E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi i zhvillimit USAID, 100 milionë dollarë për investime në Shqipëri

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, priti dy ditë më parë Douglas Carlston dhe përfaqësues të tjerë të Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Carlston ndodhet në Shqipëri me rastin e mbledhjes së përvitshme të Bordit të FSHAN-së, që organizohet në Tiranë, çdo vit, si dhe për të promovuar krijimin e një fondacioni të ri. Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan ka marrë aprovimin nga qeveria amerikane nëpërmjet Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit (USAID) dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së për të ngritur dhe krijuar një Fondacion të ri jofitimprurës për Shqipërinë, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për Shqipërinë (AADF). Fondacioni i ri pritet të ketë një kapital fillestar me mbi 100 milionë dollarë, fonde të cilat do të përdoren kryesisht për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin e sektorit privat, nëpërmjet programeve, të cilat specifikisht do të mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit, sipërmarrjen private, zhvillimin e kapaciteteve udhëheqëse dhe zhvillimin e turizmit kulturor dhe ekoturizmit. Ministri Tafaj ka siguruar z. Carlston dhe Bordin e FSHAN-së për mbështetjen dhe krijimin e lehtësirave nga ana e MASH-it për një bashkëpunim të ngushtë, me qëllim realizimin e objektivave në fushat prioritare për arsimin në Shqipëri, si trajnimi i mësuesve, përdorimi sa më efikas i teknologjisë së informacionit në shkolla e kurrikul, si dhe forcimin e partnershipit të sektorëve publikë e privatë në arsim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›