E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juridiku, mësim te "Skënderbej"

Përfundimi i rikonstruksionit të dy godinave fqinje, Fakultetit Juridik dhe atij të Shkencave Sociale, nuk ka përfunduar ende, edhe pse nesër nis viti i ri akademik 2009-2010.

Studentët e "vjetër", por edhe ata që do të shkojnë në auditor për herë të parë, nuk do të jenë në "shtëpinë" e tyre as këtë vit. Studentët e dy fakulteteve do të jenë në banesë me "qira".

Në fakt, fakultetet nuk do të paguajnë as një çmim, por dje rektorati i Universitetit të Tiranës ka njoftuar se është marrë një vendim përfundimtar lidhur me godinën se ku do të mësojnë studentët e dy fakulteteve. Tre mjedise kanë ofruar asistencë për këto dy fakultete deri në përurimin e godinave se ku do të ndjekin mësimet studentët e Fakultetit Juridik dhe Shkencave Sociale.

Vendimi

Rektorati i Universitetit të Tiranës njofton se është zgjidhur problemi i mjediseve për studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale. Pas kërkesës së universitetit, është arritur gjetja e tre mjediseve alternative për zhvillimin e mësimit për këto fakultete.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale do të zhvillojnë mësim në një prej godinave të Universitetit Ushtarak "Skënderbej". Ndërkohë, studentët e vitit të parë dhe të dytë të Fakultetit të Drejtësisë do të zhvillojnë mësimin në mjediset e "Kinoklubit" të Qytetit Studenti, ndërsa ata të vitit të tretë dhe të katërt do të zhvillojnë mësim në një godinë të Fakultetit të Infermierisë, të vendosur në dispozicion vetëm për këta studentë. Prej ditës së hënë, të gjithë studentët do të nisin mësimin në Universitetin e Tiranës, në mjedise të përshtatura për zhvillimin e veprimtarisë akademike. Rektorati i Universitetit të Tiranës garanton të gjithë studentët e Fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale se nuk do të hasin problem gjatë vitit të ri akademik për ambientet e zhvillimit të mësimit.

Viti i ri akademik

Nesër do të çelet viti i ri akademik 2009-2010 i përcaktuar me udhëzim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Pavarësisht se për një pjesë të studentëve nuk ka përfunduar ende mbyllja e konkurrimit dhe regjistrimit, të gjithë ata maturantë që u shpallën fitues në dy nga fazat e regjistrimit, 12 tetori do të jetë dita e paraqitjes në fakultetet ku janë shpallur fitues. Ndërkohë që nisja e javës pritet të japë edhe më shumë shpresa për ata të cilët presion formularin A3, në mënyrë për të pasur edhe një mundësi për të mos mbetur pa shkollë.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ky formular do të ketë programe të reja dhe do të përfshijë kuotat e mbetura bosh edhe kuotat e mundshme shtesë, vendim që pritet të merret nga Dikasteri i Arsimit para çeljes së fazës së tretë të regjistrimeve. Sakaq, numrin më të madh të kuotave të parealizuara e kanë fakultetet e rretheve.

Sipas informacionit të dhënë nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, menjëherë pas mbylljes së fazës së dytë të regjistrimeve, rezulton që fakultetet e Universitetit të Tiranës të kenë 182 kuota bosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›