E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, nëntori fundos tregun e punës

Nëntori ka shënuar
një tjetër rekord negativ
për Shtetet e
Bashkuara të Amerikës
që kanë hyrë zyrtarisht në
periudhën e recesionit. Vetëm
gjatë këtij muaji të parafundit
të vitit janë shkurtuar plot 533
000 vende pune, që me fjalë të
tjera përbën edhe rekordin më
negativ në fushën e papunësimit
këto 34 vitet e fundit. Pas
kësaj shkalla e papunësisë në
vend është në masën 6.7%.
Shifrat e fundit të publikuara
dje nga Departamenti i Punës
flasin për një moment të rëndë
përkeqësimi në tregun e punës
që ka alarmuar shumë administratën
e SHBA-së dhe sigurisht
ka ulur ndjeshëm humorin e
vetë amerikanëve në këtë periudhë
në prag të festave. Sipas
shumë analistëve, kjo shifër
është tronditëse dhe situata
bëhet gjithnjë e më e vështirë,
ndërsa kompanitë e mëdha që
punësojnë edhe numrin më të
mëdha të njerëzve ndodhen
në një krizë të rëndë financiare
dhe në kërkim të paketave të
shpëtimit nga ana e qeverisë
si në rastin e disa kompanive
të prodhimit të makinave.
Në nëntor të vitit të kaluar,
papunësia ishte vetëm 4.7%.
Situata ekonomike e Amerikës
nisi të përkeqësohej ndjeshëm
dhjetorin e kaluar dhe ky mund
të quhet edhe muaji i fillimit të
një periudhe recesioni. Që nga
fillimi i këtij kaosi, ekonomia
ka humbur 1.9 milionë vende
pune, numri i të papunëve u
rrit në 2.7 milionë dhe shkalla
e papunësisë u rrit gjithashtu
me 1.7%. Presidenti i zgjedhur,
Obama, deklaroi që lajmi për
shtimin e numrit të të papunëve
e bën më urgjente ndërmarrjen
e masave të menjëhershme, në
mënyrë që periudha e dhimbjes
për familjet që vuajnë të jetë sa
më e shkurtër. Megjithatë, sipas
tij, gjërat nuk mund të ndodhin
menjëherë. "Kjo krizë nuk do të
ketë zgjidhje të menjëhershme
dhe ka shumë të ngjarë që
para se situata të përmirësohet
do të përkeqësohet edhe më.
Njëherazi, kjo situatë na jep
mundësinë e transformimit të
ekonomisë sonë dhe përmirësimit
të jetës së bashkëkombësve
tanë, na jep mundësinë e investimeve
në energjinë e pastër,
modernizimin e rrugëve dhe
infrastrukturës, përmirësimin e
shkollave dhe spitaleve, gjetjen
e zgjidhjeve të reja për burimet
energjetike për t‘u shkëputur
nga varësia ndaj naftës, si dhe
kryerja e reformave të thella që
do të sjellin rritjen dhe forcimin
e ekonomisë sonë për vitet në
vijim", ka deklaruar Obama dje.
Ndërkohë, administrata aktuale
amerikane do të vazhdojë
që të përqendrohet në gjetjen
dhe aplikimin e mënyrave për
të sqaruar kaosin bankar dhe
për të vënë në funksionim disa
operacione bankare të tilla si
rifillimin e dhënies së kredive.
Ndërkohë, nga lajmi i fundit,
aksionet në bursën e Wall Street
kanë rënë këtë fundjavë. Për sa
u përket vendeve të humbura
të punës, ato kanë qenë në
sektorë të ndryshëm në fabrika,
kompani ndërtimi, firma
financiare etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›