E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike dhe injorimi i aspektit social



Gëzim TUSHI

Tani, me sa duket, po afron koha e vështirë ekonomike dhe financiare që të përballemi edhe ne me krizën, e cila për ca kohë dukej se ishte tepër larg dhe e pamundur që të intervenonte në ambientin tonë ekonomik dhe financiar. Fillimi i rritjes së temperaturës ekonomike dhe financiare, që sapo ka filluar të japë simptomat e para të patologjisë, tregon dhe të mbush mendjen që të largohemi nga naiviteti infantil i politikës militante dhe të mendojmë seriozisht për efektet, defektet dhe pasojat e mundshme. Pavarësisht nivelit, intensitetit dhe kurbës së saj, tani askush nuk ka më dyshim: “Hanibal ante portas”.
Do të ish naivitet i zgjatur të besohej se ajo nuk do të prekte ekonominë dhe sistemin financiar të vendit tonë. Sepse kriza ekonomike dhe financiare që po vazhdon të globalizohet dhe thellohet me shpejtësi, pavarësisht deklaratave super-optimiste apo pesimiste të politikës (pozitës dhe opozitës shqiptare), ishte e pamundur të mos ketë efekte të drejtpërdrejta apo reperkursione të tërthorta në situatën ekonomike dhe financiare në vendin tonë. Madhësia e ekonomisë dhe e tregut të brendshëm financiar, nuk besoj se është argument për garanci për “imunitetin antikrizë” të ekonomisë tonë. Me krizat nuk bëhet politikë, as duel pushteti, sepse ato janë dukuri totale me pasoja të përgjithshme, nga e cila nuk shpëton nga përgjegjësia e gjithë klasa politike, secili sipas rolit që luan në pushtet dhe në opozitë. Unë nuk e di ende të saktë se sa ndihen dallgët e krizës në performancën ekonomike buxhetore aktuale të shtetit tonë. Por në xhepat e qytetarëve ka filluar të japë efekt. Sidomos, ajo me siguri që do të ketë efekte të dukshme në buxhetin e ngushtë të 93 mijë familjeve të varfra që jetojnë me asistencë sociale, e cila pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar, është ende simbolike.
A jemi në krizë!
Nëse do të ketë një rritje të mundshme të çmimeve të disa mallrave ushqimore të “dorës së parë”, kjo me siguri që do të ketë pasoja akoma më drastike për këtë grup social. Nuk është gjë e mirë për realitetin ekonomik të shoqërisë në përgjithësi, për nivelin e cenuar të mirëqenies së familjeve tona dhe nivelin aktual të varfërisë, nëse nuk parashikojmë pasojat eventuale të krizës edhe për qytetarët e tjerë. Sepse, me sa duket, edhe qytetarët e shtresës së mesme nuk do ta kalojnë lehtë këtë krizë. Por, ajo që më ka shqetësuar këto ditë më shumë, duket se ka qenë diagram e vlerësimit dhe e perceptimit me tone jorealiste të efekteve eventuale të krizës në ekonominë tonë. Është e vërtetë që për fat, ende, pavarësisht shenjave të jashtme të krizës, efektet deri tani duket se janë ende latente. Por, latent nuk do të thotë inekzistente. Ndaj më ka bërë përshtypje të keqe fakti që deri para disa ditësh, në opinionin politik mbretëronte një qetësi euforike; madje, e shoqëruar me tonet optimiste të epërsisë së ekonomisë tonë dhe të aftësive të saj për të qenë në pozitën e superioritetit antikrizë. Si qytetar këtë e kam ndjerë nga perceptimi mediatik dhe reflektimi i lehtë i klasës politike për krizën ekonomike botërore dhe efektet eventuale të saj mbi ekonominë dhe financat tona. Pa dyshim, është një gjë shumë pozitive që ditët e fundit kriza ekonomike që vazhdon të thellohet në të gjithë globin, është bërë “koperturë mediatike” për të gjithë median elektronike dhe të shkruar shqiptare. Nuk ka ditë që të mos shkruhet dhe të mos flitet për të, herë sinqerisht, e herë me inat, ndonjëherë me profesionalizëm, duke i bërë anatominë e diagramës dhe nevojës për prevencë kombëtare ndaj efekteve negative të saj.
Raporti me politikën
Ndërsa politika shqiptare në këto ditë që kriza po i zgjeron tentakulat e veta rrotull globit duket më e qetë, por dhe më e kujdesshme, duke mos e mohuar faktin që kriza që vërtitet rrotull nesh është vërtet shqetësuese, sepse edhe në tregun tonë ka shenja të krizës, që “vjen nga jashtë”, por që mund të ndikojnë në çmimet e tregut, që mund të cenojë nivelin e jetesës duke përkeqësuar treguesit e varfërisë aktuale në Shqipëri.
Si gjithnjë, dhe si zakonisht, për të gjitha ngjarjet e rëndësishme me impakt të gjerë social, edhe kriza aktuale po politizohet dhe duket se ka filluar të ingranohet në vlerësimin tradicional dikotomik të inatit midis politikës dhe medias. Por kriza globale nuk është kaq e thjeshtë sa interpretohet nga media dhe politika jonë, ajo nuk është ngjarje që mund të parashikohet tani se deri ku mund të shkojë dhe se deri në ç’përmasa mund të përfshihemi në të. Ajo që na duhet në këto moment është që “pas drurëve të shikojmë pyllin”, ku mund të futemi pas ca kohësh. Krizën nuk mund ta shmangim me mekanizmin e vjetër shqiptar të amplifikimit mediatik dhe të deformimit politik. Pa dyshim, kriza ekonomike nuk na lejon më që të jemi të qetë, nuk na lejon që politika, shteti, media dhe individi të bëjnë sehir duke menduar se nuk ka punë me ne. Kriza dhe tendenca e zhvlerësimit progresiv të lekut dhe e rritjes së çmimeve të mallrave duhet të jetë shqetësim ekonomik, financiar, politik, social dhe mediatik. Përballimi i efekteve të krizës dhe marrja e masave të shpejta antikrizë duhet parashikuar me saktësi, sidomos për kohëzgjatjen, thellësinë, intensitetin dhe pasojat e saj. Sidomos për grupet sociale më të pafavorizuara, për të varfrit, veçanërisht, për ata të skemës së ndihmës ekonomike që jetojnë në pragun e “kafshatës”. Përballë një ngjarjeje të tillë është koha që të shqetësohen të gjithë politika, qeveria, opozita, media, opinioni publik, biznesi, strukturat e mbrojtjes sociale, skemat e prevencës sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, në mënyrë që të ngremë në këmbë të gjithë “sistemin mbrojtës”, për të përballuar me sa më pak efekt negativ pasojat eventuale.
Aspekti social
Nuk ka dyshim që kriza do të ketë pasoja edhe për ne, dhe situata ekonomike do ta vështirësojë nivelin e jetës, sidomos të njerëzve tanë, që eventualisht janë të pambrojtur me të ardhurat e tyre. Mirëpo, në vend që të mendohet kështu, në vend që të prodhohet solidaritet midis të gjitha strukturave shtetërore, politike, sociale dhe mediatike për të përballuar të keqen që po afron, të duket se po bëhet e kundërta. Ngjarja është një, është e përbashkët për të gjithë shqiptarët, ndërsa interpretimet e shtetit, politikës, mediave sipas orientimit të tyre pro apo antiqeveritar, janë krejt në mos radikalisht të kundërta. Përveç shqetësimit të natyrshëm dhe të ligjshëm, duken herë pas here qëndrime abuzuese me varfërinë apo me këtë situatë të vështirë të krizës botërore. Rritja e lehtë e disa çmimeve është një sinjal që duhet përdorur për të bërë politikë për politikë, por për të propozuar zgjidhje me logjikën e ekonomisë së tregut për të përballuar, zbutur apo rehabilituar pasojat e saj të mundshme.
Ngaqë jam një nga profesionistët e problemeve të varfërisë, por dhe si nëpunës i çështjeve sociale, i kam ndjekur me vëmendje të gjitha gjërat që thuhen e shkruhen për situatën dhe prognozën që mund të ndodhë nga një rritje e mundshme e çmimeve të mallrave si pasojë e krizës në ekonominë dhe sistemin financiar botëror, efektet e të cilit filluan të ndihen edhe në situatën tonë ekonomike dhe financiare. Personalisht më duket se ende nuk kemi filluar të kemi kohezion në perceptimin e një ngjarjeje të tillë që deri tani nga mënyra se si u perceptual u krijua ideja se ajo është një situatë që zhvillohet jashtë nesh dhe që nuk do të kishte impakt ekonomik negativ dhe pasoja sociale të mëdha. E kam pasur të vështirë që gjithë këtë kohë që “kriza hedh valle” në Europë, në SHBA dhe Azi, të dallojë se ku janë propozimet e shtetit, opozitës, të politikës profesioniste, botës së biznesit, komunitetit të ekonomistëve dhe financierëve për të dhënë ide e rrugë të mundshme për përballimin e situatës që nuk është më në horizontin tone ekonomik e financiar, por që po troket fortë në dyert tona.
Natyrisht, në çdo vend të qytetëruar dhe stabël, krizat nuk janë fatura që përballohen dhe zgjidhen vetëm nga qeveritë. Sigurisht, qeveria ka peshën kryesore të përgjegjësisë sepse ajo ka të gjithë instrumentet që duhen vënë në eficiencë mbrojtëse. Por krizat në vendet e qytetëruara janë momente të mobilizimit kombëtar, të angazhimit të mendjeve, ekspertëve dhe forcave intelektuale më të rëndësishme që sjellin efekte pozitive mbrojtëse, duke prodhuar konsensus politik, qëndrime ekonomike e financiare racionale, solidaritet politik e profesional, kohezion social dhe përcaktimin që tani të masave sociale minimum për t’u përballur me krizën. Duke e parë me vëmendje situatën “para-krizë” në vendin tonë të duket sikur ka më shumë një garë mediatizimi të krizës dhe të varfërisë, por pa dhënë asnjë mendim konstruktiv për parandalimin e pasojave apo gjetjen e rrugëve të zbutjes dhe të zgjidhjes. Në këtë kontekst do të thosha se të gjithë faktorët e shtetit, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe veçanërisht instrumentet e mbrojtjes sociale duhet të përgatiten për t’u ndeshur në mënyrë të pashmangshme me atë të keqe që nuk mund ta neglizhojmë me mendjelehtësi politike apo mediatike.
Kriza nuk përballohet me “aspirina mediatike”, as me “leukoplastin social” të politikës. Ajo ka nevojë për mendim ekonomik, për rrugëzgjidhje, solidaritet dhe mbështetje politike për të përballuar situatën. Kriza nuk është moment për “shou”, për karshillëk politik dhe mediatik… Në shumë shtete që janë përfshirë nga kriza ekonomike duket se është krijuar situatë antikrizë dhe kanë filluar të vihen në lëvizje të gjithë mekanizmat e solidaritetit tregtar, prodhues, bankar dhe social. Në çdo komb të qytetëruar, e para mënyrë për t’u mbrojtur nga kriza është ndërtimi në shoqëri i ndjenjës së solidaritetit, mbështetjes së fortë të politikës, medias, biznesit dhe shoqërisë civile. Në fund të fundit përballimi i efekteve sociale të krizës kërkon që të gjithë faktorët; shteti, politika, maxhoranca dhe opozita, shoqëria civile dhe media, komuniteti i biznesit dhe instrumentet e mbrojtjes sociale të krijojnë një lidhje dhe solidaritet moral, që në këto momente apo në ato që eventualisht mund të vijnë më pas, të lidhen më fort se në periudha normale të dobëtit me të fortët, të kënaqurit më të papunët, të pasurit me të varfrit, shteti dhe shoqëria civile, pozita dhe opozita, biznesi dhe media, në mënyrë që efektet të jenë sa më minimale…

* * * * *

Forumi në “Albania”: “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”

Gazeta “Albania” ka hapur forumin me temë “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”. Organizatorët e debatit ftojnë të marrin pjesë në diskutime ekspertët e çështjeve ekonomike, profesorët e fakulteteve ekonomike në universitetet publike dhe private, analistët, aktivistët nëpër organizata joqeveritare që merren me zhvillimet ekonomike, si dhe politikanë apo zyrtarë të përfshirë në politikat ekonomike të vendit. Temat e shtruara për diskutim janë:
- A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?
-Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria?
-Cilat do të jenë pasojat e krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët në Shqipëri?
Për çdo koment, ide apo sugjerim, ju mund të na shkruani në adresën e e-mailit: albertgjoka@yahoo.com, ose na telefononi në Nr. Tel. 00355 42229243

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›