E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Gazeta ‘Tema’ kërkon të qëndrojë në sqetullat e qeverisë”



Kryeministri Berisha ka përdorur një fjalor të ashpër kundrejt gazetës ‘Tema’. Prej ditësh, qeveria po tenton të largojë gazetën nga ambjentet e saj në ish-Tipografinë Ushtarake për shkak se do të prodhohen kartat e identitetit. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Berisha është pyetur në lidhje me këtë konflikt duke mos e cilësuar aspak cenim të pavarësisë së medias. “Zoti na ruajtë nga mediat e pavarura që preferojnë sqetullat e qeverisë! Pavarësia e mediave nuk përcaktohet nëse qëndron apo jo, nëse ndodhet në sqetuallat e qeverisë, por nëse flet lirshëm kundër qeverisë. Ajo dhe çdo gazetë tjetër është e lirë dhe do të jetë e lirë të shkruajë kundër qeverisë. Të pretendosh që cenohet pavarësia, ç’do të thoshin gazetat e tjera që nuk përfitojnë lehtësira të qeverisë? A nuk do të kishin të drejtë ato të thonin që po i cenohet barazia”, - është shprehur Berisha.

Meta në Kamzë: “Rama dhe Berisha, pazarxhinj me fatet e vendit”

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me banorë të zonës së Bathores, në Bashkinë e Kamzës. Në këtë takim merrnin pjesë edhe nënkryetarja e LSI-së Filloreta Kodra, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI Luan Rama; kryetarja e LRI-së Erisa Xhixho; sekretari i Përgjithshëm i LSI-së së Tiranës, Elez Gjoza, si dhe ish-rektori Shezai Rrokaj. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta akuzoi kryeministrin Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama, duke i cilësuar ata si pazarxhinj dhe aventurierë. “Fati i një vendi nuk mund të mbetet në dorën e dy aventurierëve, që tallen, që nga Kushtetuta, - gjëja më e rëndësishme që mund të ketë një shtet, ashtu siç një familje ka shtëpinë gjënë më të rëndësishme, një shtet Kushtetutën ka gjënë më të rëndësishme, ajo e mban shtetin, - e deri te Prokuroria, duke bërë pazarin më të fundit të fëlliqur të dy njerëzve të papërgjegjshëm që nuk kanë asnjë respekt për shtetin dhe për ligjin e jo më të garantojnë dhe të sigurojnë pronat tuaja, jetën tuaj dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj”, - tha Meta. Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së është ndalur edhe te shpërblimet e fundvitit që jep qeveria “Berisha”, duke i konsideruar ato qesharake dhe që nuk sigurojnë asgjë për pensionistët. Në përfundim të takimit, kryetari Meta shprehu besimin se LSI-ja dhe koalicioni i saj do të jenë fitues në zgjedhjet e vitit 2009 dhe theksoi se nuk mund të ketë alternativë tjetër që t’u garantojë shqiptarëve dinjitet, pronat dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Dua ta mbyll me besimin tim të jashtëzakonshëm që LSI-ja dhe koalicioni i saj do të jenë fitues në vitin 2009. Sepse, nuk mund të kenë shqiptarët alternativë tjetër që t’u garantojë dinjitetin e tyre, t’u garantojë pronat e tyre, t’u garantojë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Duke qenë i bindur se vitin e ardhshëm do të kemi mundësi të takohemi shumë më pranë, jo vetëm në takime kaq të mëdha, dua të shpreh bindjen time se viti 2009 do të jetë një vit i mbarë”, - tha Meta.

30 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›