E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri përzgjedh mediat në koktejlin e fundvitit



Megjithëse ka folur për lirinë e mediave dhe gazetarëve, ajo që ka rënë në sy në konferencën e djeshme të kreut të qeverisë ka qenë fakti se të pranishme kanë qenë vetëm mediat që janë pranë qeverisë. Zyra e Shtypit e Kryeministrisë kishte njoftuar për konferencën e fundvitit vetëm disa media dhe jo të gjitha. Kështu, gazeta “Albania” nuk është njoftuar për zhvillimin e konferencës për shtyp dhe aq më pak për ceremoninë festive që ka organizuar kreu i qeverisë. Së fundmi, Zyra e Shtypit e Kryeministrit i njofton mediat nëpërmjet e mail-it, duke u përpjekur të kursejë nga mospërdorimi i telefonave, por edhe ky njoftim elektronik nuk ka ardhur në e mail-in e gazetës “Albania”. Megjithëse sipas kryeministrit jemi në “moshën e internetit”, duket se vetë stafi i tij nuk është përshtatur mirë me këtë projekt. Por edhe pyetjet e drejtuara nga gazetarët kanë qenë të censuruara. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp janë lejuar vetëm tre gazetarë që t’i drejtojnë pyetje kreut të qeverisë, ndërsa pjesa tjetër nuk është lejuar. Kjo tregon një përpjekje të qartë për të mos lejuar gazetarët që nëpërmjet pyetjeve drejtuar kryeministrit të ngrenë shqetësimet që ka sot populli shqiptar.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›