytëzuar për të kryer një vjedhje spektakolare. Pas grabitjes së 80 mijë eurove një biznesmeni mermeri, Klodian Meraja dhe Jashar Meta janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u vendosur në një apartament me qira në malin e Robit, pranë një kompleksi turistik në Durrës, ku edhe janë arrestuar.
Re.kr.
Re.kr.