E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i lustracionit vë në pikëpyetje integrimin e Shqipërisë



Uillson Fraser

Tema që do të prek sot është “Shteti ligjor dhe integrimi europian i Shqipërisë”. Unë besoj se ky është një moment i përshtatshëm për të diskutuar për këtë: sigurisht, baza e këtij argumenti është një kushtetutë e mirë dhe ligje të mira.
Viti 2009 do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Nëse ky është një vit i mbarë dhe merren vendimet e duhura, mund të jetë një vit vendimtar. Por, ka shumë gjëra që mund të shkojnë keq. Është detyra e çdokujt që dëshiron të ardhmen europiane të Shqipërisë të sigurohet që sot po ndërmerren vendimet e duhura dhe që viti 2009 mos të kthehet “në një mundësi të humbur” për Shqipërinë.
Të gjithë e dimë se kush janë çështjet kryesore të momentit:
-Zgjedhjet do të kryhen më 28 qershor të këtij viti. Sipas ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit të ri Elektoral, të aprovuara me konsensus nga Parlamenti vitin e shkuar, këto zgjedhje do të organizohen sipas një sistemi të ri elektoral dhe duke përdorur dokumentet e reja të identifikimit, letërnjoftimet biometrike. Procesi parapërgatitor i këtyre zgjedhjeve ka hasur fatkeqësisht në vonesa. Për shembull, Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve nuk u formatua brenda afatit të përcaktuar kohor; ka pasur vonesa në procesin e lëshimit të letërnjoftimeve të reja. Megjithatë, e di se qeveria është e bindur se mund të lëshohen në kohën e duhur letërnjoftime të mjaftueshme për të mundësuar që zgjedhjet të shkojnë pa probleme.
Reforma gjyqësore, e pambyllur
Reforma e Gjyqësorit nuk është kompletuar akoma dhe janë të pakta premisat që kjo gjë do të ndodhë përpara zgjedhjeve. Raporti i Progresit i Komisionit Europian i vitit 2008 e bënte të qartë se “procedurat e Gjyqësorit kanë mbetur të ngadalta dhe nuk kanë transparencë”. Reforma e Gjyqësorit është thelbësore për progresin e integrimit të Shqipërisë. Nismat, si ligji i ri për pastërtinë e figurave, kërcënojnë pavarësinë e Gjyqësorit dhe organit të akuzës. Mbeten për t’u korrigjuar dhe shumë elemente të tjera të reformës në Gjyqësor, për ta bërë sistemin e drejtësisë më të ndershëm dhe transparent. Për shembull, është shumë e rëndësishme për transparencën dhe përgjegjshmërinë e Drejtësisë në Shqipëri që gjyqtarët të detyrohen të shpjegojnë dhe justifikojnë motivacionet për marrjen e vendimeve. Elementet e korruptuara brenda Gjyqësorit duhen eliminuar shpejt dhe përfundimisht. Partnerët e Shqipërisë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë gati ta ndihmojnë atë për të zbatuar një reformë më të gjerë dhe më të thellë në Gjyqësor.
Lustracioni rrezikon integrimin
Në vitin 2008, pas 17 vitesh demokraci pluraliste, qeveria shqiptare inicioi ligjin për pastërtinë e figurave për të adresuar krimet e ish-regjimit komunist. Ky ligj u aprovua nga Parlamenti në fund të vitit të kaluar. Shumë zëra, – duke përfshirë edhe Bashkimin Europian, – kanë shprehur shqetësime për kushtetutshmërinë e ligjit dhe ligji është apeluar në Gjykatën Kushtetuese. Fatkeqësisht, deri tani qeveria nuk duket të ketë pasur në vëmendje shqetësimet e Bashkimit Europian dhe të të tjerëve; vendas dhe ndërkombëtarë për ligjin për pastërtinë e figurave. Pasojat e kësaj çështjeje për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE janë shqetësuese kur qeveria ka shpallur synimin e saj për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Mbetet për t’u parë nëse zbatimi i ligjit do pezullohet derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për ligjin.
Në secilin prej këtyre rasteve, shteti i së drejtës ka rëndësi thelbësore. Këto çështje janë të lidhura pandashmërisht me reformat që mbeten për t’u bërë për të fuqizuar sundimin e ligjit në Shqipëri, reforma këto që nëse nuk zbatohen, pengojnë integrimin e mëtejshëm europian.
Vendi im, Mbretëria e Bashkuar, ka një histori të gjatë ndryshimesh demokratike dhe gjyqësore, përgjatë shumë shekujve, gjë që na ka vënë në pozicionin fatlum që kemi sot. Ky proces është karakterizuar nga evolucioni dhe jo revolucioni.
Nuk është merita e ndonjërit prej politikanëve apo zyrtarëve të sotëm që ne kemi një sistem ku sundimi i ligjit është parësor dhe i mbrojtur nga shumë kontrolle dhe balancime dhe shekuj tradite. Por na lejon ne të ndajmë eksperiencën tonë me vende të tjera, si Shqipëria, në mënyrë që ato t’i gëzojnë këto përfitime në një hapësirë shumë më të shkurtër kohore.
Shqipëria ka ecur shumë përpara në një periudhë të shkurtër. 97 vjet më parë ishte akoma pjesë e Perandorisë Otomane. Më pak se 20 vjet më parë, vendi ishte akoma duke vuajtur tmerret e regjimit brutal stalinist, me persekutime politike, gjyqe të fasade publike dhe struktura partiake komuniste paralele në Gjyqësor dhe në të gjitha fushat e jetës publike. Shkodra vuajti shumë në këtë periudhë të egër të historisë së Shqipërisë. Dhe luajti një rol të rëndësishëm në procesin e avancimit drejt pluralizmit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Por, gjatë viteve të fundit, Shkodra ka vuajtur nga një mori vrasjesh për hakmarrje, që pasqyrojnë në një mënyrë të tmerrshme nevojën e dëshpëruar për forcimin e shtetit ligjor në Shqipërinë moderne.
Hyrja në NATO dhe standardet
Këtë vit Shqipëria ka shumë mundësi të anëtarësohet në NATO. Progresi në fushat e “sundimit të ligjit” ka qenë një kusht që Shqipëria të marrë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, në Samitin e Bukureshtit gjatë fillim vitit të kaluar, ashtu siç është themelor dhe për integrimin e mëtejshëm europian, megjithëse kushtet për këtë të fundit do të jenë shumë më të forta.
Përpara Samitit të Bukureshtit u aprovua Ligji Nr. 9877 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, një hap pozitiv përpara, drejt një reforme gjithëpërfshirëse të Gjyqësorit. Por, qysh me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nuk kemi parë ndonjë progres të madh. Ajo çfarë nevojitet janë ndryshimet konsensuale dhe të përbashkëta, që zgjidhin shqetësimet e kahershme për pavarësinë e Gjyqësorit, korrupsionin, presionit të paligjshëm mbi dëshmitarët, influencën politike mbi gjykatat, fonde të mjaftueshme, menaxhim efektiv çështjesh dhe vendime të motivuara. Infrastruktura dhe administrata që mbështet gjyqtarët duhet përmirësuar. Duhet përmirësuar koordinimi mes prokurorëve dhe policisë; veçanërisht nëpërmjet përdorimit efektiv të sistemit të menaxhimit të çështjeve. Duhen gjendur burimet dhe sistemet e nevojshme për mbrojtjen e duhur të dëshmitarëve, siç parashikohet prej disa kohësh me ligj.
Kur përdoret termi “shteti i së drejtës”, shpesh mendojmë për krimin, policinë dhe sigurinë. Dhe këto janë fusha të rëndësishme. Eksperienca aktuale e zgjerimit të BE-së do t’i bëjë shtetet anëtare edhe më të kujdesshme për të pranuar vende të reja, të cilat mund të mos përmbushin standardet tona të larta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tentativa e fundit në Tiranë për të vrarë një gjyqtar të Gjykatës së Lartë ngre akoma shumë shqetësime.
Kështu që të vazhdojë progresi i integrimit europian, Shqipëria duhet të tregojë se krimet e rënda, veçanërisht krimi i organizuar, hetohen dhe procedohen siç duhet. Krimi i organizuar ka një dimension ndërkombëtar dhe është vitale që infrastruktura për bashkëpunimin ndërkufitar të fuqizohet dhe mbështetet, duke përfshirë atë mes gjykatave dhe organeve kombëtare të Prokurorisë. Kriminelët janë mjeshtër të bashkëpunimit ndërkombëtar, kështu që edhe autoritetet kombëtare të zbatimit të ligjit duhet t’i zhvillojnë këto aftësi bashkëpunimi, nëse duan t’ia dalin mbanë në luftën kundër krimit të organizuar.
Respekti dhe zbatimi i ligjit
Por sundimi i ligjit i referohet në përgjithësi respektit që kanë njerëzit për ligjin. Kjo kërkon që: së pari, të miratohen ligje të mira, dhe pastaj një angazhim total për t’i zbatuar. Shqipëria ka nevojë për ligje që plotësojnë kërkesat e vetë Shqipërisë. Ligjet duhen aprovuar vetëm pas konsultimeve të gjera me ekspertë lokalë - si edhe ndërkombëtarë - dhe me palët e interesuara - si Gjyqësori, Prokuroria, zyrtarët përgjegjës për zbatimin e ligjit, si dhe grupe të tjera interesi nga shoqëria civile.
Përkthimi në shqip i të gjitha ligjeve të vendeve të tjera nuk ka gjasa të plotësojë nevojat e Shqipërisë dhe do të sjellë që ligjet nuk mund të zbatohen. Shembull tipik është ligji kundër pirjes së duhanit në vende publike, që u miratua në vitin 2007. Në vendin tim ne nuk e miratuam një ligj të tillë derisa - pas konsultimeve të gjera - u siguruam që do të mund ta zbatonim. Dhe tani këtë ligj po e zbatojmë kudo dhe në çdo kohë. Fakti që këtu në Shqipëri njerëzit vazhdojnë të tymosin nëpër kafene, ulur pranë tabelave ku shkruhet “Ndalohet duhani”, është një tallje jo vetëm me këtë ligj, por me zbatimin e ligjeve në përgjithësi.
Eksperienca e vendeve që kanë hyrë në BE vitet e fundit dhe progresi që kanë bërë në forcimin e zbatimit të ligjit mund ta ndihmojnë Shqipërinë në procesin e reformave. Por, progresi real do të ndodhë vetëm kur Shqipëria të miratojë ligjet e reja më të rëndësishme; me konsensus dhe kur këto ligje plotësojnë nevojat e vetë Shqipërisë. Është e rëndësishme të theksohet se zbatimi është po aq i rëndësishëm sa edhe legjislacioni. Në fakt duhet të jetë vetë arsyeja e hartimit të ligjeve.
Korrupsioni dhe perceptimi për të
Tema e kësaj bisede është rëndësia e zbatimit të ligjeve për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Kjo nuk është thjesht të bësh një kontroll rutinë të përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit: përfitimi kryesor nga zbatimi i mirë i ligjeve është e ardhmja më e mirë për Shqipërinë. E thënë thjesht, sundimi i ligjit është përfitim për shumicën, jo për disa. Mungesa e sundimit të ligjit shkakton pikërisht të kundërtën.
Është e pamundur të flitet për shtetin ligjor në Shqipëri pa folur edhe për korrupsionin. Raporti i Progresit për vitin 2008 i Komisionit Europian thotë se "… korrupsioni mbetet një problem serioz në Shqipëri". Raporti vazhdon më tej me masat antikorrupsion të tilla si: duhet të fillojë zbatimi dhe mbeten për t’u vlerësuar mekanizmat monitorues. Duhet akoma shumë punë për të ndryshuar sjelljen dhe procedurat në administratën publike.”
Perceptohet se korrupsioni në Shqipëri është i madh. Ky është problem po aq i madh sa vetë niveli i lartë i korrupsionit. Nëse njerëzit besojnë se zyrtarët kryesorë janë të korruptuar, atëherë ata as nuk do të përpiqen t’i kërkojnë shërbimet që u takojnë. Efekti pra është i njëjtë, si kur korrupsioni është i lartë; si kur njerëzit besojnë se është i tillë: shqiptarët nuk marrin shërbimet që i meritojnë dhe u takojnë. Shqipëria ka marrë disa angazhime për të luftuar korrupsionin, sidomos në shërbimet publike dhe në Gjyqësor, dhe është thelbësore që strategjia antikorrupsion 2007 - 2013 të zbatohet plotësisht. Kjo është çështje e të drejtave të njeriut.
Është edhe çështje ekonomike. Investitorët e huaj kërkojnë një sistem ligjor të besueshëm në një vend para se ata të investojnë kapitalin e tyre në një sipërmarrje të re. Derisa Shqipëria të përmirësojë reputacionin se Gjyqësori dhe administrata e saj publike janë të korruptuara, do të jenë vendet e tjera me reputacion pak më të mire ato që do të kenë avantazh për të tërhequr investime të huaja.
Në periudhën afatgjatë, Shqipëria ka nevojë të zbatojë plotësisht Konventat Europiane mbi Korrupsionin në Çështje Civile dhe Penale, dhe konventat përkatëse të OKB-së dhe traktatet ku ajo është palë. Ratifikimi i këtyre instrumenteve ligjore ndërkombëtare sjell si detyrime ligjore; ashtu edhe morale.
Një test thelbësor i progresit të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit do të përbëjë një përmirësim në vitet në vazhdim, në perceptimet e publikut shqiptar përfshirë edhe Gjyqësorin, siç tregohet në sondazhet si Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparencës Ndërkombëtare. Sepse besimi i publikut te sundimi i ligjit varet nga transparenca e sinqertë dhe pavarësia e Gjyqësorit dhe Prokurorisë.
Duhet të ketë edhe dënime. Nëse zyrtarë të lartë gjykohen fajtorë dhe marrin dënimin e merituar, kjo do të jepte një mesazh të qartë se sjellja korruptive nuk është më e pranueshme në asnjë fushë, por sidomos në shërbimin publik.
Publiku duhet të shohë se asnjë zyrtar apo politikan, sado i lartë, nuk do t’i shpëtojë dënimit nëse gjykohet fajtor për korrupsion. Rastet e dyshuara për korrupsion në nivele policore apo Gjyqësor e Prokurori, por edhe për politikanë të lartë, duhet të hetohen plotësisht dhe aty ku ka prova, të çohen në gjyq. Është jetësore që kjo të bëhet njësoj për të gjithë dhe pa mbajtur anë. Pasuritë e vëna nga korrupsioni duhen sekuestruar. Vetëm atëherë ata që tundohen nga ryshfetet do të kenë frikë se - nëse kapen - jo vetëm do të shkojnë në burg, por edhe do t’iu konfiskohen frutat e fituara nga krimi.
Zyrtarët, imuniteti dhe ligji
Zyrtarët, anëtarët e Gjyqësorit dhe të tjerë, në pozicione pune delikate, duhen paguar relativisht mirë. Nëse jo, ata do të priren më tepër për të kërkuar rrugë të tjera për të shtuar të ardhurat, dhe njerëzit e paguar mirë janë më pak të prirë të marrin ryshfete që të mos rrezikojnë një punë të mirë. Në këtë dhe fusha të tjera parimi i lartë i sundimit të ligjit përkrahet nga masa praktike për ta bërë sistemin më të favorshme për sjellje etike dhe të përshtatshme.
Një koncept kyç në themel të sundimit të ligjit është parimi se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Imuniteti ndaj ndjekjes penale minon këtë parim. Prandaj, ka një argument të fortë për të reduktuar imunitetin deri në shumë pak pozicione dhe rrethana. Në vendin tim asnjë nuk gëzon imunitet. Vetëm mbretëresha.
Në Shqipëri, numri i zyrtarëve me imunitet të gjerë ndaj ndjekjes penale dhe hetimit është çuditërisht i lartë. Argumenti për të hequr imunitetin ndoshta bëhet më i fortë për vende ku problemi me korrupsionin është shumë serioz. Imuniteti duhet të jepet në raste shumë strikte dhe kur është në interes publik.
Forcimi i shtetit ligjor në Shqipëri i shërben edhe Europës, prandaj do të forcojë integrimin e Shqipërisë në BE. Siç tha komisioneri europian për Zgjerimin, Oli Ren, në një fjalim mbi Ballkanin Perëndimor në Pragë, shtatorin e kaluar, "çimentimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor në këto vende dhe inkurajimi i progresit të tyre drejt BE-së është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Europës”. Por do t’i shërbejë edhe Shqipërisë, dhe popullit shqiptar.
Më shumë progres mbetet për t’u bërë në vendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Britania dhe të tjerët janë gati dhe kanë vullnetin dhe mundësinë për të asistuar Shqipërinë në procesin e reformave në vazhdim. Kjo nuk do të kalojë pa dhimbje. Praktikat e vjetra duhen sfiduar. Por, shpërblimet për shumicën do t’i tejkalojnë sakrificat, në lidhje me interesat personale të pakicës që do të duhet të kryhen. Kjo do ndihmojë që ta sjellë Shqipërinë në Europë dhe Europën në Shqipëri.

* * *
Shkrimi është marrë me shkurtime nga fjalimi i ambasadorit britanik, mbajtur dje para studentëve dhe pedagogëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, me temë “Shteti ligjor dhe integrimi i Shqipërisë”

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›